“18–24 Dhjetor. Krishtlindja: ‘Ju Lajmëroj Një Gëzim të Madh’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“18–24 Dhjetor. Krishtlindja”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
18–24 Dhjetor
Krishtlindja
“Ju Lajmëroj Një Gëzim të Madh”
Ky mësim është një mundësi për t’i ndihmuar fëmijët ta kremtojnë ditëlindjen, jetën dhe misionin e Shpëtimtarit në kohën e Krishtlindjes. Mbajeni këtë mendim në mendje teksa përgatiteni për të dhënë mësim.
Ftojini të Tregojnë
Paraqitni figurën nga përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, dhe ftojini fëmijët të tregojnë se çfarë dinë rreth lindjes së Shpëtimtarit.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Jezu Krishti erdhi në tokë si foshnjë.
Fëmijët e pëlqejnë shumë historinë e lindjes së Jezu Krishtit. Çfarë të vërtetash doktrinore shihni në këtë histori që mendoni se fëmijët duhet t’i kuptojnë?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve vargjet te Lluka 2:1–14 ose përshkruani ngjarjet në këto vargje duke iu drejtuar mësimit “Kapitulli 5: Lindja e Jezu Krishtit” (në Tregime nga Dhiata e Re, f. 13–15, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org. Ftojini fëmijët të vizatojnë figura të këtyre ngjarjeve dhe t’i përdorin figurat për ta treguar vetë historinë. Përse jemi të lumtur që Jezusi lindi?
-
Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë historinë e Dijetarëve duke ndjekur yllin që të gjenin Jezusin. Nëse kanë nevojë që t’iu kujtohet historia, shihni vargjet te Mateu 2:1–12 ose mësimin “Kapitulli 7: Dijetarët” (në Tregime nga Dhiata e Re, f. 18, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org). Fshihni një figurë të Jezusit në dhomë. Vizatoni ose pritni një yll letre dhe ngrijeni atë në ajër. Ftojini fëmijët të bëjnë sikur janë dijetarë që mbajnë dhurata dhe udhëhiqini nëpër klasë që të gjejnë Jezusin. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për disa dhurata që mund t’ia japim Jezusit.
-
Këndoni me fëmijët disa himne ose këngë për Krishtlindjen (shih Himne, nr. 120–132; Libri i Këngëve të Fëmijëve, 20–40). Kërkojuni atyre të tregojnë diçka që ua mëson secila këngë që e ndiejnë se është e rëndësishme ta dinë.
Jezu Krishti bëri të mundur që unë të jetoj përsëri me Atin Qiellor një ditë.
A e kuptojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim, përse Jezu Krishti erdhi në tokë? Gjeni kohë të përsiatni se çfarë ka bërë Shpëtimtari për ju personalisht dhe se si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë se çfarë ka bërë Ai për ta.
Veprimtari të Mundshme
-
Sillni në klasë një dhuratë të mbështjellë ose një kuti që ka brenda një figurë të Jezu Krishtit. Vendosni mbi dhuratën një etiketë me vargun te “Gjoni 3:16” të shkruar mbi të dhe u thoni fëmijëve që kjo është një e dhënë kyç rreth asaj se çfarë dhurate është. Lexoni me fëmijët te Gjoni 3:16 dhe ftojini të marrin me mend se çfarë dhurate është dhe ta hapin atë. Përse na e dërgoi Perëndia Birin e Tij?
-
Ndihmojini fëmijët ta mbarojnë këtë fjali: “Jezu Krishti erdhi në tokë që të ”. Më pas paraqitni figura që lidhen me flijimin shlyes, vdekjen dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 56–59) dhe tregoni shkurtimisht rreth këtyre ngjarjeve. Gjithashtu mund të këndoni një këngë rreth arsyes përse Jezusi erdhi në tokë, të tillë si “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21). Jepni dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe shpjegoni se çfarë ka bërë Ai për ju.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Mateu 1:18–25; 2:1–12; Lluka 1:26–38; 2:1–20
Jezu Krishti erdhi në tokë si foshnjë.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të përqendrohen te Jezu Krishti në kohën e Krishtlindjes?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni njërin nga fëmijët të lexojë rreth disa prej ngjarjeve që lidhen me lindjen e Shpëtimtarit (shih Mateu 1:18–25; 2:1–12; Lluka 1:26–38; 2:1–20). Kërkojuni fëmijëve të tjerë të vizatojnë me radhë në tabelë figura të asaj që përshkruajnë shkrimet e shenjta. Çfarë na mësojnë këto histori rreth Jezu Krishtit?
-
Ftojini fëmijët të shkruajnë në disa shirita letre gjëra që mund të bëjnë për t’i ndihmuar që të përqendrohen te Shpëtimtari gjatë periudhës së Krishtlindjes. (Ata mund të marrin ide nga materiali filmik “Good Tidings of Great Joy: The Birth of Jesus Christ” [“Ju Lajmëroj Një Gëzim të Madh: Lindja e Jezu Krishtit”] te ChurchofJesusChrist.org.) Ftojini ta tregojnë atë që shkruan. Nxitini fëmijët ta marrin letrën në shtëpi dhe të bëjnë me familjet e tyre sugjerimet që i shkruan në fletë.
-
Këndoni këngë Krishtlindjeje rreth Shpëtimtarit (shih Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–40; Himne, nr. 120–132) dhe ftojini fëmijët të thonë një varg ose frazë të parapëlqyer nga këngët.
Jezu Krishti bëri të mundur që unë të jetoj përsëri me Atin Qiellor një ditë.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta përsëritin atë që kanë mësuar këtë vit, dhe të kuptojnë se përse kanë nevojë për Jezu Krishtin në jetën e tyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Emërtoni një fletë letre Kush është Jezu Krishti? dhe një tjetër Përse erdhi Ai në tokë? dhe ngjitini në mure të ndryshme të klasës. Ftojeni secilin fëmijë të lexojë një prej shkrimeve të shenjta vijuese: Mateu 16:15–16; Gjoni 3:16; 1 Nefi 10:4; Mosia 3:8; Alma 7:10–13; 3 Nefi 27:14–15. Vërini fëmijët t’i kërkojnë përgjigjet për dy pyetjet në mure në shkrimet e shenjta që lexuan. Ftojini t’i shkruajnë përgjigjet e tyre dhe t’i ngjitin ato në mur pranë pyetjes së duhur. Si mund ta tregojmë mirënjohjen tonë për atë që Jezu Krishti ka bërë për ne?
-
Ftojini fëmijët të renditin në tabelë të gjithë emrat ose titujt e Jezusit për të cilët mund të mendojnë (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Jezu Krisht”). Çfarë na mësojnë këta emra rreth Jezu Krishtit dhe misionit të Tij? Përse na nevojitet Jezu Krishti në jetën tonë? Që të ndihmoni për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, shfaqni materialin filmik “Why We Need a Savior—A Christmas Message about Our Savior Jesus Christ” [“Përse Na Nevojitet një Shpëtimtar – Një Mesazh Krishtlindjeje rreth Shpëtimtarit Tonë, Jezu Krishtit”] (ChurchofJesusChrist.org).
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Nxitini fëmijët të gjejnë të paktën një mënyrë për t’i shërbyer dikujt tjetër ose që të vijnë më pranë Jezu Krishtit në këtë Krishtlindje.