“11–17 Dhjetor. Zbulesa 6–14: ‘Ata … Fituan me Anë të Gjakut të Qengjit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“11–17 Dhjetor. Zbulesa 6–14”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
11–17 Dhjetor
Zbulesa 6–14
“Ata … Fituan me Anë të Gjakut të Qengjit”
Presidenti Bojd K. Paker këshilloi: “Nëse gjuha e shkrimeve të shenjta fillimisht ju duket e pazakontë, vazhdoni të lexoni. Shpejt do të arrini të dalloni bukurinë dhe fuqinë që gjendet në ato faqe” (“Çelësi për Mbrojtjen Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2013, f. 27).
Shënojini Mbresat Tuaja
Përfytyroni një grua që “bërt[et] nga dhembjet dhe mundimet e lindjes”. Tani përfytyroni “një dragua [të] madh [të] kuq që k[a] shtatë kokë dhe dhjetë brirë”, duke u sjellë rrotull mbi gruan, i gatshëm për ta “gllabëruar birin e saj kur ta … lind[te]” (Zbulesa 12:2–4). Që t’i kuptoni këto vargje të zbulesës së Gjonit, sillni ndërmend që këto figura përfaqësojnë Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë, si edhe rrezikun me të cilin do të përballeshin ato. Për shenjtorët që përjetuan përndjekje të rëndë në kohën e Gjonit, fitorja mbi ligësinë mund të mos ishte dukur e mundshme. Kjo fitore gjithashtu mund të jetë e vështirë të parashikohet në një kohë si e jona, kur kundërshtari është në “luftë kundër … shenjtorëve” dhe ka “pushtet mbi çdo fis, gjuhë dhe komb” (Zbulesa 13:7). Por fundi i zbulesës së Gjonit, në mënyrë të lavdishme tregon se e mira do të triumfojë mbi ligësinë. Babilonia do të bjerë. Dhe shenjtorët do të “k[e]në ardhur nga shtrëngimi i madh” me rroba të bardha – jo se rrobat e tyre nuk u njollosën kurrë, por sepse shenjtorët do t’i “k[e]në larë rrobat e tyre dhe [do t’i] k[e]në zbardhur në gjakun e Qengjit” (Zbulesa 7:14).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Gjoni pa shumë ngjarje të historisë së tokës, veçanërisht ato të ditëve të mëvonshme.
Në këta kapituj ju do të lexoni për një libër me shtatë vula. Nëse po e pyetni veten se çfarë do të thotë kjo, nuk jeni të vetmit. Profeti Jozef Smith bëri të njëjtën gjë. Zoti i zbuloi Jozefit se ky libër dhe vulat e tij përfaqësojnë historinë e “ekzistencës së përkohshme” të tokës, ku secila vulë përfaqëson një mijë vjet (shih Doktrina e Besëlidhje 77:6–7). Mund t’ju interesojë të dini se ngjarjet e katër vulave të para janë përmbledhur në vegimin e Gjonit në vetëm tetë vargje (Zbulesa 6:1–8). Tre vargjet e tjera përshkruajnë vulën e pestë (vargjet 9–11). Ngjarjet e dy vulave të fundit zënë shumicën e pjesës tjetër të librit Zbulesa. Me fjalë të tjera, përqendrimi kryesor i vegimit të Gjonit janë ditët e fundit – ditët tona. Ndërsa lexoni, përsiatni se përse është me vlerë të dini se çfarë shkroi Gjoni për ditët e mëvonshme.
Ndërsa lexoni për ngjarjet për të cilat profetizoi Gjoni, merrini parasysh sugjerimet dhe pyetjet në vijim:
-
Lexoni kapitullin te Zbulesa 7 duke pasur në mendje veprën e mbledhjes së Izraelit. Çfarë mendimesh keni për këtë punë? (Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 77:8–11.) Çfarë mësoni nga vargjet 13–17 rreth Jezu Krishtit dhe atyre që vijnë tek Ai?
-
Çfarë ju mësojnë kapitujt 8; 9; dhe 11 rreth ngjarjeve të ditëve të fundit? (Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 77:12–13, 15.) Si mund të përgatitemi shpirtërisht për këto ngjarje?
-
Zbulesa 10 tregon për një libër që një engjëll ia dha Gjonit dhe e urdhëroi atë që ta hante. Çfarë mund të simbolizojë kjo? (Shih Doktrina e Besëlidhje 77:14.)
Lufta në Qiell vazhdon në tokë.
Nuk dimë shumë për Luftën në Qiell, por ka për të një përshkrim të gjallë edhe pse të shkurtër te Zbulesa 12:7–11. Teksa i lexoni këto vargje, përfytyrojeni veten tuaj si pjesë të atij konflikti para vdekshmërisë. Çfarë mësoni rreth mënyrës se si Satani mposhtet? (Shih vargun 11.)
Lufta që nisi në qiell vazhdon në tokë, ndërsa Satani këmbëngul që të “bëjë luftë me [ata të cilët] kanë dëshminë e Jezu Krishtit” (Zbulesa 12:17). Çfarë mësoni nga Zbulesa 13 rreth asaj se si ai po e bën atë luftë sot? Si vazhdojnë t’ju ndihmojnë në këtë luftë “gjak[u i] Qengjit dhe “fjal[a e] dëshmisë [suaj]” (Zbulesa 12:11)?
Shih edhe 1 Nefi 14:12–14; Moroni 7:12–13; Moisiu 4:1–4; Doktrina e Besëlidhje 29:36–37; Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “War in Heaven” [“Lufta në Qiell”], topics.ChurchofJesusChrist.org.
“Pashë një engjëll tjetër … që kishte ungjillin e përjetshëm.”
Një përmbushje e profecisë në këto vargje ndodhi kur Moroni iu shfaq Jozef Smithit dhe e udhëhoqi atë drejt analeve që i përktheu dhe i botoi si Librin e Mormonit. Ky libër përmban “ungjillin e përjetshëm” të cilin na kërkohet t’ia predikojmë “çdo kombi dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli” (Zbulesa 14:6).
Për të mësuar rreth engjëjve të tjerë që kanë marrë pjesë në rivendosjen e ungjillit të përjetshëm, shihni kapitujt te Doktrina e Besëlidhje 13; 27:5–13; 110:11–16; 128:20–21.
Shih edhe “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Zbulesa 7:9, 13–15.Çfarë mund të na mësojnë këto vargje rreth arsyes përse veshim rroba të bardha për ordinancat e pagëzimit dhe të tempullit?
-
Zbulesa 7:14–17.Merrni parasysh t’i ftoni pjesëtarët e familjes të flasin për ndjenjat e tyre rreth premtimeve të Zotit në këto vargje. Si mund të na ndihmojnë premtimet e Tij kur jemi në “shtrëngim [të] madh”? (Vargu 14.)
-
Zbulesa 12:7–11; 14:6.Disa pjesëtarë të familjes mund të kënaqen duke vizatuar figura të vegimeve që përshkruhen te libri Zbulesa. Për shembull, bërja e vizatimeve nisur nga Zbulesa 12 mund të çojë në diskutime për Luftën në Qiell (shih vargjet 7–11). Vizatimet që bazohen te Zbulesa 14:6 mund të çojnë në diskutime për Rivendosjen e ungjillit.
Pasi të lexoni së bashku vargun te Zbulesa 14:6, merrni parasysh të tregoni fotografi të engjëll Moronit dhe engjëjve të tjerë që ndihmuan për ta rivendosur ungjillin në kohën tonë (shihni figurat në fund të këtij përvijimi të mësimit). Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të mbajnë me radhë një figurë dhe të tregojnë arsyet pse janë mirënjohës që engjëjt erdhën “që [të] kish[im] ungjillin e përjetshëm”.
-
Zbulesa 12:11.Çfarë mund të nënkuptojë fraza “fjalës së dëshmisë së tyre”? Si na ndihmojnë dëshmitë tona për Jezu Krishtin ne dhe të tjerët që të fitojmë mbi Satanin?
-
Zbuluesa 13:11–14.Ç’mendime kanë pjesëtarët e familjes suaj rreth bishës mashtruese? Si i dallojmë dhe u shmangemi mashtrimeve që i shohim në botë sot?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Do të Jem Guximtar”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 85.