“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta
Studimi i rregullt familjar i shkrimeve të shenjta është një mënyrë e fuqishme për ta ndihmuar familjen tuaj që ta mësojë ungjillin. Sa faqe lexoni dhe për sa kohë e bëni këtë si familje, nuk është aq e rëndësishme sa të qenit të vazhdueshëm në përpjekjet tuaja. Kur e bëni studimin e shkrimeve të shenjta një pjesë të rëndësishme të jetës suaj familjare, ju do t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes suaj që të vijnë më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe t’i ngrenë dëshmitë e tyre mbi themelin e fjalës së Perëndisë.
Merrni parasysh pyetjet që vijojnë:
-
Si mund t’i nxitni pjesëtarët e familjes që t’i studiojnë vetë shkrimet e shenjta?
-
Çfarë mund të bëni për t’i nxitur pjesëtarët e familjes që ta tregojnë atë që po mësojnë?
-
Si mund t’i theksoni parimet që po mësoni në Dhiatën e Vjetër, në çastet e përditshme të mësimdhënies?
Mbani mend se shtëpia është vendi i përsosur për të mësuarit e ungjillit. Ju mund ta mësoni dhe ta jepni mësim ungjillin në shtëpi në mënyra që janë të pamundura në një orë mësimore të Kishës. Jini krijues kur mendoni për mënyrat se si ta ndihmoni familjen tuaj që të mësojë nga shkrimet e shenjta. Merrni parasysh disa nga idetë vijuese që ta përmirësoni studimin tuaj familjar të shkrimeve të shenjta.
Përdorni Muzikë
Këndoni këngë që i përforcojnë parimet e dhëna mësim në shkrimet e shenjta. Një himn apo këngë që sugjerohet për fëmijët, është renditur në secilin përvijim mësimi të çdo jave. Mund t’ju bëni pyetje pjesëtarëve të familjes rreth fjalëve ose frazave në tekstin e këngëve. Përveç të kënduarit, familjarët tuaj mund të kryejnë gjeste që lidhen me këngët, ose t’i dëgjojnë këngët si një sfond muzikor ndërkohë që po bëjnë veprimtari të tjera. Për më shumë ide, shihni “Përfshirja e Muzikës së Shenjtë në të Mësuarit e Ungjillit nga Ana Juaj” në këtë burim.
Tregoni Shkrime të Shenjta Kuptimplota
Jepuni kohë pjesëtarëve të familjes që të lexojnë fragmente të shkrimeve të shenjta të cilat i kanë gjetur kuptimplota gjatë studimit të tyre vetjak.
Përdorni Vetë Fjalët Tuaja
Ftojini pjesëtarët e familjes të përmbledhin me fjalët e tyre atë që mësojnë nga shkrimet e shenjta që studioni.
Zbatojini Shkrimet e Shenjta në Jetën Tuaj
Pas leximit të një fragmenti të shkrimeve të shenjta, kërkojuni pjesëtarëve të familjes që të tregojnë mënyrat se si fragmenti gjen zbatim në jetën e tyre.
Bëni një Pyetje
Ftoni pjesëtarë të familjes që të bëjnë një pyetje nga ungjilli dhe më pas kaloni kohë duke kërkuar vargje që mund të ndihmojnë për t’i dhënë përgjigje pyetjes.
Paraqitni një Shkrim të Shenjtë
Përzgjidhni një varg që e mendoni kuptimplotë, dhe paraqiteni atje ku pjesëtarët e familjes do ta shohin shpesh. Ftoni pjesëtarë të tjerë të familjes që të përzgjedhin me radhë një shkrim të shenjtë për ta paraqitur.
Bëni një Listë të Shkrimeve të Shenjta
Si familje, zgjidhni disa vargje rreth të cilave do të donit të diskutonit gjatë javës së ardhshme.
Mësoni Përmendsh Shkrime të Shenjta
Përzgjidhni një fragment të shkrimeve të shenjta që është domethënës për familjen tuaj, dhe ftojini pjesëtarët e familjes ta mësojnë përmendsh duke e përsëritur çdo ditë ose duke luajtur një lojë për ta mësuar përmendsh.
Jepni Mësime me Sende
Gjeni sende që lidhen me parimet e ungjillit në fragmentet e shkrimeve të shenjta që po i lexoni si familje. Ftoni pjesëtarë të familjes që të flasin rreth mënyrës se si lidhet secili send me mësimet në shkrimet e shenjta.
Zgjidhni një Temë
Lejojini pjesëtarët e familjes që të zgjedhin me radhë një temë të cilën familja do ta studiojë së bashku. Përdorni Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org) për të gjetur fragmente të shkrimeve të shenjta rreth temës.
Vizatoni një Figurë
Lexoni disa vargje si familje dhe më pas lini kohë që pjesëtarët e familjes të vizatojnë diçka që lidhet me atë që lexuat. Kaloni kohë duke diskutuar për vizatimet e njëri‑tjetrit.
Luani me Role një Histori
Pas leximit të një historie, ftojini pjesëtarët e familjes që ta luajnë atë me role. Pastaj, flisni rreth mënyrës se si lidhet historia me gjërat që ju po i përjetoni individualisht dhe si familje.