“Mbledhjet e të Dielës së Katërt”, Eja, Më Ndiq – Për Priftërinë Melkizedeke dhe Shoqatën e Ndihmës (2017)
Mbledhjet e të Dielës së Katërt
Mbledhjet e të Dielës së Katërt
Në të dielën e katërt të çdo muaji, kuorumet, grupet dhe Shoqatat e Ndihmës diskutojnë një temë të përzgjedhur nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Këto tema do të përditësohen me çdo konferencë të përgjithshme. Tema deri në konferencën e përgjithshme të ardhshme do të jetë dita e Shabatit. Udhëheqësit ose mësuesit mund të zgjedhin nga doktrinat dhe veprimtaritë e të mësuarit, të sugjeruara më poshtë, mund të ndërthurin disa prej tyre ose të krijojnë nga vetja sipas nevojave të anëtarëve.
Shabati është një ditë për të kujtuar atë që Perëndia ka bërë për ne.
Gjatë gjithë historisë, Perëndia i ka lidhur disa vepra të fuqishme me Shabatin. Këto vepra të fuqishme përfshijnë Krijimin (shih Zanafilla 2:1–3), eksodin e fëmijëve të Izraelit nga Egjipti (shih Ligji i Përtërirë 5:15) dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit (shih Gjoni 20:1–19; Veprat e Apostujve 20:7). Ftojini anëtarët që t’i shqyrtojnë këto fragmente dhe të diskutojnë se si të kujtuarit e secilës prej këtyre ngjarjeve mund të na ndihmojë ta nderojmë ditën e Shabatit. Cilat janë disa prej veprave të fuqishme që ka bërë Perëndia për ne? Si mund t’i kujtojmë këto gjëra në ditën e Shabatit? Kur gjen zbatim, ftojini anëtarët që të diskutojnë pyetje si këto me familjet e tyre.
Jezu Krishti është Zoti i Shabatit.
Shabati gjithashtu quhet dita e Zotit (shih Zbulesa 1:10). Si mendoni ju, përse Jezu Krishti quhet Zoti i Shabatit? (shih Mateu 12:8). Shqyrtoni së bashku disa vargje që mund të ndihmojnë për t’i frymëzuar anëtarët që të mendojnë për mënyra se si t’i përqendrojnë te Jezu Krishti përvojat e tyre të ditës së Shabatit (për shembull, Helamani 5:12; Ethëri 12:41; Moroni 10:32 dhe DeB 6:36–37). Çfarë vargjesh të tjera mund të japin anëtarët, që mund t’i ndihmojnë për ta bërë Shabatin më të përqendruar te Krishti? Çfarë synimesh mund të vendosim për të na ndihmuar që të përqendrohemi te Shpëtimtari gjatë gjithë ditës së Shabatit?
Jezu Krishti është shembulli ynë i nderimit të Shabatit.
Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari gjeti mundësi për të dhënë mësim rreth ditës së Shabatit. Kërkojuni anëtarëve të lexojnë tregimet vijuese dhe të bëjnë një listë të gjërave që Jezusi i bëri në Shabat dhe të parimeve që Ai i dha mësim: Lluka 6:1–11; 13:11–17; Gjoni 5:1–20; 9:1–16. Çfarë parimesh të tjera rreth Shabatit mësojmë nga vargjet vijuese?Eksodi 20:8–11; 31:12–18; Isaia 58:13–14 dhe DeB 59:9–19. Ftojini anëtarët të tregojnë se çfarë mund të bëjnë për ta ndjekur shembullin e Shpëtimtarin.
Shih edhe Rasëll M. Nelson, “Shabati Është një Kënaqësi”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 129–132.
Shabati është një ditë për të adhuruar.
Shkruajeni fjalën adhuroj në tabelë dhe kërkojuni anëtarëve të klasës që të shkruajnë pranë saj fjalë të tjera që lidhen me të. Më pas bëni tri kolona me fjalët përpara, gjatë dhe pas të shkruara në krye të secilës kolonë. Çfarë mund të bëjmë përpara, gjatë dhe pas kishës që ta adhurojmë Zotin në ditën e Tij të shenjtë? Anëtarët e klasës mund të lexojnë së bashku Mosian 18:17–29 dhe Moronin 6 për ide. Ftojini anëtarët të përsiatin se si qëndrimet dhe veprimet e tyre në ditën e Shabatit po i ndihmojnë që ta adhurojmë Zotin në atë ditë (shih Eksodi 31:16–17). Çfarë mund të bëjmë që t’i ndihmojmë familjet tona dhe anëtarët e lagjeve tona për ta përmirësuar përvojën e adhurimit që e kanë gjatë mbledhjeve të Kishës?
Marrja e sakramentit na lejon ta kemi Shpirtin gjithmonë me ne.
Shkruajeni në tabelë pyetjen vijuese: Si po e ndikon sakramenti jetën tuaj? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ftojini anëtarët që të punojnë në dyshe për të përzgjedhur e diskutuar një frazë nga lutjet e sakramentit te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79 dhe këshillën te Doktrina e Besëlidhje 59:9. Jepini secilës dyshe kohë për t’i gjetur shkrimet e shenjta që i ndihmojnë ta kuptojnë më mirë frazën e tyre dhe të diskutojnë se si do t’i përgjigjeshin pyetjes në tabelë. Gjithashtu mund të ftoni anëtarë të tjerë të klasës që të zgjedhin himne të parapëlqyera të sakramentit dhe t’i këndoni ato së bashku.
Shih edhe Sheril A. Esplin, “Sakramenti – Një Përtëritje për Shpirtin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 12–14.
Shabati është një ditë për t’u shërbyer të tjerëve.
Çfarë mund të mësojmë rreth shërbimit ndaj të tjerëve në Shabat, nga mënyrat se si Shpëtimtari u shërbeu njerëzve përreth Tij dhe i bekoi ata? Nxitini anëtarët të shqyrtojnë e diskutojnë Mateun 9:10–13; Llukën 19:1–9; Gjonin 11:32–46; 13:1–5, 12–17 dhe 3 Nefin 17:5–10. Kërkojuni anëtarëve të mendojnë rreth këtyre shkrimeve të shenjta teksa marrin parasysh se si mund të shërbejnë në Shabat. Për shembull, ata mund t’u shërbejnë pjesëtarëve të familjes, mund të ndihmojnë individët dhe familjet të cilave u japin shërbesë si mësues shtëpie dhe mësuese vizitore, mund të punojnë me historinë familjare, të vizitojnë të sëmurët dhe të shpërndajnë ungjillin. Ndofta anëtarët mund të kenë një këshill familjar që të planifikojnë mënyra se si mund t’u shërbejnë të tjerëve në Shabat.