“29 Nëntor – 5 Dhjetor. Doktrina e Besëlidhje 137–138: ‘Nuk Ka Asnjë Armë që Formohet kundër Jush, që do të Përparojë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“29 Nëntor – 5 Dhjetor. Doktrina e Besëlidhje 137–138”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021
29 Nëntor – 5 Dhjetor
Doktrina e Besëlidhje 137–138
“Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve”
Kërkoni parime në këto zbulesa që duken të rëndësishme për fëmijët të cilëve u jepni mësim. Si mund t’i ndihmoni ata që t’i kuptojnë këto parime?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit në botën e shpirtrave, si ajo që gjendet në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ftojini fëmijët të tregojnë diçka që e dinë rreth botës së shpirtrave.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Perëndia më ka dhënë një mënyrë që të jem me familjen time përgjithmonë.
Në një vegim, Jozef Smithi pa pjesëtarë të familjes së tij që ishin së bashku në mbretërinë çelestiale. Si mund ta përdorni vegimin e tij që t’u mësoni fëmijëve se familjet mund të jenë së bashku përgjithmonë?
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni një fotografi të dikujt në familjen tuaj dhe flisni se sa shumë doni të jeni me të në mbretërinë çelestiale. Shpjegoni se vëllai i Jozef Smithit, Alvini, vdiq kur ishte i ri dhe Jozefin e merrte shumë malli për të. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 137:1, 5 dhe pyetini fëmijët se kë pa Jozef Smithi në vegimin e tij për mbretërinë çelestiale (shih edhe Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 152–153). Ftojini fëmijët që t’i hapin shumë krahët për të treguar se sa shumë i duan familjet e tyre dhe kërkojuni të tregojnë përse duan të jenë me familjet e tyre në mbretërinë çelestiale.
-
Përdorini vargjet te Doktrina e Besëlidhje 137:1–5 dhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave që t’i ndihmoni fëmijët të zbulojnë hollësitë rreth vegimit të Jozef Smithit për mbretërinë çelestiale. Ftojini të vizatojnë një figurë të vetes dhe familjes së tyre në faqen e veprimtarisë ndërkohë që ju luani ose këndoni një këngë rreth familjeve, të tillë si “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 98).
Doktrina e Besëlidhje 138:6–11
Fryma e Shenjtë mund të më ndihmojë t’i kuptoj shkrimet e shenjta.
Shkrimet e shenjta nganjëherë mund të jenë të vështira për t’u kuptuar, veçanërisht për fëmijët. Doktrina e Besëlidhje 138:11 na mëson se Fryma e Shenjtë mund të na i hapë “sytë e të kuptuarit [tonë]”.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni një figurë të Presidentit Jozef F. Smith (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 127). Shpjegoni se ai ishte Presidenti i gjashtë i Kishës dhe një ditë po lexonte shkrimet e shenjta dhe po i përsiaste ato (po mendonte se çfarë domethënie kishin ato). Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 138:6, 11, ftojini fëmijët të bëjnë sikur janë Presidenti Smith dhe të bëjnë veprime që përputhen me fjalët.
-
Tregojuni fëmijëve për një rast kur përsiatët diçka në shkrimet e shenjta dhe Fryma e Shenjtë ju ndihmoi ta kuptonit atë. Këndoni së bashku një këngë rreth studimit të shkrimeve të shenjta, të tillë si “Kërko, Përsiat dhe Lutu” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66). Çfarë thotë kjo këngë se duhet të bëjmë që t’i kuptojmë shkrimet e shenjta?
Doktrina e Besëlidhje 138:18–35
Të gjithë fëmijët e Atit Qiellor do të kenë mundësinë ta dëgjojnë ungjillin.
Pasi Jezu Krishti u kryqëzua, Ai vizitoi shenjtorët e Tij besnikë në botën e shpirtrave. Ai i udhëzoi ata që t’u mësonin ungjillin atyre që nuk e kishin marrë atë.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni një figurë të një varri (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 58, 59 apo Fotografi të Biblës, nr. 14), ose vizatoni në tabelë një figurë të një varri. Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit në botën e shpirtrave, ndërkohë që trupi i Tij ishte në varr (të tillë si ajo që gjendet në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ndërkohë që e bëni këtë gjë, bëni pyetje për t’i ndihmuar fëmijët të vënë re hollësi kyç te Doktrina e Besëlidhje 138:18–19, 23–24, 27–30, të tilla si cilët vizitoi Jezusi, si u ndien ata dhe çfarë u kërkoi Ai të bënin.
-
Paraqitni një figurë të misionarëve (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 109, 110) dhe kërkojuni fëmijëve të tregojnë se çfarë bëjnë misionarët. Ju mund t’i ftoni ata gjithashtu që të interpretojnë me gjeste disa nga gjërat që bëjnë misionarët. Lexojuni fëmijëve te Doktrina e Besëlidhje 138:31–34. Shpjegojuni se, ashtu siç ka misionarë këtu në tokë, ka misionarë edhe në botën e shpirtrave, të cilët u japin mësim njerëzve atje.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Perëndia më ka dhënë një mënyrë që të jem me familjen time përgjithmonë.
Jozef Smithi pati një vegim të mbretërisë çelestiale dhe atje pa prindërit e tij dhe vëllanë e tij, Alvinin. Ky vegim na mëson se, në qoftë se jemi të drejtë, marrëdhëniet tona familjare mund të vazhdojnë në jetën pas kësaj.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 137:1–5 dhe të bëjnë një vizatim të asaj që lexuan (shih edhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Si mund të jetë ndier Jozef Smithi kur pa pjesëtarë të familjes së tij në mbretërinë çelestiale?
-
Shfaqni materialin filmik “Families Can Be Together Forever” [“Familjet Mund të Jenë së Bashku Përgjithmonë”] (ChurchofJesusChrist.org) ose këndoni një këngë rreth familjeve, të tillë si “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 98). Çfarë na mëson materiali filmik ose kënga rreth asaj që mund të bëjmë për t’i bërë familjet tona të përjetshme?
Doktrina e Besëlidhje 138:1–11
Kur unë i përsiat shkrimet e shenjta, Fryma e Shenjtë mund të më ndihmojë t’i kuptoj ato.
Çfarë mund të mësojnë fëmijët nga shembulli i Presidentit Jozef F. Smith, që mund ta përmirësojë mënyrën se si i studiojnë shkrimet e shenjta?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 138:1–11 dhe ndihmojini të shkruajnë një përmbledhje me një fjali për përvojën e Presidentit Jozef F. Smith. Çfarë bëri ai që e çoi drejt vegimit të tij mbresëlënës? Çfarë do të thotë të përsiatim ose të reflektojmë mbi shkrimet e shenjta?
-
Pyetini fëmijët se çfarë bëjnë ata kur kanë pyetje rreth ungjillit. Tregoni disa shembuj nga shkrimet e shenjta ose nga vetë jeta juaj kur përsiatja e shkrimeve të shenjta solli kuptueshmëri nga Shpirti (shih, për shembull 1 Nefi 11:1–6; Doktrina e Besëlidhje 76:19–24; Joseph Smith – Historia 1:11–12).
Doktrina e Besëlidhje 138:12–35
Të gjithë fëmijët e Atit Qiellor do të kenë mundësinë ta dëgjojnë ungjillin.
Presidenti Jozef F. Smith mësoi se puna e predikimit të ungjillit vazhdon në botën e shpirtrave. Kjo punë siguron që çdo njeri do të ketë mundësi ta pranojë ungjillin.
Veprimtari të Mundshme
-
Në tabelë, renditni disa vargje nga seksioni 138. Më pas renditni, në një rend të ndryshëm, thënie që përmbledhin secilin grup të vargjeve. Ftojini fëmijët t’i përputhin thëniet me vargjet e duhura. Vargjet mund të përfshijnë 12–16 (shpirtrat e drejtë mblidhen për të pritur që Jezusi të shfaqet), 18–19 (Shpëtimtari u shfaqet shpirtrave të drejtë), 29–30 (Jezusi cakton lajmëtarë për të predikuar ungjillin), 31–35 (shpirtrat e drejtë predikojnë ungjillin) e kështu me radhë. Pasi fëmijët t’i përputhin, kërkojuni të tregojnë atë që mësuan nga vargjet.
-
Kërkojuni disa prej fëmijëve të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 138:33 për të zbuluar se cilat parime të ungjillit iu dhanë mësim shpirtrave të të vdekurve. Kërkojuni fëmijëve të lexojnë parimet e dhëna mësim te Nenet e Besimit 1:4. Çfarë është e ngjashme dhe çfarë është e ndryshme në këto vargje? Çfarë na mëson kjo rreth Atit Qiellor dhe planit të Tij?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të planifikojnë një kohë gjatë kësaj jave kur do të përsiatin shkrimet e shenjta që po lexojnë.