“13–19 Janar. 1 Nefi 8–10: ‘Ejani dhe Hani Frutin’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“13–19 Janar. 1 Nefi 8–10”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
13–19 Janar
1 Nefi 8–10
“Ejani dhe Hani Frutin”
Përpara se të lexoni idetë në këtë përvijim, lexoni kapitujt te 1 Nefi 8–10 dhe mendoni për sfidat e mundësitë me të cilat po përballen njerëzit të cilëve u jepni mësim. Shënojini mbresat tuaja se te cilat parime nga këta kapituj duhet të përqendroheni në orën mësimore.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Vegimi i Lehit ka shumë zbatime për kohën tonë. Në fillim të orës mësimore ju mund të doni t’i ftoni anëtarët e klasës të japin idetë [që morën] teksa lexuan rreth këtij vegimi. Nxitini të japin vargje të caktuara dhe domethënien që gjetën për jetën e tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën
Kur e përjetojmë dashurinë e Perëndisë, ne dëshirojmë t’i ndihmojmë të tjerët që ta përjetojnë atë.
-
Është e natyrshme t’u flasim për gjëra që i duam njerëzve që i duam, por nganjëherë e kemi të vështirë ta përhapim ungjillin. Një diskutim për vegimin e Lehit mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të gjejnë mundësi për ta përhapur ungjillin. Ju mund t’i jepni një anëtari të klasës një copë frutë dhe t’i kërkoni atij apo asaj që ta bindë pjesën tjetër të klasës që ta hajë këtë frutë rregullisht. Si është ky mësim me send i ngjashëm me përvojën e Lehit te 1 Nefi 8:10–16? Çfarë mësojmë nga përvoja e Lehit që do të na ndihmojë kur e përhapim ungjillin? Si pjesë e këtij diskutimi, ju mund të dëshironi të shfaqni materialin filmik “Good Things to Share” [“Gjëra të Mira për të Shpërndarë”] (ChurchofJesusChrist.org)
-
Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Fruti i pemës përfaqëson bekimet që marrim për shkak të Shlyerjes” (“Ëndrra e Lehit: Duke u Mbajtur me Vendosmëri te Shufra”, Ensign ose Liahona, tetor 2011, f. 34). Merreni parasysh t’i kontaktoni paraprakisht disa anëtarë të klasës dhe t’u kërkoni të reflektojnë mbi vargjet te 1 Nefi 8:11–16 e të mendojnë për pyetje si këto: Si do ta përshkruaja ëmbëlsinë që ka sjellë në jetën time Shlyerja e Jezu Krishtit? Si u kam bërë shenjë të tjerëve që të afrohen për të shijuar ëmbëlsinë e saj? (Shih vargun 15.) Si më kanë ftuar të tjerët që t’i kërkoj bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit? Çfarë frymëzohem të bëj teksa lexoj te 1 Nefi 8:11–16? Ftojini këta anëtarë t’i thonë përgjigjet e tyre gjatë orës mësimore dhe ftojini të gjithë anëtarët e klasës të japin idetë e tyre gjatë diskutimit.
Fjala e Perëndisë na udhëheq për te Shpëtimtari dhe na ndihmon ta ndiejmë dashurinë e Tij.
-
Një mënyrë për ta filluar diskutimin rreth vegimit të Lehit është t’i ftoni disa anëtarë të klasës që të vizatojnë një pasqyrim të vegimit në tabelë, duke përdorur vargjet te 1 Nefi 8:19–38 si udhëzues. Ose mund të paraqitni figurën e vegimit të Lehit nga përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Më pas mund ta ftoni secilin anëtar të klasës që të gjejë vargjet të cilat japin një interpretim të njërit prej simboleve në vizatim ose figurë – këto interpretime mund të gjenden te 1 Nefi 11:4–25, 35–36, 12:16–18 dhe 15:21–33, 36. Ndërkohë që anëtarët e klasës tregojnë atë që gjetën, ftojini të diskutojnë për atë që na mësojnë këto simbole. Për shembull, çfarë na mëson një ndërtesë e gjerë dhe e madhe rreth krenarisë? Çfarë na mëson një shufër hekuri rreth fjalës së Perëndisë? Ata mund të flasin gjithashtu rreth mënyrës se si vegimi i Lehit i ka ndihmuar të vijnë te Krishti. Si e kemi parë veten tonë në vegim?
-
Një mesazh i spikatur në vegimin e Lehit është rëndësia e fjalës së Perëndisë, e simbolizuar nga shufra e hekurt. Që të ndihmoni për ta theksuar atë mesazh, ju mund ta ndani klasën në katër grupe dhe t’i caktoni secilit grup që të mësojë për katër grupe njerëzish që pa Lehi, siç përshkruhen te pjesa “Burime Shtesë” dhe te 1 Nefi 8:21–23, 24–28, 30 dhe 31–33. Më pas lërini anëtarët e klasës të diskutojnë me njëri‑tjetrin për atë që mësuan. Ju gjithashtu mund t’u lini disa minuta kohë anëtarëve të klasës që të përsiatin se çfarë ndihen të nxitur të bëjnë, që të sigurohen se janë “duke u mbajtur vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit” (1 Nefi 8:30).
Perëndia do të na e zbulojë të vërtetën nëse e kërkojmë atë me zell.
-
Mjegullat e errësirës që e errësojnë shtegun tonë dhe zërat tallës nga ndërtesa e gjerë dhe e madhe mund ta vështirësojnë gjetjen e së vërtetës nga ana jonë. Leximi së bashku rreth shembullit të Nefit si kërkues i së vërtetës mund të ndihmojë. Ju mund ta filloni diskutimin duke u kërkuar anëtarëve të klasës që të përcaktojnë disa prej mesazheve pështjelluese që po dërgon bota. Për shembull, për cilat ide si të botës na paralajmërojnë profetët dhe apostujt në konferencën e përgjithshme më të fundit? Merreni parasysh të bëni në tabelë një listë të hapave që ndërmori Nefi për të fituar dëshminë e vet për vërtetësinë e vegimit të atit të tij (shih 1 Nefi 10:17–19; 11:1). Si mund ta ndjekim shembullin e tij kur ne kërkojmë të vërtetën?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që të lexojnë te 1 Nefi 11–15, ftojini të gjejnë se ç’lidhje kanë figurat vijuese me ëndrrën e Lehit: foshnja Jezus, një kryq, nëna e grave të përdala, turma të mbledhura së bashku për të luftuar dhe librat.
Burime Shtesë
Materiale filmike nga Libri i Mormonit.
Merreni parasysh të shfaqni një material filmik që përshkruan ngjarje nga këta kapituj (shih koleksionin Book of Mormon Videos [Materiale Filmike nga Libri i Mormonit] te ChurchofJesusChrist.org ose te programi kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).
Katër grupe njerëzish në ëndrrën e Lehit.
-
Grupi 1.“Te 1 Nefi 8:21–23 ne mësojmë për grupin e parë të njerëzve që u shtynë përpara dhe hynë në shtegun që të çonte drejt pemës së jetës. Sidoqoftë, kur njerëzit hasën mjegullën e errësirës, që përfaqëson ‘tundimet e djallit’ (1 Nefi 12:17), ata e humbën udhën e tyre, nuk e dinin se ku ishin dhe humbën. Vini re se shufra e hekurit nuk përmendet fare në këto vargje. Ata që e shpërfillin ose marrin lehtë fjalën e Perëndisë, nuk do të kenë mundësi ta përdorin atë busull hyjnore që tregon rrugën për te Shpëtimtari.”
-
Grupi 2.“Te 1 Nefi 8:24–28 ne lexojmë për grupin e dytë të njerëzve që hynë në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar, që të çonte për te pema e jetës. Njerëzit e këtij grupi ‘shkuan përpara përmes mjegullës së errësirës, duke u mbajtur fort pas shufrës së hekurit, madje derisa arritën dhe hëngrën nga fruti i pemës’ (vargu 24). Sidoqoftë, ndërsa ata që qëndronin në ndërtesën e gjerë dhe të madhe, të veshur me rroba të shtrenjta, u tallën me këtë grup të dytë njerëzish, ‘ata u turpëruan’ dhe ‘ata u larguan nëpër shtigje të ndaluara dhe humbën’ (vargu 28). … Madje edhe me besim, zotim dhe fjalën e Perëndisë, ky grup në fund humbi – sepse ata lexuan ose studiuan ose i hetuan shkrimet e shenjta vetëm me periudha.”
-
Grupi 3.“Te vargu 30 ne lexojmë për një grup të tretë njerëzish që shkuan përpara ‘duke u mbajtur vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit, derisa arritën dhe ranë dhe hëngrën nga fruti i pemës’. Fraza kyç në këtë varg është duke u mbajtur vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit. Edhe grupi i tretë shkoi përpara me besim e bindje; megjithatë, nuk ka asnjë të dhënë që ata të mos dinin ku ishin, të largoheshin nëpër shtigje të ndaluara apo të humbisnin. Ndofta ky grup i tretë njerëzish i lexoi dhe i studioi e i hetoi shkrimet e shenjta vazhdimisht. … Ky është grupi me të cilin unë dhe ju duhet të rrekemi t’i bashkohemi.”
-
Grupi 4.“Një grup i katërt nuk po shkonte drejt pemës, duke dëshiruar në vend të saj ndërtesën e gjerë e të madhe si vendqëndrimin e tyre përfundimtar (shih 1 Nefi 8:31–33).”
(Dejvid A. Bednar, “Ëndrra e Lehit: Duke u Mbajtur me Vendosmëri te Shufra”, Ensign ose Liahona, tetor 2011, f. 34–36.)