Eja, Më Ndiq
30 Dhjetor – 5 Janar. Faqet e Parathënies së Librit të Mormonit: “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”


“30 Dhjetor – 5 Janar. Faqet e Parathënies së Librit të Mormonit: ‘Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“30 Dhjetor – 5 Janar. Faqet e Parathënies së Librit të Mormonit”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

fletët e arta

30 Dhjetor – 5 Janar

Faqet e Parathënies së Librit të Mormonit

“Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”

Studioni faqen e titullit dhe parathënien e Librit të Mormonit; dëshmitë e Tre Dëshmitarëve, të Tetë Dëshmitarëve dhe të Profetit Jozef Smith; dhe “Një Shpjegim të Shkurtër mbi Librin e Mormonit”. Kur e bëni këtë gjë, kërkojini nxitjet e Frymës së Shenjtë për mënyrën se si mund ta frymëzoni klasën tuaj që të fillojë një studim domethënës të Librit të Mormonit.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Për ta filluar ju mund të ftoni disa njerëz të tregojnë diçka që e kanë mësuar nga faqet e parathënies së Librit të Mormonit, e cila i rriti dëshmitë e tyre për këtë libër të shenjtë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Faqja e titullit të Librit të Mormonit

Libri i Mormonit mund ta forcojë besimin tonë te Jezu Krishti.

  • Leximi i faqes së titullit të Librit të Mormonit, e shkruar nga Moroni, mund t’i përgatitë anëtarët e klasës suaj që ta studiojnë Librin e Mormonit këtë vit. Si mund ta përmirësojë studimin e tyre mesazhi në faqen e titullit? Ndoshta mund të shkruani një ose më shumë pyetje në tabelë – të tilla si Përse e kemi Librin e Mormonit? ose Si është Libri i Mormonit i ndryshëm nga librat e tjerë? – dhe ftojini anëtarët e klasës t’i kërkojnë përgjigjet teksa e shqyrtojnë faqen e titullit individualisht ose në dyshe. Më pas ata mund të tregojnë për mbresat që iu erdhën. Ju gjithashtu mund t’i nxitni anëtarët e klasës të diskutojnë planet e tyre për studimin e Librit të Mormonit këtë vit. Për shembull, çfarë do të kërkojnë? Si do të mësojnë nga Fryma e Shenjtë ndërkohë që studiojnë?

  • Një nga qëllimet më të rëndësishme të Librit të Mormonit thuhet në faqen e titullit të tij: të bindë “Judenj[të] dhe Johebrenj[të] se Jezusi është Krishti”. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të flasin për fragmente nga Libri i Mormonit që e kanë forcuar besimin e tyre te Jezu Krishti (ata gjithashtu mund të lexojnë disa fragmente të renditura te pjesa “Burime Shtesë”). Anëtarët e klasës mund t’i lexojnë disa nga këto vargje me dikë të ulur pranë tyre dhe të tregojnë se si ka ndikuar Libri i Mormonit te dëshmia e tyre për Shpëtimtarin.

Parathënia e Librit të Mormonit

Libri i Mormonit mund të na ndihmojë “t’i afrohe[mi] më shumë Perëndisë”.

  • Parathënia e Librit të Mormonit jep informacion që është i rëndësishëm për t’u kuptuar nga lexuesit. Anëtarët e klasës suaj mund të përfitojnë duke i hedhur një sy të shpejtë parathënies dhe duke përcaktuar tri deri në pesë pika që do të jenë të dobishme për t’ia treguar dikujt që po e lexon Librin e Mormonit për herë të parë. Më pas anëtarët e klasës mund të tregojnë atë që gjejnë. Ata madje mund të duan ta interpretojnë me role se si t’ia paraqitin dikujt Librin e Mormonit. Mund të ndihmojnë edhe materialet filmike të sugjeruara te pjesa “Burime Shtesë”.

  • Disa anëtarë të klasës suaj mund të kenë pasur përvoja që ua pohuan të vërtetën e fjalëve të Jozef Smithit: “Një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të [Librit të Mormonit], se nga ndonjë libër tjetër”. Mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të tregojnë se si të jetuarit e të vërtetave që i kanë mësuar në Librin e Mormonit, i ka ndihmuar t’i afrohen më shumë Perëndisë. Gjithashtu mund t’i ftoni anëtarët e klasës t’u japin përgjigje këtyre tri pyetjeve të sugjeruara nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Së pari, si do të ishte jeta juaj pa Librin e Mormonit? Së dyti, çfarë nuk do të dinit? Dhe së treti, çfarë nuk do të kishit?” (“Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 61).

  • A i lexoi dikush në klasën tuaj fragmentet e Librit të Mormonit që përmbajnë emra të ndryshëm për planin e shpëtimit, siç u sugjerua tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet? Nëse po, ftojini të tregojnë atë që mësuan.

Dëshmia e Tre Dëshmitarëve”; “Dëshmia e Tetë Dëshmitarëve

Ne të gjithë mund të jemi dëshmitarë të Librit të Mormonit.

  • Studimi i dëshmive të Tre dhe Tetë Dëshmitarëve mund t’i forcojë dëshmitë e anëtarëve të klasës suaj dhe mund t’i ndihmojë të përsiatin se si ata mund të japin vetë dëshminë e tyre. Ju mund t’i kërkoni gjysmës së klasës të lexojë “Dëshminë e Tre Dëshmitarëve” dhe gjysmës tjetër të lexojë “Dëshminë e Tetë Dëshmitarëve” dhe të tregojnë mbresa ose hollësi që u bien në sy. Si janë të ndryshme të dy dëshmitë? Si janë të ngjashme? Çfarë mësojmë nga këto dëshmi rreth dhënies së dëshmive tona? Për të filluar një diskutim rreth arsyes përse Tre Dëshmitarët janë të rëndësishëm, ju mund të lexoni thënien e Presidentit Dallin H. Ouks apo dëshminë e Xhon Uitmerit te pjesa “Burime Shtesë”.

Jozef Smithi dhe Tre Dëshmitarët duke u lutur së bashku

Tre Dëshmitarët dhanë dëshmi për Librin e Mormonit.

Dëshmia e Profetit Joseph Smith

Jozef Smithi ishte një mjet në duart e Perëndisë për të nxjerrë në dritë Librin e Mormonit.

  • Anëtarët e klasës tashmë mund të kenë dijeni për ngjarjet e përshkruara te “Dëshmia e Profetit Joseph Smith”, por ndoshta ju mund t’i ndihmoni të gjejnë ide të reja. Për shembull, ju mund t’i ftoni të renditin ngjarje kyç në rrëfimin e Jozef Smithit. Çfarë mund të nxjerrim si përfundim nga përvoja e tij për rëndësinë që Zoti e ka vendosur te Libri i Mormonit?

  • Himni “Një Engjëll që nga Lart” (Himne, nr. 11) tregon për daljen në dritë të Librit të Mormonit. Pasi ta këndojnë ose dëgjojnë këtë himn, anëtarët e klasës mund të gjejnë thënie te “Dëshmia e Profetit Joseph Smith” që përkojnë me fraza në këtë këngë ose i përforcojnë ato.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Që t’i frymëzoni anëtarët e klasës të lexojnë 1 Nefin 1–7, ftojini të kërkojnë ide ose të vërteta që i ndihmojnë me rrethanat e jetës së tyre të tanishme – për shembull, një sfidë familjare ose një thirrje në Kishë.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Fragmente të Librit të Mormonit që dëshmojnë për Jezu Krishtin.

Materiale filmike për Librin e Mormonit te ChurchofJesusChrist.org.

  • “Book of Mormon Introduction” [“Parathënia e Librit të Mormonit”]

  • “What Is the Book of Mormon? A 60-Second Overview” [“Çfarë Është Libri i Mormonit? Një Përshkrim 60‑Sekondash”]

  • “A Book of Mormon Story” [“Një Tregim nga Libri i Mormonit”]

Për më shumë, shihni koleksionin e Materialeve Filmike të Librit të Mormonit te ChurchofJesusChrist.org ose programi kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Rëndësia e Tre Dëshmitarëve.

Presidenti Dallin H. Ouks shpjegoi përse dëshmia e Tre Dëshmitarëve është kaq bindëse:

Dëshmia e Tre Dëshmitarëve për Librin e Mormonit qëndron në krye me forcë të madhe. Secili prej këtyre të treve kishte arsye dhe mundësi të mjaftueshme për të hequr dorë nga dëshmia e vet, nëse do të kishte qenë e rremë, apo për të qenë të paqartë për hollësitë, nëse ndonjëra do të kishte qenë e pasaktë. Siç dihet mirë, për shkak të mosmarrëveshjeve ose xhelozive që përfshinë udhëheqës të tjerë të Kishës, secili prej këtyre tre dëshmitarëve u shkishërua nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme rreth tetë vjet pas botimit të dëshmisë së tyre. Që të tre shkuan në udhët e tyre të veçanta, me asnjë interes të përbashkët që të përkrahnin një përpjekje mashtruese. Prapëseprapë, deri në fund të jetës së tyre – periudha që u shtrinë nga 12 deri në 50 vjet pas shkishërimeve të tyre – asnjëri prej këtyre dëshmitarëve nuk iu shmang dëshmisë së tij të botuar ose nuk tha asgjë që hedh ndonjë dyshim mbi vërtetësinë e saj” (“The Witness: Martin Harris”, Ensign, maj 1999, f. 36).

Dëshmia e Xhon Uitmerit.

Xhon Uitmeri, njëri prej Tetë Dëshmitarëve të Librit të Mormonit, shpalli: “Nuk kam dëgjuar kurrë që ndonjëri prej tre ose tetë dëshmitarëve ta ketë mohuar ndonjëherë dëshminë që e kanë dhënë. … Emrat tanë kanë shkuar te të gjitha kombet, gjuhët dhe popujt si një zbulesë hyjnore nga Perëndia. Dhe ajo do t’i bëjë të ndodhin planet e Perëndisë në përputhje me shpalljen që përmbahet në të” (te Noel B. Reynolds, bot., Book of Mormon Authorship Revisited: The Evidence for Ancient Origins [1997], f. 55–56).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Kërkoni frymëzimin tuaj vetjak. Në vend që t’i shihni këto përvijime si udhëzime që duhet t’i ndiqni, përdorini ato që të merrni ide ose për t’i dhënë shkëndijë frymëzimit tuaj vetjak ndërsa përsiatni nevojat e atyre të cilëve u jepni mësim.