Eja, Më Ndiq
7–13 Dhjetor. Moroni 7–9: “Krishti të Mund të të Ngrejë”


“7–13 Dhjetor. Moroni 7–9: ‘Krishti të Mund të të Ngrejë’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“7–13 Dhjetor. Moroni 7–9”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

Moroni duke shkruar mbi fletë të arta

Minerva Teichert (1888–1976), Moroni: Nefiti i Fundit, 1949–1951, vaj në dru të presuar, 89 x 120 centimetra. Muzeu i Artit i Universitetit “Brigam Jang”, 1969

7–13 Dhjetor

Moroni 7–9

“Krishti të Mund të të Ngrejë”

Qëllimi juaj është që t’i ndihmoni njerëzit të vijnë më pranë Perëndisë, jo thjesht të paraqitni një mësim. Përgatituni për Shkollën e së Dielës duke lexuar Moronin 7–9 me anëtarët e klasës në mendje, duke kërkuar parime që do t’i ndihmojnë ata.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojeni secilin anëtar të klasës të shqyrtojë Moronin kapitullin 7, 8, ose 9 dhe të gjejë një të vërtetë që ka domethënie për të. Më pas anëtarët e klasës mund të tregojnë të vërtetën që gjetën dhe se si i ka bekuar ata.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Moroni 7:3–19

“Ajo që është e Perëndisë fton dhe nxit për të bërë mirë përherë.”

  • Me qëllim që të jemi dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet të jemi në gjendje të gjykojmë midis së mirës dhe së keqes. Ndoshta diskutimi rreth të vërtetave te Moroni 7:3–19 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës ta shmangin të gjykuarit “gabim” (Moroni 7:18). Për t’u përgatitur për diskutimin, gjysma e klasës mund të kërkojë te këto vargje këshillën që jep Mormoni mbi mënyrën se si ta përcaktojmë atë që vjen nga Perëndia dhe gjysma tjetër mund të kërkojë se si ta përcaktojmë atë që vjen nga djalli. Më pas ata mund të diskutojnë mbi atë që gjetën dhe të tregojnë shembuj të gjërave që i ftojnë ata për “të bërë mirë dhe për t[a] dashur Perëndinë dhe për t’i shërbyer atij” (Moroni 7:13). Si e zbatojmë këshillën e Mormonit në vendimet tona të përditshme? Si mund të bëjmë zgjedhje të drejta dhe prapëseprapë të tregojmë dashuri për njerëzit përreth nesh që nuk e jetojnë ungjillin?

  • Shumë njerëz pyesin veten: “Si mund ta di nëse një nxitje që kam, vjen nga Perëndia apo nga vetë mendimet e mia?” Ju mund ta shkruani këtë pyetje në tabelë dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të kërkojnë te Moroni 7:13–16 për parime që mund të ndihmojnë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Si mund të na ndihmojnë këto vargje për ta dalluar frymëzimin hyjnor? Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se “Shpirti i Krishtit”, i njohur edhe si drita e Krishtit, ndonjëherë përmendet si ndërgjegjja jonë. Thënia nga Presidenti Gordon B. Hinkli te “Burimet Shtesë” mund të ndihmojë.

Moroni 7:21–48

Pasuesit e Jezu Krishtit kërkojnë besim, shpresë dhe dashuri hyjnore.

  • Për ta ndihmuar klasën tuaj që t’i kuptojë më mirë lidhjet midis besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore, ju mund të tregoni një stol me tri këmbë (ose një figurë të tij) dhe t’u kërkoni anëtarëve të klasës të marrin në shqyrtim mënyrën se si besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore janë si këto tri këmbë (shih thënien e Presidentit Diter F. Uhtdorf te “Burimet Shtesë”). Më pas ju mund t’i ftoni ata që të zgjedhin njërën prej këtyre cilësive dhe të kërkojnë atë që na mëson Mormoni rreth asaj cilësie te Moroni 7:21–48. Diskutoni rreth pyetjeve si ato që vijojnë: Pse na nevojitet besim dhe shpresë për të marrë dhuratën e dashurisë hyjnore? Si na lidh secila prej këtyre cilësive me Jezu Krishtin? Pse këto cilësi janë thelbësore për një dishepull të Jezu Krishtit? Çfarë do të na ndodhte nëse do të humbnim besimin? Po shpresën? Po dashurinë hyjnore? Ftojini anëtarët e klasës të gjejnë disa çaste për të shkruar mbresat që kanë pasur.

Moroni 8:4–21

Të kuptuarit e doktrinës së saktë mund të na ndihmojë të bëjmë zgjedhje të sakta.

  • Klasa juaj mund të mos ketë nevojë të diskutojë përse është e gabuar të pagëzohen fëmijët e vegjël, por fjalët e Mormonit mbi këtë temë mund t’i ndihmojnë ata të kuptojnë rreziqet e doktrinës së rreme në përgjithësi. Për ta ilustruar mënyrën se si Libri i Mormonit “ngatërr[on] doktrina[t e] rreme” (2 Nefi 3:12), ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të lexojnë te Moroni 8:4–21 në grupe ose individualisht. Gjysma prej tyre mund të kërkojë doktrinën që Mormoni mendonte se njerëzit nuk e kuptonin, përfshirë Shlyerjen e Jezu Krishtit (shih vargu 20) dhe përgjegjshmërinë (shih vargu 10). Gjysma tjetër mund të kërkojë pasojat e gabimit të njerëzve. Secili grup mund t’i tregojë klasës atë që gjeti. Çfarë na mësojnë këto vargje për rëndësinë e të mësuarit dhe të jetuarit sipas doktrinës së saktë? Ku mund të gjejmë shpjegime të sakta për doktrinën e Krishtit? Si mund të sigurohemi që kuptimi ynë për doktrinën është i saktë?

  • Ndoshta klasa juaj do të përfitonte nga ndjekja e shembullit të Mormonit për ta ndihmuar dikë që të bëjë zgjedhje më të mira, duke u mësuar atyre doktrinën e saktë. Ju mund ta bëni këtë duke i ftuar anëtarët e klasës që të mendojnë për dikë nga shkrimet e shenjta që bëri një zgjedhje të gabuar. Cila e vërtetë doktrinore do ta ndihmonte atë person ta shmangte bërjen e asaj zgjedhjeje të gabuar sërish? Jepuni anëtarëve të klasës disa minuta kohë për të gjetur shkrime të shenjta ose thënie nga një konferencë e përgjithshme e fundit që do ta ndihmonte personin ta kuptonte të vërtetën doktrinore. Më pas kërkojuni anëtarëve të klasës të tregojnë atë që gjetën.

Moroni 9:25–26

Ne mund të kemi shpresë në Krishtin, pavarësisht nga rrethanat tona.

  • Mesazhi i fundit, i shënuar nga Mormoni, drejtuar birit të tij te Moroni 9:25–26, mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të gjejnë shpresë te Krishti, madje edhe në situata në dukje të pashpresa. Ndoshta ju mund të filloni duke u kërkuar anëtarëve të klasës të tregojnë arsyet përse Moroni mund të jetë ndier i shkurajuar. Më pas ata mund t’i lexojnë këto vargje dhe të renditin në tabelë të vërtetat tek të cilat Mormoni e nxiti Moronin të përqendrohej. Si mund të na “ngre[n]ë” po këto të vërteta në kohën tonë? Anëtarët e klasës mund të tregojnë gjithashtu shembuj të “mëshir[ës] dhe durimi[t]” të Perëndisë që ata kanë dëshmuar. Ose ata mund të japin ide për ta ndihmuar njëri‑tjetrin që ta mbajmë Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij “në mendjen [tonë] përherë”, edhe kur përballemi me shkurajim (vargu 25).

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Për t’i nxitur anëtarët e klasës që ta lexojnë Moronin 10, ju mund të sugjeroni se kjo mund të jetë një kohë ideale për të reflektuar mbi mënyrën se si ata kanë përjetuar një dëshmi të ripërtërirë të vërtetësisë së Librit të Mormonit teksa e kanë studiuar atë libër këtë vit.

ikona e burimeve

Burimet Shtesë

A vjen ajo nga Shpirti?

Për t’iu përgjigjur pyetjes “Si i dallojmë nxitjet e Shpirtit?” Presidenti Gordon B. Hinkli citoi Moronin 7:13 dhe tha: “Nuk mendoj se është shumë e vështirë, vërtet. … A e shtyn ajo dikë të bëjë mirë, të ngrihet shpirtërisht, të tregojë vetëbesim, të bëjë atë që është e drejtë, të jetë i dashur, të jetë bujar? Atëherë ajo vjen nga Shpirti i Perëndisë” (Teachings of Gordon B. Hinckley [1997], f. 260–261).

Besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore.

Presidenti Diter F. Uhtdorf i krahasoi besimin, shpresën dhe dashurinë hyjnore me një stol me tre këmbë, duke shpjeguar se këto tri virtyte “e bëjnë të qëndrueshme jetën tonë, pavarësisht nga sipërfaqet e ashpra ose jo të sheshta që mund të ndeshim. …

Besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore plotësojnë njëra‑tjetrën dhe, ndërsa njëra rritet, të tjerat rriten gjithashtu. Shpresa vjen nga besimi, sepse pa besim nuk ka shpresë. Po kështu, besimi vjen nga shpresa, sepse besimi është ‘siguria e gjërave që shpresohen’.

Shpresa është vendimtare për të dyja, besimin dhe dashurinë hyjnore. Kur mosbindja, zhgënjimi dhe zvarritja gërryejnë besimin, shpresa është atje për ta mbajtur besimin tonë. Kur mërzitja dhe padurimi sfidojnë dashurinë hyjnore, shpresa mban vendosmërinë tonë dhe na nxit të kujdesemi për njerëzit e tjerë, madje edhe pa pritur shpërblim. Sa më e shkëlqyer shpresa jonë, aq më i madh besimi ynë. Sa më e fortë shpresa jonë, aq më e pastër dashuria jonë hyjnore” (“Forca e Pafundme e Shpresës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 21, 23–24).

“Dashuria e pastër e Krishtit.”

Plaku Xhefri R. Holland sugjeroi dy kuptime të mundshme për frazën “dashuria e pastër e Krishtit”:

“Njëri … është lloji i dashurisë së mëshirshme, falëse që dishepujt e Krishtit duhet ta kenë për njëri‑tjetrin. …

[Një kuptim tjetër është] dashuria e pashtershme, absolute dhe shlyese e Krishtit për ne. … Është ajo dashuri hyjnore – dashuria e tij e kulluar për ne – pa të cilën nuk do të ishim asgjë” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 336).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojeni rininë të zhvillojë mbështetje shpirtërore te vetja. “Teksa u jepni mësim, në vend që thjesht të jepni informacion, ndihmoj[i]ni [anëtarët e klasës] që të zbuloj[n]ë vetë të vërtetat [e ungjillit]. … Kur kanë pyetje, nganjëherë është më mirë t’u mësoni atyre se si t’i gjejnë përgjigjet vetë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 28). Për shembull, ju mund t’i drejtoni anëtarët tek Udhëzuesi për Shkrimet e ShenjtaChurchofJesusChrist.org, e cila përmban informacione të dobishme mbi një mori temash.