“14–20 Dhjetor. Moroni 10: ‘Ejani te Krishti dhe Përsosuni në Të’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“14–20 Dhjetor. Moroni 10”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
14–20 Dhjetor
Moroni 10
“Ejani te Krishti dhe Përsosuni në Të”
Anëtarët e klasës suaj mund të kenë pasur përvoja domethënëse duke lexuar Librin e Mormonit këtë vit. Mbështetuni te këto përvoja për ta nxitur çdo njeri në klasë që t’i studiojë shkrimet e shenjta.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të përfytyrojnë sikur Moroni po viziton klasën. Çfarë do t’i thoshin atij për atë që ai shkroi te Moroni 10? A ka ndonjë varg që është veçanërisht domethënës për ta? Ndoshta ata mund të tregojnë përvojat që kanë pasur me këto vargje.
Jepeni Mësim Doktrinën
Unë mund ta di të vërtetën nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.
-
Anëtarët e klasës mund të fitojnë njohuri të reja nëse i studiojnë me kujdes vargjet te Moroni 10:3–5. Për t’i ndihmuar ata, ju mund të shkruani në fletë të veçanta letre fraza të rëndësishme nga këto vargje dhe t’i jepni një fletë secilit anëtar të klasës ose një grupi me anëtarë të klasës. Ftojini ata të përsiatin ose të diskutojnë se çfarë nënkupton fraza e tyre, përfshirë se çfarë mund të bëjnë për ta zbatuar atë në jetën e tyre. Më pas ju mund të lexoni së bashku te Moroni 10:3–5, duke u ndalur kur arrini te një frazë që dikush e studioi, në mënyrë që anëtari/ja i/e klasës të thotë mendimet e tij ose të saj.
-
Për t’i nxitur anëtarët e klasës që t’i tregojnë përvojat që kanë pasur me të vepruarit sipas ftesës së Moronit në këto vargje, ju mund t’i ftoni ata të përfytyrojnë sikur po përpiqen ta nxitin një mik ose një pjesëtar të familjes të marrë një dëshmi për Librin e Mormonit. Si mund t’i përdorin vargjet te Moroni 10:3–7? Çfarë përvojash mund të tregojnë? Si mund t’i ndihmojmë të tjerët të kuptojnë se çfarë do të thotë ta dish diçka “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”? (Moroni 10:5.)
“Mos [i] mohoni dhuratat e Perëndisë.”
-
Përse këshilla për të “mos [i] moh[uar] dhuratat e Perëndisë” është veçanërisht e rëndësishme në këto ditë të mëvonshme? (Moroni 10:8.) Nxitini anëtarët e klasës ta përsiatin këtë pyetje ndërsa lexojnë te Moroni 10:8–18. Për të ndihmuar në forcimin e besimit të anëtarëve të klasës për dhuratat shpirtërore, ju mund t’i ftoni ata të tregojnë shembuj të njerëzve që e përdorin secilën dhuratë që renditet te Moroni 10:9–16. Shembujt mund të vijnë nga shkrimet e shenjta, nga historia e Kishës ose nga vetë jeta e tyre. (Të “Burimet Shtesë” sugjerohen shembuj nga Libri i Mormonit.) Ju gjithashtu mund të diskutoni se si u shfaqën disa nga dhuratat e përshkruara në këto vargje gjatë daljes në dritë të Librit të Mormonit. Pse është e rëndësishme për dikë që po kërkon një dëshmi për Librin e Mormonit të besojë te dhuratat shpirtërore? Çfarë bëjmë ne ndonjëherë për t’i “moh[uar]” këto dhurata në jetën tonë? Si na ndihmojnë këto dhurata të “[vijmë] te Krishti dhe [të] përsos[emi] në të”? (Shih Moroni 10:30–33.)
-
Një mënyrë tjetër për të hulumtuar dhuratat shpirtërore të përshkruara në këto vargje është të shkruani në tabelë pyetje si këto: Çfarë janë dhuratat shpirtërore? Kujt i jepen ato? Përse jepen ato? dhe Si i marrim ato? Pastaj ftojini anëtarët e klasës ta shqyrtojnë Moronin 10:8–25 për të gjetur përgjigje. (Thëniet nga Presidenti Brigam Jang dhe Presidenti Dallin H. Ouks te pjesa “Burimet Shtesë” mund të ndihmojnë gjithashtu.) Përveç dhuratave shpirtërore të renditura te vargjet 9–16, çfarë “dhurata[sh të tjera të] Perëndisë” kemi marrë apo prej cilave jemi bekuar? (Moroni 10:8.) Ju mund të doni të tregoni atë që dha mësim Plaku Brus R. Mek‑Konki: “Dhuratat shpirtërore janë të pambarueshme në numër dhe të pafundme në larmi. Ato që janë renditur në fjalën e zbuluar, janë thjesht ilustrime të derdhjes së pakufishme të hirit hyjnor, që një Perëndi i hirshëm ua jep atyre që e duan atë dhe i shërbejnë atij” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 371).
Unë mund të përsosem nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit.
-
Çfarë mendoni se do t’i ndihmonte anëtarët e klasës suaj ta pranonin ftesën e Moronit për të “[ardhur] te Krishti dhe [për t’u] përsosu[r] në të”? (Moroni 10:32). Ndoshta të filluarit me një himn mbi këtë temë, të tillë si “Eja, më Ndiq” (Himne, nr. 60), mund ta ftojë Shpirtin në diskutimin tuaj dhe anëtarët e klasës mund të flasin për çfarëdo lidhje që shohin midis himnit dhe të vërtetave që gjenden te Moroni 10:30–33. Çfarë mësojmë nga këto vargje dhe ky himn rreth asaj se çfarë do të thotë të vijmë te Krishti? Çfarë do të thotë të jesh “[i] përsosur në Krisht[in]”? (Shih edhe DeB 76:50–53, 69.) Shprehni ndjenjat tuaja rreth asaj se çfarë do të thotë “të bë[hemi] të përsosur nëpërmjet Jezusit” (DeB 76:69) dhe nxitini anëtarët e klasës që të shprehin ndjenjat e tyre.
-
Meqë ky është diskutimi i fundit i klasës suaj për Librin e Mormonit këtë vit, ju mund të doni t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të thonë diçka nga ajo që kanë ndier dhe mësuar teksa e studiuan këtë libër. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta bëjnë këtë, ju mund të lexoni së bashku te Moroni 10:32–33 dhe t’u kërkoni anëtarëve të klasës të shpenzojnë disa minuta kohë duke përsiatur mbi mënyrën se si i ka ndihmuar ata Libri i Mormonit të vijnë te Krishti. Ju mund të pyesni: Si na ka ndihmuar Libri i Mormonit të kemi dashuri më të madhe për Perëndinë? Si na ka ndihmuar ai të mbështetemi më plotësisht te hiri i Krishtit? Si na ka ndihmuar ai të mos e “moho[jmë]” fuqinë e Shpëtimtarit? Ftojini anëtarët e klasës që të japin dëshmitë e tyre për Librin e Mormonit dhe që ai është një dëshmi për Jezu Krishtin.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta presin me padurim studimin e librit Doktrina e Besëlidhje vitin e ardhshëm, ju mund ta shqyrtoni Moronin 10:9–16 dhe të shpjegoni se këto dhurata janë të gjitha të dukshme sot në Kishë. Ndërsa lexojmë Doktrinën e Besëlidhjet, ne do të shohim se si janë përdorur dhuratat dhe fuqia e Perëndisë për të bërë punën e Tij në ditët e mëvonshme.
Burimet Shtesë
Shfaqjet e dhuratave shpirtërore në Librin e Mormonit.
-
Mësimdhënia me anë të Shpirtit: Nefi dhe Lehi (Helamani 5:17–19)
-
Besim jashtëzakonisht i madh: Alma, Amuleku, Amoni dhe të tjerë (Ethëri 12:13–22)
-
Shërimi: Alma (Alma 15:5–11)
-
Mrekulli të fuqishme: Tre dishepujt (3 Nefi 28:19–22)
-
Profecia: Lehi (2 Nefi 1:6–7)
-
Të parit e engjëjve: Amuleku (Alma 10:7–10)
-
Interpretimi i gjuhëve: Mosia (Mosia 28:11–16)
Dëshmia e Presidentit Brigam Jang mbi dhuratat shpirtërore.
“Besimi. Kur ju i besoni parimet e Ungjillit dhe fitoni besim, që është një dhuratë e Perëndisë, ai e shton më shumë besimin, duke i shtuar besim besimit. …
Dhurata e Shërimit. Jam këtu që të dëshmoj për qindra raste burrash, grash dhe fëmijësh, të cilët u shëruan nga fuqia e Perëndisë, nëpërmjet vendosjes së duarve, dhe i kam parë shumë njerëz të ngrihen nga portat e vdekjes dhe të sillen përsëri nga pragu i përjetësisë; dhe disa njerëz, shpirtrat e të cilëve ishin larguar tashmë nga trupat e tyre, u kthyen përsëri. Unë dëshmoj se i kam parë të sëmurët të shërohen nga vendosja e duarve, sipas premtimit të Shpëtimtarit. …
Profeci, Zbulesë dhe Njohuri. Çdo burrë e grua mund të marrë zbulesë dhe të ketë dëshminë për Jezusin, që është shpirti i profecisë, dhe ta parashikojë mendjen dhe vullnetin e Perëndisë lidhur me ta, t’i rrijë larg së keqes dhe të zgjedhë atë që është e mirë” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 252–253).
“Merrni çdo dhuratë të mirë.”
Presidenti Dallin H. Ouks tregoi se si kërkimi i dhuratave shpirtërore e bekoi nënën e tij: “Pasi e humbi bashkëshortin e saj, nëna ime e ve ndiente boshllëk. Sa shumë u lut ajo për atë çfarë i nevojitej që të përmbushte përgjegjësinë e vet për të rritur tre fëmijët e saj të vegjël! Ajo po kërkonte, ajo ishte e denjë dhe ajo u bekua! Lutjet e saj morën përgjigje në shumë mënyra, përfshirë marrjen e dhuratave shpirtërore. Ajo kishte shumë, por ato që mbeten në kujtesën time janë dhuratat e besimit, dëshmisë e urtësisë” (“Spiritual Gifts”, Ensign, shtator 1986, f. 72).