“21–27 Dhjetor. Krishtlindja: Ai ‘Do të Vijë në Këtë Botë për të Shëlbuar Popullin e Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“21–27 Dhjetor. Krishtlindja”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020
21–27 Dhjetor
Krishtlindja
Ai “Do të Vijë në Këtë Botë për të Shëlbuar Popullin e Tij”
Ndërsa e studioni lindjen e Jezu Krishtit këtë javë, merrni në shqyrtim mënyrën se si mund ta ndihmoni klasën tuaj që ta forcojnë dëshminë e tyre për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij. Disa nga idetë në këtë përvijim mund të ndihmojnë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini anëtarët e klasës të formojnë dyshe ose grupe të vogla dhe të tregojnë se si të mësuarit për Jezu Krishtin nga Libri i Mormonit këtë vit e ka forcuar besimin e tyre tek Ai dhe mësimet e Tij.
Jepeni Mësim Doktrinën
1 Nefi 11:13–23; Helamani 14:1–13; 3 Nefi 1:4–22
Jezu Krishti u lind që të ishte Shpëtimtari ynë.
-
Si mund ta përdorni Librin e Mormonit për t’u mësuar anëtarëve të klasës rreth ngjarjes së shenjtë të lindjes së Shpëtimtarit? Një mënyrë është ta ndani klasën në tri grupe dhe t’i jepni secilit grup një nga fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta për ta lexuar së bashku: 1 Nefi 11:13–23; Helamani 14:1–13 dhe 3 Nefi 1:4–22. Kërkojuni grupeve të diskutojnë për atë se çfarë u mësojnë këto shkrime të shenjta rreth lindjes së Shpëtimtarit. Pastaj secili grup mund t’i tregojë pjesës tjetër të klasës atë që diskutuan. Përse është me vlerë që të kemi dëshminë e Librit të Mormonit për lindjen e Shpëtimtarit?
-
Të dimë për lindjen e Krishtit është e rëndësishme, por të dimë përse Ai u lind është jetike. Si mund t’i ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim që të përsiatin për fuqinë shëlbuese të Jezu Krishtit? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë disa nga historitë dhe fragmentet që studiuan këtë javë (shih përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Nxitini ata të tregojnë mënyrën se si gjërat që studiuan, e thelluan vlerësimin e tyre për lindjen e Shpëtimtarit dhe për fuqinë e Tij shëlbuese.
-
Për të filluar një diskutim rreth dhuratave që Perëndia na ka dhënë nëpërmjet Birit të Tij, ju mund t’i ftoni disa anëtarë të klasës që të flasin për dhuratat e veçanta që kanë marrë për Krishtlindje. Si e tregojmë ne mirënjohjen për dhuratat që marrim? Më pas anëtarët e klasës mund të lexojnë citimin nga Presidenti Tomas S. Monson që gjendet te “Burimet Shtesë” dhe të diskutojnë për katër dhuratat që përmendi Presidenti Monson. Çfarë roli luan Shpëtimtari në këto dhurata? Si mund t’ia tregojmë mirënjohjen tonë Atit Qiellor për këto dhurata?
-
Si pjesë e diskutimit tuaj për Krishtlindjet, merreni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të luajnë ose të këndojnë himne për Krishtlindje. Ju gjithashtu mund të hulumtoni disa prej burimeve të renditura te “Burimet Shtesë”.
Faqja e titullit të Librit të Mormonit; parathënia e Librit të Mormonit; 2 Nefi 25:23, 26; 33:4, 10
Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin.
-
Teksa studimit tuaj të Librit të Mormonit në Shkollën e së Dielës po i afrohet fundit, ju mund të doni t’u jepni anëtarëve të klasës një mundësi për të reflektuar mbi atë që kanë mësuar rreth Jezu Krishtit në Librin e Mormonit këtë vit. Për të ndihmuar që të filloni një diskutim, ju mund të lexoni së bashku te 2 Nefi 25:23, 26 dhe 33:4, 10, si edhe pjesë të shkëputura nga parathënia e Librit të Mormonit dhe faqja e titullit. Ju gjithashtu mund të tregoni një histori ose fragment që ju ka sjellë më pranë Jezu Krishtit dhe më pas jepuni anëtarëve të klasës disa minuta kohë për të treguar vetë historitë ose fragmentet e tyre. Jepni dëshminë tuaj për Librin e Mormonit dhe ftojini anëtarët e tjerë të klasës të bëjnë të njëjtën gjë.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që të fillojnë leximin e Doktrinës dhe Besëlidhjeve, ju mund të tregoni një varg të parapëlqyer ose një përvojë frymëzuese që e keni pasur me studimin e Doktrinës dhe Besëlidhjeve.
Burimet Shtesë
Burime për Krishtlindjen.
-
Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 28, 29, 30, 31, 81
-
Figura në përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet
-
“Një Shpëtimtar Ka Lindur – Video për Krishtlindjen” (material filmik, ChurchofJesusChrist.org)
2:3 -
Takimet Shpirtërore për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë (ChurchofJesusChrist.org/broadcasts/first‑presidency‑christmas‑devotionals)
Dhuratat e Shpëtimtarit.
Presidenti Tomas S. Monson dha mësim:
“Unë reflektoj mbi kontrastet e Krishtlindjes. Dhuratat shumë të shtrenjta, të paketuara në mënyrë të kushtueshme dhe të mbështjella në mënyrë profesionale, e arrijnë kulmin e tyre në katalogët e famshëm tregtarë që mbajnë titullin ‘Për personin që ka gjithçka’. Në një artikull të tillë pashë një shtëpi treqind e shtatëdhjetë metra katrorë të mbështjellë me një fjongo gjigante dhe një kartë përshëndetëse të ngjashme që thoshte: ‘Gëzuar Krishtlindjet’. Artikuj të tjerë përfshinin shkopinj golfi me diamante tek pjesa e kokës për lojtarin e golfit, një udhëtim me anije turistike në detin e Karaibeve për udhëtarin dhe një udhëtim luksoz në alpet zvicerane për aventurierin. Gjëra të tilla dukeshin se përshtateshin me temën e një filmi vizatimor për Krishtlindje që tregonte për tre Dijetarë që udhëtuan për në Bethlehem me kuti dhuratash mbi devetë e tyre. Njëri thotë: ‘Mbaji mend fjalët e mia, Balthazar, ne po fillojmë diçka me këto dhurata që do të dalë jashtë kontrollit tonë!’ …
Për disa çaste, le t’i lëmë mënjanë katalogët e Krishtlindjes, me dhuratat e tyre me përshkrime ekzotike. Le të largohemi edhe nga lulet për nënën, kravata e veçantë për babanë, kukulla e bukur, treni që fishkëllen, biçikleta e shumëpritur … dhe t’i drejtojmë mendimet tona tek ato dhurata që janë dhënë nga Perëndia të cilat zgjatin. Nga një listë e gjatë kam zgjedhur vetëm katër: …
Së pari, dhurata e lindjes. Ajo është dhuruar në mënyrë universale për secilin prej nesh. I yni ishte privilegji hyjnor që të largoheshim nga shtëpia jonë qiellore për të banuar në mish dhe për të treguar nëpërmjet jetës sonë denjësinë dhe kualifikimin që një ditë të kthehemi tek Ai, te njerëzit tanë të dashur e të shtrenjtë dhe te një mbretëri e quajtur çelestiale. … E jona është përgjegjësia për ta treguar mirënjohjen tonë nëpërmjet veprave të jetës sonë. …
Së dyti, dhurata e paqes. Në botën e ashpër në të cilën jetojmë, poterja e trafikut, reklamat shpërqendruese të mediave dhe kërkesat e shumta të kohës sonë – pa përmendur problemet e botës – shkaktojnë dhimbje koke, sjellin dhembje dhe i presin fuqitë tona për t’u bërë ballë. …
Ai që mori mbi vete barrën e dhembjeve dhe u njoh me hidhërimin, i flet çdo zemre të trazuar dhe i jep dhuratën e paqes. ‘Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë’ (Gjoni 14:27). …
Së treti, dhurata e dashurisë. ‘Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?’, pyeti mësuesi i ligjit që i foli Jezusit. Shpejt erdhi përgjigja: ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde’.
Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.
Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’ (Mateu 22:36–39). …
Së katërti, dhurata e jetës – madje pavdekësia. Plani i Atit tonë Qiellor përmban shprehjet absolute të dashurisë së vërtetë. Gjithçka që është e shtrenjtë për ne, madje familjet tona, miqtë tanë, gëzimi ynë, njohuria jonë, dëshmitë tona, do të zhdukeshin po të mos ishte për Atin tonë dhe Birin e Tij, Zotin Jezu Krisht. Ndër mendimet dhe shkrimet më të dashura në këtë botë është deklarata hyjnore e së vërtetës: ‘Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme’ (Gjoni 3:16)” (“Gifts”, Ensign, maj 1993, f. 59–62).