“12–18 Prill. Doktrina e Besëlidhje 37–40: ‘Nëse Nuk Jeni Një, Nuk Jeni të Mitë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“12–18 Prill. Doktrina e Besëlidhje 37–40”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
12–18 Prill
Doktrina e Besëlidhje 37–40
“Nëse Nuk Jeni Një, Nuk Jeni të Mitë”
Përpara se të planifikoni se çfarë do të bëni në orën mësimore, me lutje studioni seksionet te Doktrina e Besëlidhje 37–40. Ka më shumë të ngjarë të merrni udhërrëfim shpirtëror gjatë përgatitjes tuaj për të dhënë mësim nëse fillimisht keni përvoja vetjake domethënëse me këto shkrime të shenjta.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Merrni parasysh të shkruani në tabelë: Ndërsa lexoja te Doktrina e Besëlidhje 37–40, ndjeva se Zoti po më thoshte . Anëtarët e klasës mund të thonë se si do ta plotësonin fjalinë. Nxitini të japin vargje nga leximi i tyre si pjesë e përgjigjeve të tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën
Perëndia na mbledh që të na bekojë.
-
Nganjëherë është më e lehtë të mësojmë nga zbulesat te Doktrina e Besëlidhje kur e mendojmë veten në vendin e njerëzve të cilëve ato iu dhanë fillimisht. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta bëjnë këtë gjë me seksionet 37–38, ju mund t’i ftoni të përfytyrojnë sikur po jetojnë në Fajet të Nju‑Jorkut në vitin 1831. Një anëtar i klasës mund të bëjë sikur është Jozef Smithi dhe po u lexon atyre seksionin 37. Si mund të kishim reaguar ndaj këtij urdhërimi? Ndoshta anëtarët e klasës mund të përfytyrojnë se kanë një mik që nuk dëshiron të mblidhet në Ohajo; ata mund të lexojnë seksionin 38 duke kërkuar parime që mund ta nxitin mikun e tyre të jetë besnik ndaj urdhrit për t’u mbledhur. (Nëse është e nevojshme, ju mund t’i drejtoni ata pikërisht te vargjet 1–4, 11–12, 17–22 dhe 27–33.) Anëtarët e klasës mund të jenë gjithashtu të gatshëm të tregojnë se si parime të ngjashme i kanë ndihmuar kur kishin nevojë t’i bindeshin një urdhërimi që dukej i vështirë.
-
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk urdhërohen më që të mblidhen së bashku duke u shpërngulur në një vend, por ne akoma mblidhemi në familje, lagje dhe kunje. Për të diskutuar se si kjo mbledhje na bekon ne sot, ju mund ta ndani klasën në dy grupe. Vëreni njërin grup të shikojë te Doktrina e Besëlidhje 38:31–33 dhe të kërkojë bekimet që gjejnë zbatim për mbledhjen si familje, dhe vëreni grupin tjetër të shikojë tek i njëjti fragment dhe të kërkojë bekimet që gjejnë zbatim për mbledhjen si lagje e kunje. Më pas ata mund t’ia tregojnë mendimet e tyre klasës. Si jemi bekuar ne nëpërmjet mbledhjes së bashku si klasë e Shkollës të së Dielës?
Doktrina e Besëlidhje 38:24–27
Njerëzit e Perëndisë duhet të jenë një.
-
Shenjtorët që u mblodhën në Ohajo, erdhën nga një larmi rrethanash, por Zoti i urdhëroi t’i kapërcenin ndryshimet e tyre dhe të “[ishin] një” (vargu 27). Përse nganjëherë nuk arrijmë t’i shohim njerëzit e tjerë si të barabartë? Nxitini anëtarët e klasës të përsiatin se si i trajtojnë të tjerët ndërsa lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 38:24–27. Çfarë do të thotë t’i vlerësojmë vëllezërit e motrat tona si veten? Përse është e pamundur të jemi vërtet populli i Perëndisë nëse nuk jemi të bashkuar?
-
Leximi te Doktrina e Besëlidhje 38:24–27 mund të çojë drejt një diskutimi rreth unitetit në marrëdhëniet tona – si anëtarë të lagjeve, si familje e kështu me radhë. Materialet filmike “A Friend to All” [“Mik me të Gjithë”] ose “Love in Our Hearts” [“Dashuri në Zemrat Tona”] te ChurchofJesusChrist.org mund të ndihmojnë. Për shembull, anëtarët e klasës mund të tregojnë thënie ose mbresa nga materiali filmik që i ndihmojnë t’i kuptojnë më mirë parimet te vargjet 24–27. Ata gjithashtu mund të përsiatin dhe të japin mendimet për një pyetje si: “Çfarë mund të bëj për ta ndihmuar lagjen tonë që të ndihet më e bashkuar?”
Doktrina e Besëlidhje 38:39; 39–40.
Ati dëshiron të na japë pasuritë e përjetësisë.
-
Bërja e një tabele mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që të diskutojnë vargun te Doktrina e Besëlidhje 38:39. Në njërën kolonë anëtarët e klasës mund të renditin “pasuritë e tokës” ose gjëra që konsiderohen me vlerë këtu, por që nuk zgjatin deri në jetën pas kësaj. Në kolonën tjetër ata do të renditin “pasuritë e përjetësisë” ose gjërat që i vlerëson Perëndia dhe që mund të zgjatin përgjithmonë. Çfarë përvojash na kanë mësuar se pasuritë e përjetësisë janë më me vlerë se pasuritë e botës?
-
Xhejms Koveli, si shumë prej nesh, pati dëshira të drejta. Por dështimi i tij në bindjen ndaj drejtimit të Perëndisë është një paralajmërim i rëndësishëm për të gjithë ne. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mësojnë nga përvoja e Kovelit, ju mund t’i ftoni disa prej tyre të shqyrtojnë seksionin 39 për gjërat që Zoti i kërkoi atij të bënte. Të tjerët mund të kërkojnë bekimet që iu premtuan atij nëse do të bindej. Ata gjithashtu mund të shqyrtojnë seksionin 40 që të zbulojnë arsyen përse Xhejms Koveli nuk i mori këto bekime. Si mund të gjejë zbatim për ne përvoja e tij? Çfarë “përkujdesje[sh të] botës” nganjëherë na pengojnë që të mos e pranojmë fjalën e Perëndisë “me gëzim”? (Doktrina e Besëlidhje 40:2.)