“19–25 Prill. Doktrina e Besëlidhje 41–44: ‘Ligji Im për të Qeverisur Kishën Time’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“19–25 Prill. Doktrina e Besëlidhje 41–44”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës
19–25 Prill
Doktrina e Besëlidhje 41–44
“Ligji Im për të Qeverisur Kishën Time”
Nuk do të jeni në gjendje si klasë të diskutoni çdo parim që jepet mësim te Doktrina e Besëlidhje 41–44. Kërkoni frymëzim për t’ju ndihmuar të përzgjidhni parimet që do të jenë më domethënëset për klasën tuaj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Kur u botuan zbulesat te seksioni 42, Jozef Smithi shkroi se shenjtorët “i morën ato me gëzim” (“Letter to Martin Harris”, 22 shkurt 1831, josephsmithpapers.org). Nxitini anëtarët e klasës të tregojnë diçka nga studimi i tyre vetjak ose familjar këtë javë të cilën ata e morën me gëzim.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ligjet e Perëndisë qeverisin Kishën e Tij dhe mund të qeverisin jetën tonë.
-
Te Doktrina e Besëlidhje 41, Zoti i ndihmoi shenjtorët të përgatiten për ta marrë ligjin e Tij, të cilin Ai do ta zbulonte vetëm pak ditë më vonë (shih seksionin 42). Si mund t’i ketë ndihmuar shenjtorët zbulesa te seksioni 41 që ta merrnin ligjin e Perëndisë? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, mund t’i ftoni ata të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 41:1–6 dhe të gjejnë parime që mund të na ndihmojnë për ta marrë ligjin e Perëndisë. Si mund t’i vëmë në jetë këto parime kur kemi mundësi që të marrim udhëzim nga Zoti?
-
Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, sugjeron që ta ndani seksionin 42 në pesë grupe vargjesh, ku secili përfaqëson një parim të rëndësishëm të ungjillit. Këto grupime mund ta bëjnë më të lehtë për ju që ta diskutoni këtë seksion si klasë. Për shembull, ju mund t’i shkruani referencat në tabelë dhe ta ftoni secilin anëtar të klasës që të përzgjedhë një grup. Vërini anëtarët e klasës t’i lexojnë vargjet e tyre dhe të gjejnë diçka që e ndiejnë se është e rëndësishme për ne në kohën tonë. Më pas ata mund të tregojnë shembuj nga vetë jeta e tyre që ilustrojnë se si ne bekohemi kur e qeverisim jetën tonë nëpërmjet këtyre ligjeve.
Zoti u kërkon shërbëtorëve të Tij që të sakrifikojnë.
-
Eduard Partrixhi, peshkopi i parë i Kishës së rivendosur, u urdhërua ta linte profesionin e tij dhe të “shpenzo[nte] gjithë kohën e tij” duke shërbyer në thirrjen e vet. Edhe pse kjo nuk kërkohet prej nesh, çfarë gjejmë në këto vargje që mund të gjejë zbatim në shërbimin tonë ndaj Perëndisë? (Për më shumë rreth Eduard Partrixhit, shih “A Bishop unto the Church”, Revelations in Context, f. 77–83.)
Doktrina e Besëlidhje 42:61, 65–68; 43:1–7
Zbulesa sjell paqe, gëzim dhe jetë të përjetshme.
-
Ashtu si udhëheqësit e hershëm të Kishës, anëtarët e klasës suaj mund të kenë pyetje që duken si “mistere” ngaqë kërkojnë udhëzim nga Zoti. Ju mund t’i nxitni ata të shkruajnë një pyetje që kanë ose një problem për të cilin iu nevojitet zbulesë vetjake. Çfarë gjejmë te Doktrina e Besëlidhje 42:61, 65–68 që mund të na ndihmojë kur kërkojmë zbulesë?
-
Për t’i ndihmuar anëtarët të kuptojnë se si Perëndia jep zbulesë për ta udhëzuar Kishën e Tij, ju mund t’i ftoni të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 43:1–7. Ata gjithashtu mund të shohin materialin filmik “Prophets and Revelation – Hearing His Voice” [“Profetët dhe Zbulesa – Të Dëgjosh Zërin e Tij”] (ChurchofJesusChrist.org).
Ne mblidhemi së bashku për të “udhëz[uar] dhe lartës[uar] njëri‑tjetrin”.
-
Si mund t’i përdorim vargjet te Doktrina e Besëlidhje 43:8–10 për t’i dhënë mësim dikujt që ndien se nuk është e nevojshme të vijë në mbledhjet e Kishës? Lista te pjesa “Burime Shtesë” mund të ndihmojë që ta përqendroni këtë diskutim te qëllimet hyjnore të kuorumeve të priftërisë dhe Shoqatës së Ndihmës (lista gjithashtu gjen zbatim për klasat e Të Rejave). Anëtarët e klasave mund të tregojnë se si i ka bekuar ata pjesëmarrja e tyre në kuorume, Shoqatën e Ndihmës dhe klasat e Kishës. Çfarë nënkuptojnë vargjet 8–10 rreth asaj që duhet të bëjmë për t’u përgatitur për mbledhjet tona dhe për të marrë pjesë në to?
Burime Shtesë
Arsyet përse organizohemi në kuorume dhe Shoqata të Ndihmës.
Motra Xhuli B. Bek, ish‑Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, shpjegoi përse Perëndia na ka organizuar në kuorume të priftërisë dhe në Shoqata të Ndihmës:
-
“Të na organizojë nën priftërinë dhe sipas modelit të priftërisë.”
-
“T’i përqendrojë bijtë dhe bijat e Atit Qiellor te puna e shpëtimit dhe t’i përfshijë ata dhe ato në të. Kuorumet dhe Shoqatat e Ndihmës janë një dishepullim i organizuar me përgjegjësinë për të ndihmuar në punën e Atit tonë që t’u sjellë jetë të përjetshme fëmijëve të Tij.”
-
“T’i ndihmojë peshkopët që ta administrojnë me urtësi shtëpinë e ruajtjes së Zotit. Shtëpia e ruajtjes së Zotit përfshin ‘kohë[n], talente[t], dhembshuri[në], materiale[t] dhe mjete[t] financiare të anëtarëve të Kishës [Manuali 2: Administrimi i Kishës, 6.1.3, ChurchofJesusChrist.org]. Talentet e shenjtorëve duhet të përdoren për të ndihmuar në përkujdesjen për të varfrit e nevojtarët dhe për të ndërtuar mbretërinë e Zotit.”
-
“Të sigurojë mbrojtje dhe strehim për fëmijët e Atit Qiellor dhe familjet e tyre në ditët e mëvonshme.”
-
“Të na forcojë e përkrahë në rolet dhe përgjegjësitë tona familjare si bij e bija të Perëndisë.” (“Why We Are Organized into Quorums and Relief Societies” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 17 janar 2012], speeches.byu.edu.)