“5–11 Prill. Doktrina e Besëlidhje 30–36: ‘Ti Je Thirrur për të Predikuar Ungjillin Tim’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“5–11 Prill. Doktrina e Besëlidhje 30–36”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
5–11 Prill
Doktrina e Besëlidhje 30–36
“Ti Je Thirrur për të Predikuar Ungjillin Tim”
Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 30–36, cilat mesazhe i ndieni me vlerë për njerëzit të cilëve u jepni mësim? Çfarë do të ndihmojë për t’i frymëzuar ata që ta përhapin ungjillin te njerëz të tjerë?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë diçka që e lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 30–36, që i frymëzon ta përhapin ungjillin.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ne jemi thirrur për të predikuar ungjillin e Jezu Krishtit.
-
Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron që të kërkoni te Doktrina e Besëlidhje 30–36 atë që Zoti u kërkon misionarëve dhe misionareve të Tij dhe çfarë u premton Ai atyre. Anëtarët e klasës mund të tregojnë atë që gjetën. (Shih, për shembull, Doktrina e Besëlidhje 30:8; 31:3–5; 32:1, 5; 35:24.) Ndoshta mund t’i ftoni ata që t’i shkruajnë një letër dikujt që po shërben tani ose po përgatitet për të shërbyer në mision, dhe përfshini disa prej udhëzimeve dhe premtimeve të Zotit.
-
A u jepni mësim të rinjve e të rejave që po përgatiten për të shërbyer si misionarë/e? Nëse po, ju mund ta ftoni çdo anëtar të klasës që të kërkojë te një seksion nga Doktrina e Besëlidhje 30–36 dhe të gjejë diçka që i frymëzon të shërbejnë. Mund të vini në dukje se misionarët e përmendur në këto seksione ishin anëtarë të rinj dhe pa përvojë në Kishë. Çfarë i kualifikoi ata që ta përhapnin ungjillin? Gjithashtu mund të doni të shihni njërin prej materialeve filmike të renditura te pjesa “Burime Shtesë”. Çfarë sugjerojnë këto materiale filmike rreth arsyes përse ne duhet të shërbejmë si misionarë/e dhe se si mund të përgatitemi?
-
Jo gjithkush e ka mundësinë për të shërbyer një mision kohëplotë, por ne të gjithë mund t’i ftojmë të tjerët të vijnë te Krishti dhe ta dëgjojnë mesazhin e Rivendosjes. Anëtarët e klasës mund të bëjnë një listë të mënyrave të ndryshme se si mund t’i “hapin gojët [e tyre]” (Doktrina e Besëlidhje 33:8–10). Cilat janë disa mundësi të natyrshme që i kemi për t’ua treguar bindjet tona fetare të tjerëve? Cila këshillë te Doktrina e Besëlidhje 30–36 gjen zbatim në përhapjen e ungjillit sipas këtyre mënyrave? Merrni parasysh t’u kërkoni disa anëtarëve të klasës, të cilët kanë pasur përvoja pozitive me përhapjen e ungjillit, që të japin idetë e tyre dhe t’u përgjigjen pyetjeve që mund të ketë klasa.
-
Zoti u premtoi Ezra Thajrit dhe Northrop Suitit se, në qoftë se e hapnin gojën për ta përhapur ungjillin, ata do të “bëhe[shi]n sikurse Nefi i lashtësisë” (Doktrina e Besëlidhje 33:8). Çfarë karakteristikash kishte Nefi që mund të lidhen me përhapjen e ungjillit? (Shih, për shembull, 1 Nefi 3:7; 4:6; 10:17; 17:15; 2 Nefi 1:27–28). Si na ndihmojnë këto karakteristika në përpjekjet tona për ta përhapur ungjillin?
Doktrina e Besëlidhje 32–33; 35
Zoti na përgatit për punën që Ai dëshiron që ne ta bëjmë.
-
Si na ka ndihmuar Zoti për ta bërë punën e Tij? Një diskutim rreth jetës së njerëzve të përshkruar te Doktrina e Besëlidhje 32–33, 35 mund të jetë një vend i mirë për të filluar përsiatjen e këtyre përvojave. Për shembull, ju mund t’i tregoni klasës rrëfimin e Ezra Thajrit për vegimin e tij te pjesa “Burime Shtesë” dhe më pas ftojini anëtarët e klasës të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 33:1–13, që është pjesë e një zbulese drejtuar Ezra Thajrit. Si po e përgatiste Zoti Ezrën për punën që Zoti donte që ai të bënte? (Shih Doktrina e Besëlidhje 33:2.) Ju gjithashtu mund t’i kërkoni një anëtari të klasës që të japë informacion për gjendjen e marrëdhënies midis Parli P. Pratit dhe Sidni Rigdonit (shih “Zëra të Rivendosjes: Të Kthyerit e Hershëm në Besim” te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Si e bekoi kjo marrëdhënie Kishën? Çfarë prove shohim se dora e Zotit ishte në jetën e këtyre njerëzve? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja që i ndihmuan të shohin se Perëndia ishte në dijeni për ta në një mënyrë të ngjashme.
Burime Shtesë
Materiale filmike për punën misionare (te ChurchofJesusChrist.org).
“Value of a Full-Time Mission” [“Vlera e një Misioni Kohëplotë”]
“Sharing the Gospel” [“Përhapja e Ungjillit”]
“Your Day for a Mission” [“Dita Juaj për një Mision”]
“Elder and Sister Bednar – Missionary Working Life” [“Plaku dhe Motra Bednar – Jeta në Punë Misionare”]
“A Priesthood Duty” [“Një Detyrë Priftërie”]
Vegimi i Ezra Thajrit.
Ezra Thajri shkroi se dikur përpara se të pagëzohej, ai pati një vegim në të cilin “një burrë erdhi dhe më solli një rrotull letre dhe ma tregoi, dhe gjithashtu një bori dhe më tha t’i [bija] asaj. I thashë se nuk i kisha [rënë] kurrë më parë në jetën time. Ai tha se mund t’i [bija], ta provoja. … Nxori tingullin më të bukur që dëgjova ndonjëherë” (“Revelation, October 1830–B, Revelation Book 1”, parathënie historike, josephsmithpapers.org). Më vonë, kur Jozef Smithi mori një zbulesë për Ezra Thajrin dhe Northrop Suitin, tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 33, Ezra e interpretoi zbulesën si rrotulla e letrës në vegimin e tij.