Doktrina e Besëlidhje 2021
Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës


“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021

gra e burra në klasë

Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës

Përgatitja për të Dhënë Mësim në Shkollën e së Dielës

Studimi vetjak dhe familjar në shtëpi duhet të jetë qendra e të mësuarit të ungjillit. Kjo është e vërtetë për ju dhe për ata të cilëve u jepni mësim. Ndërsa përgatiteni të jepni mësim, fillojeni duke pasur vetë përvojat tuaja me shkrimet e shenjta. Përgatitja juaj më e rëndësishme do të ndodhë ndërkohë që vini te Krishti, i shqyrtoni shkrimet e shenjta dhe kërkoni frymëzim nga Fryma e Shenjtë.

Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet është një pjesë e rëndësishme e studimit tuaj vetjak si edhe e përgatitjes suaj për të dhënë mësim. Ai do t’ju ndihmojë të fitoni një kuptim më të thellë për parimet doktrinore që gjenden në shkrimet e shenjta. Gjithashtu do të bëjë të mundur t’i frymëzoni dhe ftoni anëtarët e klasës që ta përdorin manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet për të përmirësuar studimin e tyre vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta (për ndihmë se si ta bëni këtë, shihni “Ide për Nxitjen e Studimit Vetjak dhe Familjar” në këtë burim). Teksa e bëni këtë, mbajeni mend që të jeni të ndjeshëm ndaj anëtarëve të klasës rrethanat familjare të të cilëve mund të mos e përkrahin studimin e rregullt familjar të shkrimeve të shenjta dhe mbrëmjen familjare të shtëpisë.

Gjatë përgatitjes suaj, mendime dhe mbresa do t’ju vijnë rreth njerëzve të cilëve u jepni mësim, mënyrës se si parimet në shkrimet e shenjta do ta ndërtojnë besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe mënyrës se si mund t’i frymëzoni për t’i zbuluar ato parime teksa i studiojnë vetë shkrimet e shenjta.

Ide për Mësimdhënien

Ndërkohë që përgatiteni për të dhënë mësim, ju mund të merrni frymëzim shtesë duke i shqyrtuar përvijimet e mësimdhënies në këtë burim. Mos i shikoni këto ide si udhëzime hap pas hapi, por përkundrazi si sugjerime që e nxitin vetë frymëzimin tuaj. Ju i njihni anëtarët e klasës suaj dhe do t’i njihni edhe më mirë ndërsa mësoni së bashku në klasë. Edhe Zoti i njeh ata dhe Ai do t’ju frymëzojë me mënyrat më të mira për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të ndërtojnë mbi të mësuarit e ungjillit që po e bëjnë në shtëpinë e tyre.

Shumë burime të tjera janë në dispozicionin tuaj për t’u përdorur ndërkohë që përgatiteni, duke përfshirë idetë në manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe revistat e Kishës. Për informacion të mëtejshëm mbi këto dhe burime të tjera, shihni pjesën e titulluar “Burime Shtesë” në këtë burim.

Disa Gjëra që t’i Mbani në Mendje

  • Si mësues, ju keni një përgjegjësi të rëndësishme që ta përkrahni, nxitni dhe të ndërtoni mbi të mësuarin e ungjillit nga anëtarët e klasës si individë dhe familje. Ndërkohë që disa anëtarë të klasës mund të mos jenë duke e studiuar vazhdimisht ungjillin në shtëpi, ju mund të sillni një ndryshim të madh duke i nxitur dhe duke i ndihmuar që t’i bëjnë shtëpitë e tyre qendra të të mësuarit të ungjillit.

  • Kthimi i anëtarëve të klasës në besimin tek ungjilli i Jezu Krishtit do të thellohet kur ata e kuptojnë dhe e zbatojnë doktrinën e vërtetë. Nxitini të mbajnë shënim dhe të veprojnë sipas mbresave që i marrin nga Fryma e Shenjtë.

  • Mësimdhënia është më shumë se sa të jepni leksione, por është edhe më shumë sesa thjesht të drejtoni një diskutim. Pjesë e rolit tuaj është të nxitni një pjesëmarrje që lartëson dhe bazohet te shkrimet e shenjta. Ju gjithashtu duhet t’i thoni idetë e frymëzuara që i morët kur i studiuat shkrimet e shenjta.

  • Mbani mend që shumë anëtarë të klasës kanë përvoja domethënëse teksa i studiojnë shkrimet e shenjta në shtëpi. Ju mund ta përkrahni të mësuarit e tyre të ungjillit duke u siguruar mundësi të shpeshta që të tregojnë atë që po mësojnë në shtëpi dhe se si po ndikon në jetën e tyre.

  • Ati Qiellor dëshiron që ju të keni sukses si mësues. Ai ka siguruar burime të shumta për t’ju ndihmuar, përfshirë mbledhjet e këshillit të mësuesve. Në këto mbledhje ju mund të këshilloheni me mësues të tjerë rreth sfidave me të cilat përballeni. Ju gjithashtu mund të diskutoni e vini në praktikë parime të mësimdhënies si të Krishtit.

  • Disa njerëz mësojnë më mirë kur kanë mundësi për të dhënë mësim. Me raste, merreni parasysh që t’i lini anëtarët e klasës, përfshirë të rinjtë, që të japin një pjesë të mësimit. Bazojeni këtë vendim mbi nevojat dhe aftësitë e anëtarëve të klasës. Nëse e ftoni një anëtar/e të klasës të japë mësim, gjeni kohë që ta ndihmoni atë për t’u përgatitur paraprakisht duke përdorur idetë që gjenden në këtë burim dhe te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Mbani mend që si mësuesi ose mësuesja e thirrur, ju jeni përfundimisht përgjegjës për atë që jepet mësim në klasë.

  • Ky burim përfshin përvijime për mësimdhënien për çdo javë të vitit. Në të dielat kur nuk zhvillohet Shkolla e së Dielës, familjet do të vazhdojnë leximin te Doktrina e Besëlidhje në shtëpi sipas programit të përvijuar tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ju mund të zgjidhni t’i kaloni mësimet që bien në një javë kur nuk zhvillohet Shkolla e së Dielës ose ju mund të shpjegoni nga mësime të shumta gjatë një ore të vetme mësimore.