“Një Model për Mësimdhënien”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“Një Model për Mësimdhënien”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
Një Model për Mësimdhënien
Çdo përvijim në këtë material burimor ndjek një model që i fton njerëzit të diskutojnë dhe të japin mësim doktrinën.
Ftojini të Tregojnë
Si pjesë e çdo ore mësimore, ftojini anëtarët e klasës që të tregojnë ide dhe përvoja që i patën gjatë javës së shkuar, ndërkohë që i studionin shkrimet e shenjta si individë e familje dhe kur e vunë në jetë atë që mësuan. Ndihmojini anëtarët e klasës ta kuptojnë se të mësuarit e tyre vetjak jashtë orës mësimore është i rëndësishëm. Kthimi i tyre individual në besim do të vijë jo vetëm nëpërmjet të mësuarit të dielën, por edhe nëpërmjet përvojave të tyre të përditshme. Kur anëtarët e klasës i dëgjojnë përvojat dhe dëshmitë e njëri‑tjetrit për ungjillin e Jezu Krishtit, ata kanë më shumë të ngjarë të frymëzohen që të kërkojnë përvoja të ngjashme për veten e tyre.
Jo çdo njeri do t’i ketë lexuar kapitujt për secilin mësim, madje edhe disa që i lexuan, mund të mos ndihen rehat për të treguar. Sigurohuni që të gjithë anëtarët e klasës të ndihen se janë një pjesë e çmuar e orës mësimore, pavarësisht nëse ata kanë diçka për të treguar ose jo.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ju dhe anëtarët e klasës suaj duhet të përqendroheni te Jezu Krishti dhe doktrina e Tij – të vërtetat e përjetshme të ungjillit – që gjenden në fragmentet e caktuara të shkrimeve të shenjta. Teksa diskutoni për doktrinën nga shkrimet e shenjta, çfarë vargjesh, citimesh, përvojash, pyetjesh dhe burimesh shtesë mund të tregoni? Si mund t’i përdorni këto burime për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të zbulojnë dhe kuptojnë parime të ungjillit? Si mund t’i ndihmoni që ta ngrenë besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?