“6–12 Maj. Lluka 12–17; Gjoni 11: ‘Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“6–12 Maj. Lluka 12–17; Gjoni 11”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
6–12 Maj
Lluka 12–17; Gjoni 11
“Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur”
Fillojeni përgatitjen tuaj duke i lexuar plot lutje Llukën 12–17 dhe Gjonin 11. Cilat “dele [të] humbura” ju vijnë në mendje nga klasa juaj? Përdorni Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe këtë përvijim të mësimit ndërsa kërkoni udhërrëfimin e Zotit mbi mënyrën se si t’i plotësoni më mirë nevojat e anëtarëve të klasës, edhe nëse ata nuk po e frekuentojnë orën mësimore.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Vënia në zbatim është një pjesë e rëndësishme e të mësuarit, kështu që ftojini anëtarët e klasës të tregojnë se si zgjodhën ata që të jetonin diçka që e mësuan nga shkrimet e shenjta këtë javë.
Jepni Mësim Doktrinën
Asnjë shfajësim nuk është i mjaftueshëm për mospranimin e ungjillit.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta studiojnë shëmbëlltyrën e gostisë së madhe, ju mund t’i ftoni ata në një festë imagjinare që do të bëni. Lërini ata t’ju tregojnë disa arsye përse mund ose nuk mund të marrin pjesë. Lexoni së bashku Llukën 14:15–24 dhe diskutoni mbi shfajësimet që dhanë njerëzit në shëmbëlltyrë kur u ftuan në një festë që përfaqësonte bekimet e ungjillit. Çfarë shfajësimesh japin njerëzit sot kur nuk arrijnë t’i pranojnë ftesat e Shpëtimtarit për t’i marrë bekimet e Atit Qiellor? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë për bekimet që kanë marrë kur i kanë bërë sakrificat e nevojshme për të jetuar parime të caktuara të ungjillit.
Ne mund t’i kërkojmë ata që kanë humbur dhe të gëzohemi me Atin kur të kthehen.
-
Si mund t’i frymëzoni ata të cilëve u jepni mësim që t’i kërkojnë njerëzit që kanë “humbur” për shkak se nuk i kanë bekimet e ungjillit dhe t’i ftojnë ata të kthehen? Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të mendojnë për një çast rreth “dele[ve të] humbura” që ata njohin dhe më pas ta lexojnë Llukën 15:1–7 me atë person në mendje. Çfarë ndihen të frymëzuar të bëjnë për t’iu afruar atij njeriu me ndjeshmëri e dashuri? Historia nga Presidenti Tomas S. Monson te “Burimet Shtesë” ose fjalimi i Plakut Mervin B. Arnold “Për t’i Shpëtuar: Ne Mund Ta Bëjmë” (Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 53–55) mund të ndihmojë në këtë diskutim.
-
A do të ishte e dobishme që anëtarët e klasës t’i kuptojnë mënyrat se si mund të humbasë një njeri? Merreni parasysh që t’i caktoni grupeve të anëtarëve të klasës një prej tri shëmbëlltyrave te Lluka 15 për ta studiuar. Çfarë na sugjerojnë shëmbëlltyrat rreth mënyrës se si duhet të përpiqemi për t’i gjetur ata që kanë humbur? Cilat fjalë te Lluka 15 zbulojnë mënyrën se si ndihet Ati Qiellor rreth atyre që kanë humbur? Këndimi së bashku i himnit “Pranë Zemrës së Bariut”, Himne, nr. 138, mund të jetë një [ndihmë] shtesë domethënëse për mësimdhënien e këtyre shëmbëlltyrave.
-
Anëtarët e klasës suaj mund të përfitojnë nga përqendrimi te fjalët dhe veprimet e djalit më të madh në shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës. Ndoshta ata mund të shkruajnë një përfundim të ndryshëm për shëmbëlltyrën, ku qëndrimi i djalit më të madh përkundrejt vëllait të tij është i ndryshëm. Çfarë na mëson këshilla e atit në shëmbëlltyrë rreth mënyrës se si duhet të ndihemi për ata që kanë humbur dhe për ata që kthehen në ungjill? (Shih edhe thënien e Plakut Xhefri R. Holland te “Burimet Shtesë”.) Ose ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të përfytyrojnë sikur ata janë babai në këtë shëmbëlltyrë. Çfarë këshillash shtesë do t’i jepnit djalit më të madh për ta ndihmuar atë të gëzohej në përparimin apo suksesin e të tjerëve?
Jezu Krishti është Ringjallja dhe Jeta.
-
Ndërsa lexuan për ringjalljen e Llazarit këtë javë, a gjeti ndonjëri prej anëtarëve të klasës ndonjë gjë që e forcoi besimin e tyre se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Mesia i premtuar? Ftojini ata të tregojnë atë që gjetën. Çfarë përvojash të tjera e kanë ndërtuar besimin e tyre në Jezu Krisht? Ju mund të doni të vini në dukje se në kohën e kësaj mrekullie, Llazari nuk u ringjall, por u kthye në jetën e vdekshme.
-
Një mënyrë për ta shqyrtuar Gjonin 11:1–46 është që t’u kërkoni anëtarëve të klasës t’i lexojnë me radhë vargjet dhe ftojini ata të ndalojnë kur gjejnë prova për besimin në Jezu Krisht. Kërkojuni të diskutojnë për atë që kanë gjetur. Si mund ta forcojnë sprovat dhe dobësitë besimin tonë në Të?
-
Një mënyrë tjetër për ta lexuar këtë tregim është që t’i caktoni disa anëtarë të klasës të marrin në shqyrtim këndvështrimet e njerëzve të përfshirë – të tillë si Shpëtimtari, Apostujt, Marta, Maria dhe Llazari. Çfarë mund të mësojmë nga secili prej tyre? Çfarë mund të mësojmë rreth Shpëtimtarit nga Gjoni 11:33–35? Përse është e rëndësishme që t’i dimë këto gjëra për Të?
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Për t’i nxitur anëtarët e klasës që ta lexojnë Mateun 19–20; Markun 10 dhe Llukën 18, ju mund të bëni pyetje si kjo: “Si do të ndiheshit nëse do të punonit gjithë ditën dhe do të paguheshit njësoj me dikë që punon vetëm një orë?” Thuajuni atyre se ka një shëmbëlltyrë në leximin e javës së ardhshme që sugjeron mënyrën se si mund të konsiderohet kjo e drejtë.
Burime Shtesë
“Më gjete.”
Presidenti Tomas S. Monson tregoi përvojën vijuese që pati ndërkohë që shërbente si peshkop: “Një të diel në mëngjes vura re se Riçardi, një prej priftërinjve tanë që vinte rrallë, po mungonte sërish në mbledhjen tonë të priftërisë. E lashë kuorumin nën kujdesin e këshilluesit dhe shkova për vizitë në shtëpinë e Riçardit. E ëma më tha se ai po punonte në një garazh të lagjes që riparonte makina. I dhashë makinës për te garazhi në kërkim të Riçardit dhe pashë kudo, por nuk munda ta gjej. Papritur, pata një ndjenjë se duhej të shikoja poshtë në gropën e vjetër të mekanikut kur riparoheshin makinat, e cila ndodhej në anë të ndërtesës. Në errësirë mund të dalloja dy sy xixëllues. E dëgjova Riçardin të thoshte: ‘Më gjete, Peshkop! Po ngjitem’. Kur unë dhe Riçardi biseduam, i tregova se sa shumë na kishte marrë malli dhe sa nevojë kishim për të. Arrita t’i marr një zotim se do të merrte pjesë në mbledhjet e tij. … [Më vonë], Riçardi tha se pika e kthesës në jetën e tij ishte kur peshkopi i tij e gjeti duke u fshehur në një gropë mekaniku dhe e ndihmoi të kthehej në aktivitet” (“Sugar Beets and the Worth of a Soul”, Ensign, korrik 2009, f. 6–7).
Të mësojmë nga plëngprishësi tjetër.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, bëri këtë vëzhgim për vëllanë e madh të djalit plëngprishës:
“Ky djalë nuk është kaq i zemëruar me faktin se vëllai tjetër ka ardhur në shtëpi, sa është i zemëruar me faktin që prindërit e tij janë kaq të lumtur për këtë. Duke u ndier i pavlerësuar dhe ndoshta më shumë se ca keqardhje për veten, ky bir i bindur – dhe ai është mrekullisht i bindur – harron për një çast se atij kurrë nuk i është dashur të njihet me ndyrësinë ose dëshpërimin, frikën ose neverinë ndaj vetes. Ai harron për një çast se çdo viç i fermës është tashmë i tij dhe kështu janë të gjitha veshjet në gardërobë dhe çdo unazë në sirtar. Ai harron për një çast se besnikëria e tij është shpërblyer dhe gjithmonë do të shpërblehet.
Jo, atij që praktikisht ka çdo gjë dhe të cilat i ka fituar në mënyrën e tij me punë të palodhur dhe të mrekullueshme, i mungon e vetmja gjë që mund ta bëjë atë njeriun e plotë të Zotit, i cili pothuajse është. Ai ende duhet të zhvillojë dhembshurinë dhe mëshirën, shtrirjen dashamirëse të largpamësisë për të parë se ky nuk është një rival që po kthehet. Është vëllai i tij! Ashtu siç iu përgjërua i ati që ta shikonte, ai është dikush që ishte i vdekur dhe tani është i gjallë. Është ai që kishte humbur dhe tani u gjet” (“The Other Prodigal”, Ensign, maj 2002, f. 63).