“13–19 Maj. Mateu 19–20; Marku 10; Lluka 18: ‘Çfarë më Mungon Tjetër?’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“13–19 Maj. Mateu 19–20; Marku10; Lluka 18”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
13–19 Maj
Mateu 19–20; Marku 10; Lluka 18
“Çfarë më Mungon Tjetër?”
Teksa studioni Mateun 19–20; Markun 10 dhe Llukën 18, me lutje merrni parasysh atë që anëtarët e klasës mund ta kenë mësuar ose ndier gjatë studimit prej vetë atyre.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Mund të jetë e dobishme që, me raste, të diskutoni përvojat e anëtarëve të klasës të cilat lidhen me theksimin e shtuar në këtë vit lidhur me të mësuarit e ungjillit të përqendruar në shtëpi. Çfarë përvojash të suksesshme mund të tregojnë ata? Çfarë pengesash ose sfidash po hasin? Çfarë këshille mund t’i japin ata njëri-tjetrit?
Jepni Mësim Doktrinën
Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia.
-
Gjithnjë e më shumë, pikëpamjet e botës mbi martesën largohen nga e vërteta e ungjillit. Që ta ndihmoni klasën tuaj të mësojë rreth pikëpamjeve të Perëndisë mbi martesën, ju mund t’i ftoni të lexojnë Mateun 19:3–9 dhe të renditin në tabelë të vërtetat që i gjejnë lidhur me martesën. Ata gjithashtu mund të renditin të vërteta shtesë që i gjejnë në fragmentet vijuese: Zanafilla 1:27–28; 1 Korintasve 11:11; Doktrina e Besëlidhje 42:22; 49:15–17; 131:1–4; 132:19 dhe Moisiu 3:18, 21–24. Si përforcohen këto të vërteta te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”? (Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129).
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që të ndihen të përgatitur më mirë për t’i shpjeguar ose mbrojtur mësimet e Zotit mbi martesën? Ju mund t’i ftoni që të renditin në tabelë disa pyetje që i kanë dëgjuar rreth mësimeve të Kishës lidhur me martesën. Më pas ata mund të sugjerojnë përgjigje për këto pyetje duke përdorur atë që e dinë rreth planit të shpëtimit, dhe thënie nga “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Mateu 19:3–9 dhe mësimet te pjesa “Burime Shtesë”. Merreni parasysh që t’i ftoni anëtarët e klasës të interpretojnë me role se si mund t’ia shpjegojnë bindjet tona rreth martesës dikujt që beson ndryshe.
-
Merreni parasysh ta paraqitni temën e martesës me citimin vijues nga Plaku Robert D. Hejls: “Askush nga ne nuk martohet me dikë të përsosur; ne martohemi me dikë me potencial” (“Përballja me Sfidat e Botës së Sotme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 46). Ftojini anëtarët e klasës të mendojnë për një çift të martuar të cilin e admirojnë. Çfarë cilësish ka ky çift? Çfarë cilësish do të dëshironin anëtarët e klasës te një bashkëshort/e dhe çfarë cilësish dëshirojnë t’i zhvillojnë me qëllim që të jenë një bashkëshort/e i mirë? Gjithashtu merrni parasysh çfarë thëniesh mund të përdorni nga mesazhi i Presidentit Rasëll M. Nelson “Celestial Marriage” [“Martesa Çelestiale”] (Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 92–95) që të ndihmoni për t’i frymëzuar anëtarët e klasës të përpiqen për një martesë çelestiale.
Jeta e përjetshme është në dispozicion të të gjithëve – pavarësisht se sa herët ose vonë e pranojmë ungjillin.
-
Çfarë do t’i ndihmonte anëtarët e klasës suaj që t’i vënë në jetë parimet në shëmbëlltyrën e punëtorëve në vresht? Ju mund t’i ftoni disa anëtarë të klasës që të përgatitin një dramatizim të shëmbëlltyrës për t’ia paraqitur klasës. Pas paraqitjes, njerëzit që portretizojnë punëtorët, mund të tregojnë se si u ndien rreth pagesës që morën dhe përse. Çfarë sugjeron kjo shëmbëlltyrë rreth mbretërisë së qiellit? Çfarë idesh shtesë fitojnë anëtarët e klasës rreth kësaj shëmbëlltyre nga mesazhi i Plakut Xhefri R. Holland “Punëtorët në Vresht”? (Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 31–33).
Mateu 19:16–22; Marku 10:17–27
Shpëtimtari do të na udhëzojë se si të shkojmë më pranë Tij kur e kërkojmë ndihmën e Tij.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që të përcaktojnë e vënë në jetë parime të historisë së të riut pasanik? Një metodë mund të jetë që t’u kërkojmë atyre të lexojnë Markun 10:17–27 dhe të marrin parasysh nëse janë ndier ndonjëherë si i riu pasanik. Çfarë i ka ndihmuar ata që ta ndjekin këshillën e Shpëtimtarit edhe kur është e vështirë? A mund të tregojë dikush në klasë një përvojë në të cilën ai ose ajo pyeti: “Çfarë më mungon tjetër?” (Mateu 19:20) dhe mori një nxitje të personalizuar për t’u përmirësuar? Çfarë ndryshimi solli ajo në jetën e tij ose të saj?
Ne duhet t’i mirëbesojmë mëshirës së Perëndisë, jo drejtësisë sonë vetjake.
-
Shëmbëlltyra e Shpëtimtarit që krahason lutjen e një fariseu me atë të një tagrambledhësi, mund t’ju ndihmojë të nxirrni në pah qëndrimin që Zoti e kërkon nga ata që përpiqen ta ndjekin Atë. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta vënë në jetë këtë shëmbëlltyrë në kohën tonë, ju mund t’i ftoni ta rishkruajnë lutjen e fariseut në një mënyrë që përdor hollësi bashkëkohore, por shpreh të njëjtat qëndrime. Ata mund të bëjnë të njëjtën gjë me lutjen e tagrambledhësit dhe më pas të tregojnë atë që shkruan. Si lidhen vargjet 15–17 dhe 18–24 me atë që Shpëtimtari e dha mësim në këtë shëmbëlltyrë?
-
Si mund t’i frymëzojnë këto vargje ata që japin mësim, që të qëndrojnë të përulur, sikurse ishte tagrambledhësi? Ndoshta thënia vijuese lidhur me këto vargje nga Plaku Dejll G. Renland mund të ndihmojë: “Mesazhi për ne është i qartë: një mëkatar i penduar afrohet më pranë Perëndisë sesa afrohet njeriu i vetëshpallur i drejtë, i cili e dënon atë mëkatar” (“Bariu Ynë i Mirë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 31).
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Që ta nxitni klasën tuaj të studiojë Mateun 21–23; Markun 11–12; Llukën 19–20 dhe Gjonin 12, merreni parasysh t’i pyetni: “Çfarë do të bënit po të kishit vetëm një javë për të jetuar?” Thuajuni që këta kapituj zbulojnë se çfarë bëri Shpëtimtari në javën e fundit të jetës së Tij.
Burime Shtesë
Martesa është thelbësore në planin e Perëndisë.
Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve nxorën këtë deklaratë lidhur me martesën mes së njëjtës gjini:
“Ne i nxitim të gjithë të mbajnë në mendje qëllimet e Atit tonë Qiellor për krijimin e tokës dhe sigurimin e lindjes dhe përvojës sonë këtu në vdekshmëri si fëmijët e Tij [shih Zanafilla 1:27–28; 2:24]. … Martesa midis një burri dhe një gruaje u krijua nga Perëndia dhe është thelbësore në planin e Tij për fëmijët e Tij dhe për mirëqenien e shoqërisë. …
… Perëndia pret nga ne që t’i mbajmë të pandryshuara dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, pavarësisht nga mendimet ose prirjet e ndryshme në shoqëri. Ligji i Tij për dëlirësinë është i qartë: marrëdhëniet seksuale janë të përshtatshme vetëm midis një burri dhe një gruaje që janë zyrtarisht dhe ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte” (“LDS Church Instructs Leaders Regarding Same-Sex Marriage” [“Kisha SHDM Udhëzon Udhëheqësit Lidhur me Martesën mes së Njëjtës Gjini”], 10 janar 2014, mormonnewsroom.org).
Ide shtesë mbi martesën.
“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” mund të jetë ndihmuese kur diskutohet përse profetët e Zotit paralajmërojnë kundër çfarëdo gjëje që është në kundërshtim me martesën midis një burri dhe një gruaje. Çështjet vijuese mund të jenë gjithashtu të dobishme:
-
Familja është një koncept i përjetshëm. Ne jemi të gjithë pjesë e familjes së Perëndisë dhe plani i Tij është që burrat e gratë të martohen e vulosen, kështu që të mund të jetojnë si familje për përjetësinë (shih Zanafilla 2:18, 21–24; 1 Korintasve 11:11).
-
Si pjesë e planit të Perëndisë, bashkëshortët e bashkëshortet urdhërohen që të shumohen dhe të mbushin tokën (shih Zanafilla 1:28) dhe t’i rritin fëmijët e tyre në drejtësi.
-
Qëllimi përfundimtar i planit të Perëndisë është ekzaltimi, ose jeta e përjetshme, në praninë e Perëndisë, ku bashkëshortët e bashkëshortet besnike mund të kenë rritje të përjetshme dhe gëzim të përjetshëm (shih DeB 132:19–21). Plani i Perëndisë është e vetmja mënyrë për ta arritur ekzaltimin (shih DeB 131:1–4).
-
Zoti pret që ne të tregojmë dashuri e dhembshuri ndaj atyre që këshillojnë ose marrin pjesë në diçka të ndryshme nga plani i Perëndisë për martesën, të tilla si bashkëjetesa apo martesa mes së njëjtës gjini (shih mormonandgay.lds.org). Dhembshuria e vërtetë përfshin bërjen e më të mirës që me dashuri e durim t’i ftojmë ata që ta ndjekin planin e Perëndisë, i cili është i vetmi plan për lumturi të vërtetë. Të përqafojmë ose përkrahim variante të cilat janë të ndryshme nga plani i Perëndisë, është më e dëmshme sesa është e dobishme.