“4–10 Nëntor. Hebrenjve 1–6: “Jezu Krishti ‘Vepronjësi i Shpëtimit të Amshuar’’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“4–10 Nëntor. Hebrenjve 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
4–10 Nëntor
Hebrenjve 1–6
Jezu Krishti, “Vepronjësi i Shpëtimit të Amshuar”
Merreni parasysh t’u tregoni anëtarëve të klasës suaj disa prej mbresave që merrni nga Fryma e Shenjtë rreth Hebrenjve 1–6. Kjo mund t’i frymëzojë ata të kërkojnë vetë mbresat e tyre teksa studiojnë shkrimet e shenjta.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Disa anëtarë të klasës, të cilët nuk flasin shpesh në orën e mësimit, thjesht mund të kenë nevojë për një ftesë të veçantë dhe pak kohë për t’u përgatitur. Ju mund t’i kontaktoni disa prej tyre një ose dy ditë përpara dhe t’u kërkoni të vijnë të përgatitur për të treguar një varg nga Hebrenjve 1–6 që është domethënës për ta.
Jepni Mësim Doktrinën
Jezu Krishti është “vepronjësi i shpëtimit të amshuar”.
-
Si mund t’i nxitni anëtarët e klasës të japin shkrime të shenjta domethënëse rreth Jezu Krishtit, të cilat i gjetën në studimin e tyre vetjak dhe familjar gjatë kësaj jave? Merreni parasysh të krijoni pesë kolona në tabelë për të paraqitur pesë kapitujt e parë të Hebrenjve. Ftojini anëtarët e klasës të shkruajnë në kolonën e duhur fraza nga këta kapituj që u mësuan atyre rreth Jezu Krishtit, dhe numrin e vargut ku i gjetën. Si ndikon njohja e këtyre gjërave rreth Shpëtimtarit në besimin tonë tek Ai dhe gatishmërinë për ta ndjekur Atë?
-
Hebrenjve 1–5 përdor një larmi figurash për ta përshkruar Shpëtimtarin. Ndoshta mund t’i përdorni këto figura për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta thellojnë kuptimin e tyre për misionin e Tij. Për shembull, mund të kontaktoni disa anëtarë të klasës disa ditë më parë dhe t’u kërkoni të sjellin në klasë një send që përfaqëson njërin prej këtyre përshkrimeve të Jezu Krishtit ose të misionit të Tij prej Hebrenjve 1–5 (shih veçanërisht Hebrenjve 1:3; 2:10; 3:1, 6; 5:9). Ata mund t’i shpjegojnë klasës se çfarë na mësojnë këto sende rreth Jezu Krishtit dhe mund të lexojnë vargun përkatës prej Hebrenjve. Si ndikon në jetën tuaj njohja e këtyre të vërtetave për Shpëtimtarin?
Hebrenjve 2:9–18; 4:12–16; 5:7–8
Jezu Krishti i vuajti të gjitha gjërat që Ai të mund t’i kuptojë dhe ndihmojë ata që vuajnë.
-
Mund të ketë anëtarë të klasës suaj që po vuajnë sprova dhe nganjëherë ndihen të braktisur e të pashpresë. Ndoshta një diskutim i Hebrenjve 2:9–18; 4:12–16; 5:7–8 mund ta ndërtojë besimin e tyre që ata mund të kthehen për ndihmë tek Ati Qiellor dhe Shpëtimtari. Një mënyrë për ta filluar një diskutim të tillë është t’i ftojmë anëtarët e klasës që të mendojnë për dikë që e njohin, i cili po vuan dhe mund të jetë duke e humbur shpresën. Çfarë të vërtetash gjejnë ata në këto vargje, të cilat mund t’ia tregojnë atij personi? Anëtarët e klasës mund të tregojnë gjithashtu se si Shpëtimtari i ka ngushëlluar dhe mbështetur ata. Merreni parasysh të lexoni citimin nga Presidenti Xhon Tejlor te pjesa “Burime Shtesë” si pjesë të diskutimit.
-
Hebrenjve 2:9–18; 4:12–16 gjithashtu mund t’i ndihmojë njerëzit që shohin vuajtjen në botë dhe pyesin veten nëse Perëndia e vë re atë vuajtje ose madje a tregon interes për të. Ndoshta anëtarët e klasës mund t’i shohin këto vargje që të gjejnë të vërteta që do t’i ndihmonin për pyetje të tilla. Çfarë na mësojnë ato rreth mënyrës se si Shpëtimtari i përgjigjet vuajtjes së njerëzimit? Mund të jetë e dobishme t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë shembuj nga shkrimet e shenjta ku njerëzit u mbështetën nga Jezu Krishti në vuajtjet e tyre (shih “Burime Shtesë”). Diskutoni së bashku atë që mësoni rreth mënyrës se si Shpëtimtari mund të na ndihmojë kur përballemi me sfida të vështira.
Bekimet e Perëndisë janë në dispozicion të atyre që nuk “i ngurtëso[jnë] zemrat [e tyre]”.
-
Hebrenjve 3 dhe 4 përmbajnë një lutje drejtuar shenjtorëve që të mos i ngurtësojnë zemrat e tyre dhe si rrjedhojë të mos i mohojnë bekimet që Perëndia dëshironte t’ua jepte atyre. Teksa ju dhe klasa juaj lexoni Hebrenjve 3:7–4:2, diskutoni mënyra se si përvojat e izraelitëve të lashtë mund të gjejnë zbatim për ne sot, po ashtu sikurse gjetën zbatim te hebrenjtë në Kishën e hershme (merreni parasysh t’i drejtoheni materialit të studimit rreth këtyre vargjeve në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Çfarë po i bën njerëzit në kohën tonë që t’i ngurtësojnë zemrat e tyre? Çfarë mund të bëjmë për t’i mbajtur zemrat tona të buta dhe reaguese ndaj vullnetit të Zotit? (Shih Ethëri 4:15; Alma 5:14–15.)
Ata që shërbejnë në mbretërinë e Perëndisë, duhet të thirren nga Perëndia.
-
Jo të gjithë anëtarët e klasës suaj janë mbajtës të priftërisë, por mesazhi nga Hebrenjve 5 për mbajtësit e priftërisë që thirren nga Perëndia, gjen zbatim për të gjithë ata që marrin thirrje në Kishë. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të mësojnë se çfarë do të thotë të “thirret nga Perëndia, sikurse Aaroni”, merreni parasysh t’i ftoni të shqyrtojnë rrëfimin e Aaronit kur merr thirrjen e tij tek Eksodi 4:10–16, 27–31; 28:1. Cilat ide nga ky rrëfim na ndihmojnë të kuptojmë Hebrenjve 5:1–5? Kur kanë marrë pohim anëtarët e klasës, përfshirë udhëheqësit e lagjes, se dikush u thirr nga Perëndia për të përmbushur një thirrje të caktuar? Si i ndihmoi ai pohim që ta mbështetin më mirë dikë në thirrjen e tij ose të saj? (Ju mund të doni t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të mos tregojnë hollësi të ndjeshme.) Gjithashtu mund të ketë anëtarë të klasës që mund të dëshmojnë se Perëndia i frymëzoi teksa ata i përmbushën vetë thirrjet e tyre.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
A janë ndier ndonjëherë anëtarët e klasës suaj si të ishin “të huaj dhe shtegtarë mbi dhe” (Hebrenjve 11:13) ngaqë bindjet e tyre ishin të ndryshme nga ato të njerëzve përreth tyre? Thuajuni se, teksa lexojnë Hebrenjve 7–13, ata do të gjejnë shembuj të individëve të cilët i morën dhe i përqafuan me besnikëri premtimet e Perëndisë edhe pse shumë prej njerëzve përreth tyre ishin mosbesues.
Burime Shtesë
Jezu Krishti e di se çfarë do të thotë të përjetosh vuajtje.
Presidenti Xhon Tejlor dha mësim: “Ishte e domosdoshme, kur Shpëtimtari ishte në tokë, që Ai ‘duhej të tundohej në të gjitha ashtu si ne’ dhe ‘t’i vi[nte] keq për dobësitë tona’ [shih Hebrenjve 4:15] që t’i kuptonte dobësitë dhe forcën; përsosuritë dhe papërsosuritë e natyrës së varfër, të rënë njerëzore; dhe pasi e përmbushi gjënë për të cilën erdhi në botë që ta bënte, pasi iu desh të ndeshej me hipokrizinë, korrupsionin, dobësinë dhe budallallëkun e njerëzve – pasi u përball me tundimin dhe sprovën në të gjitha format e tyre të ndryshme dhe i mposhti, Ai është bërë ‘kryeprift besnik’ [shih Hebrenjve 2:17] që të ndërmjetësojë për ne në mbretërinë e përjetshme të Atit të Tij. Ai e dinte se si ta vlerësonte dhe t’i caktonte një vlerë të duhur natyrës njerëzore, sepse Ai, pasi ishte vënë në të njëjtën gjendje siç ishim vënë ne, e di se si t’i durojë dobësitë e paqëndrueshmëritë tona dhe tërësisht mund ta kuptojë thellësinë, fuqinë dhe forcën e vuajtjeve dhe sprovave me të cilat janë ndeshur njerëzit në këtë botë dhe si rrjedhojë nëpërmjet të kuptuarit dhe përvojës, Ai mund t’i durojë me ta, si një atë dhe një vëlla më i madh” (Teachings of Presidents of the Church: John Taylor [2001], f. 204–205).
Shembuj të shkrimeve të shenjta për njerëz të ngushëlluar nga Jezu Krishti.
-
Gjoni 8:1–11: Zoti e ngushëlloi gruan e kapur duke shkelur kurorën.
-
Gjoni 11:1–46: Zoti i ngushëlloi Marien dhe Martën pas vdekjes së vëllait të tyre, Llazarit.
-
Enosi 1:4–6: Zoti i fali mëkatet e Enosit dhe e hoqi ndjenjën e tij të fajit.
-
Mosia 21:5–15: Zoti i zbuti zemrat e lamanitëve kështu që ata i lehtësuan barrët e popullit të Limhit.
-
Mosia 24:14–15: Zoti i lehtësoi barrët e popullit të Almës.
-
Ethëri 12:23–29: Fjalët e Zotit e ngushëlluan Moronin.
-
3 Nefi 17:6–7: Shpëtimtari i shëroi nefitët prej dobësive të tyre.
-
Doktrina e Besëlidhje 121:7–10: Zoti e ngushëlloi Jozef Smithin (shih edhe DeB 123:17).