“18–24 Nëntor. Jakob [Bibël]: ‘Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“18–24 Nëntor. Jakob [Bibël]”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
18–24 Nëntor
Jakob [Bibël]
“Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues”
Përpara leximit të këtij përvijimi, lexoni Letrën drejtuar Jakobit dhe u kushtoni vëmendje nxitjeve që merrni. Çfarë parimesh gjeni që do t’i bekonin e lartësonin anëtarët e klasës suaj? Drejtojuni këtij përvijimi për ide mësimdhënieje shtesë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë vargje nga Jakobi që i frymëzojnë të jenë “bërës të fjalës” (Jakob [Bibël] 1:22). Nëse nuk është shumë vetjake, ata gjithashtu mund të tregojnë atë që mendojnë se kanë nevojë të kryejnë, individualisht ose si familje.
Jepni Mësim Doktrinën
Kur kërkojmë me besim, Perëndia jep pa kursim.
-
Parimet e dhëna mësim te Jakobi [Bibël] 1:5–6 e drejtuan Jozef Smithin drejt një përvoje shpirtërore që ia ndryshoi jetën, dhe mund ta bekojnë secilin prej nesh në njëfarë mënyre. Ndoshta mund të shkruani në tabelë pyetje si ato vijueset dhe kërkojuni anëtarëve të klasës t’i përsiatin ato në heshtje: Çfarë ndikimi ka pasur Jakobi [Bibël] 1:5–6 në jetën tuaj? Çfarë ju ka mësuar përvoja e Jozef Smithit me këto vargje rreth kërkimit të urtësisë për vetë pyetjet tuaja? (Shih Joseph Smith – Historia 1:10–17.) Cilat përvoja ju kanë mësuar se “dëshmia e Jakobit [është] e vërtetë”? (Joseph Smith – Historia 1:26.) Ftojini anëtarët e klasës që të japin mendimet që kanë pasi i përsiatin këto pyetje.
-
Ndoshta anëtarët e klasës mund ta shprehin Jakobin [Bibël] 1:5–6 me vetë fjalët e tyre. Si mund t’i ndihmojë kjo që t’i kuptojnë më mirë këto vargje?
-
Që t’i ndihmoni anëtarët e klasës të kujtojnë se Perëndia ka premtuar të japë pa kursim kur ata i afrohen Atij në lutje, kërkojuni anëtarëve të klasës të tregojnë përvoja në të cilat premtimi te Jakobi [Bibël] 1:5–6 u përmbush në jetën e tyre. Çfarë kanë mësuar ndërkohë që i kanë kërkuar Atit Qiellor t’ua pohojë pyetjet e tyre rreth të vërtetave të ungjillit?
Qëndrueshmëria me durim çon më së fundmi drejt përsosjes.
-
Që të filloni një diskutim mbi mësimet e Jakobit rreth durimit në këto vargje, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të tregojnë përvoja kur atyre iu desh të ishin të duruar dhe atë që mësuan prej asaj përvoje. Më pas ata mund të kërkojnë te Jakobi [Bibël] 1:2–4; 5:7–11 parime që mund t’i zbatojnë te përvojat e tyre. Ata gjithashtu mund të gjejnë parime të zbatueshme te materiali filmik “Continue in Patience” [“Vazhdoni me Durim”] (LDS.org) apo te mesazhi i Presidentit Diter F. Uhtdorf “Vazhdoni me Durim” (Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 56–59). Përse është durimi i nevojshëm ndërkohë që përpiqemi fort drejt përsosjes? Çfarë i ka ndihmuar anëtarët e klasës që të zhvillojnë durim në jetën e tyre?
Jakob [Bibël] 1:3–8, 21–25; 2:14–26
“Besimi pa vepra është i vdekur.”
-
Një mënyrë për t’i diskutuar mësimet e Jakobit rreth besimit dhe veprave mund të jetë duke e ndarë klasën tuaj në dy grupe – njërin që të shqyrtojë përse besimi kërkon veprim dhe tjetrin përse veprimet tona kërkojnë besim. Për ta bërë këtë, ata mund të lexojnë Mateun 7:21–23; Jakobin [Bibël] 1:6–8, 21–25; 2:14–26; dhe Joseph Smith – Historinë 1:19. Më pas secili grup mund të tregojë atë që gjeti dhe të diskutojë përse janë të nevojshme si besimi ashtu edhe veprat.
-
Që t’i ndihmoni anëtarët e klasës të përsiatin më thellësisht frazën mbresëlënëse “Besimi, pa vepra, është i vdekur” (Jakob [Bibël] 2:26), ju mund të shkruani fjalinë vijuese në tabelë: Besimi, pa vepra, është si pa . Ftojini anëtarët e klasës të mendojnë mënyra krijuese se si ta plotësojnë fjalinë dhe lejojini t’i shkruajnë idetë e tyre në tabelë. Ata gjithashtu mund të përfitojnë nga bërja e kësaj veprimtarie në dyshe ose grupe të vogla. Historia e treguar nga Presidenti Diter F. Uhtdorf te “Burime Shtesë” mund ta zgjerojë të kuptuarin e tyre mbi këtë parim. Çfarë mund të bëjmë që të veprojmë vazhdimisht sipas besimit tonë në Jezu Krishtin?
Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet t’i duam të gjithë njerëzit, pavarësisht nga rrethanat e tyre.
-
Që të ndihmoni për t’i frymëzuar anëtarët e klasës të tregojnë dashuri si e Krishtit ndaj kujtdo pavarësisht nga gjendja ose pamja e jashtme e të tjerëve, ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të lexojnë me radhë nga Jakobi [Bibël] 1:9–11; 2:1–10; 5:1–6. Diskutoni pyetje si vijueset: Çfarë do të thotë të “bëni preferenca personale”? (Jakob [Bibël] 2:9). Përse nganjëherë ne i trajtojmë ata që kanë para, famë ose fuqi ndryshe nga ata që nuk kanë? Si mund ta shmangim trajtimin e të tjerëve ndryshe nisur nga cilat janë rrethanat e tyre? Në çfarë mënyre janë pasuesit besnikë të Shpëtimtarit me të vërtetë më të pasurit e gjithçkaje? (Shih Jakob [Bibël] 2:5.)
Fjalët që përdorim, kanë fuqinë t’i lëndojnë ose t’i bekojnë të tjerët.
-
Figurat e fuqishme që përdori Jakobi, mund të sigurojnë kujtues të dobishëm dhe shtysë për t’i përdorur fjalët – si të folura dhe të shkruara – për të lartësuar të tjerët. Merreni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës t’i hedhin një sy të shpejtë Jakobit [Bibël] 3 duke kërkuar figura që përshkruajnë se si gjuha përdoret për t’i lënduar ose bekuar të tjerët; disa anëtarëve të klasës mund t’u pëlqejë bërja e vizatimeve për këto figura. Si i ilustrojnë këto figura udhëzimet e Jakobit në këtë kapitull? Për shembull, si mund të jenë fjalët tona si zjarr? Për çfarë figurash mund të mendojnë anëtarët e klasës që të shfaqin fuqinë pozitive që mund të ketë e folura? Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të përsiatin se si mund ta vënë në jetë këshillën e Jakobit.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Që t’i nxitni anëtarët e klasës të lexojnë 1 dhe 2 Pjetër, ftojini të kërkojnë mësime doktrinore në këto letra të cilat kuptohen më mirë për shkak të Rivendosjes së ungjillit. Si dëshmojnë këto mësime për misionin profetik të Jozef Smithit?
Burime Shtesë
Besimi dhe veprimi.
Presidenti Diter F. Uhtdorf dha mësim:
“Ekziston një rrëfenjë e vjetër judease rreth një sapunbërësi që nuk besonte në Perëndi. Një ditë, teksa po ecte me një rabin [mësues], ai tha: ‘Ka diçka që s’e kuptoj. Feja ka ekzistuar për mijëra vite. Por kudo që hedh vështrimin ka ligësi, korrupsion, pandershmëri, padrejtësi, dhembje, uri dhe dhunë. Duket sikur feja nuk e ka përmirësuar fare botën. Ndaj po të pyes: “Çfarë të mire ka feja?”’
Rabini nuk u përgjigj menjëherë, por vazhdoi të ecte me sapunbërësin. Më në fund ata iu qasën një këndi lojërash ku fëmijët, të mbuluar me dhe, po luanin në pisllëk.
‘Ka diçka që s’e kuptoj’, tha rabini. ‘Shikoji ata fëmijë. Kemi pasur sapun për mijëra vite dhe prapëseprapë ata fëmijë janë të pistë. Çfarë të mire ka sapuni?’
Sapunbërësi u përgjigj: ‘Por rabin, nuk është e drejtë të fajësosh sapunin për këta fëmijë të pistë. Sapuni duhet të përdoret përpara se të mund ta përmbushë qëllimin e tij.’
Rabini buzëqeshi dhe tha: ‘Saktë’” (“I Drejti do të Jetojë me Anë të Besimit”, Ensign ose Liahona, prill 2017, f. 4).