“25 Nëntor – 1 Dhjetor. 1 dhe 2 Pjetër: ‘Ngazëllohuni nga një Hare e Patregueshme dhe e Lavdishme’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“25 Nëntor – 1 Dhjetor. 1 dhe 2 Pjetër”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
25 Nëntor – 1 Dhjetor
1 dhe 2 Pjetër
“Ngazëllohuni nga një Hare e Patregueshme dhe e Lavdishme”
Mbani mend se qëllimi juaj është t’i mësoni njerëzit, jo thjesht të paraqitni një mësim. Teksa lexoni Letrat e Pjetrit, mendoni për anëtarët konkretë të klasës. Çfarë parimesh do t’i ndihmojnë ta ndërtojnë besimin e tyre?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Shkruani në tabelë krerët 1 Pjetër dhe 2 Pjetër. Jepuni kohë anëtarëve të klasës që t’i shqyrtojnë këta kapituj, dhe ftojini të shkruajnë nën këta tituj fjalë ose fraza nga kapitujt, të cilat i gjetën domethënëse. Më pas përdorini listat që t’i ftoni njerëzit për t’i dhënë idetë e tyre.
Jepni Mësim Doktrinën
1 Pjetër 1:3–9; 2:19–24; 3:14–17; 4:12–19
Unë mund të gjej gëzim gjatë kohëve të sprovës dhe vuajtjes.
-
Për t’i ndihmuar ata të cilëve u jepni mësim, që ta kuptojnë e vënë në jetë këshillën e Pjetrit rreth gjetjes së gëzimit në rrethana të vështira, ju mund t’u jepni anëtarëve të klasës fletë letre dhe t’u kërkoni të shkruajnë një frazë nga 1 Pjetër 1:3–9; 2:19–24; 3:14–17; 4:12–19 që mund t’i ndihmojë ata në kohë sprove ose vështirësie. Në anën tjetër të letrës ata mund të shkruajnë për një kohë sprove kur ndien paqe ose gëzim. Disa vullnetarë mund t’i tregojnë shprehjet dhe përvojat e tyre dhe më pas anëtarët e klasës mund të diskutojnë atë që mësuan.
-
Një mënyrë tjetër për ta shqyrtuar këshillën e Pjetrit te 1 Pjetër 1:3–9; 2:19–24; 3:14–17; 4:12–19 është t’i ftojmë anëtarët e klasës të mendojnë rreth dikujt që e njohin, i cili po përjeton një sprovë. Jepuni kohë në klasë që t’i shkruajnë një letër atij personi, përfshirë të vërteta nga këto vargje që do ta inkurajonin atë person (shih edhe DeB 121:1–8; 123:17). Më pas anëtarët e klasës mund të flasin për të vërtetat që zgjodhën.
Ne thirremi që të jemi “populli i Perëndisë”.
-
Si anëtarë të Kishës së Krishtit ne thirremi që të ndjekim Jezu Krishtin. Kjo do të thotë që zgjedhjet tona shpesh do të ndryshojnë prej atyre të njerëzve të tjerë. Si mund t’i ndihmojnë mësimet e Pjetrit te 1 Pjetër 1:13–20; 2:1–12 ata, të cilëve u jepni mësim, për ta kuptuar më mirë misionin e Shpëtimtarit dhe për të dëshiruar të bëhen më shumë si Ai? Ndoshta ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të kërkojnë në këto vargje për përshkrime të asaj se çfarë do të thotë të jemi “populli i Perëndisë” (1 Pjetër 2:10) dhe më pas diskutoni atë që gjejnë. Mund të shpjegoni se fjala “i fituar” te 1 Pjetër 2:9 do të thotë “i blerë” ose “i ruajtur” (shih poshtëshënimin f në Biblën në anglisht). Çfarë na mëson kjo rreth mënyrës se si ndihet Perëndia për ne dhe se si Ai dëshiron që ne të jetojmë?
Ungjilli u predikohet të vdekurve që ata të mund të gjykohen me drejtësi.
-
Letra e Parë e Pjetrit përmban një prej pak referencave në Bibël për vizitën e Jezu Krishtit në botën e shpirtrave pas vdekjes së Tij – një ngjarje që zbulesa moderne na ndihmon ta kuptojmë më plotësisht. Që t’i ndihmoni anëtarët e klasës ta thellojnë kuptimin e tyre mbi botën e shpirtrave, ju mund t’i ftoni të lexojnë shkrimet e shenjta vijuese dhe të shkruajnë në tabelë atë që mësojnë: Gjoni 5:25; 1 Pjetër 3:18–20; 4:6; Alma 40:7–14, 21; Doktrina e Besëlidhje 138:11–32.
Citimet e dhëna te pjesa “Burime Shtesë” tregojnë se vizita e Krishtit në botën e shpirtrave u kuptua dhe u dha mësim jo vetëm nga Apostujt e Tij, por edhe nga mësuesit e hershëm të krishterë. Të kuptuarit se kjo njohuri humbi gjatë Braktisjes së Madhe dhe u rivendos në kohën tonë mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që t’i forcojnë dëshmitë e tyre për Jozef Smithin dhe Rivendosjen e ungjillit.
-
Diskutimi i 1 Pjetër 3:18–20; 4:6 mund të ndihmojë që të frymëzohen anëtarët e klasës për të marrë pjesë më tërësisht në historinë familjare dhe punën në tempull. Që ta bëni këtë, ju mund ta ndani klasën në tri grupe dhe t’i jepni secilit grup një nga pyetjet vijuese rreth shëlbimit të të vdekurve: Cili është roli i Shpëtimtarit në shëlbimin e të vdekurve? Cili është roli i atyre që kanë vdekur – si besnikëve ashtu edhe atyre që vdiqën pa njohuri për ungjillin? Cili është roli ynë? Vëreni secilin grup të shqyrtojë 1 Pjetër 3:18–20; 4:6; Doktrinën e Besëlidhjet 128:17–18 138:11–32, 57–59, duke kërkuar përgjigje për pyetjen e tyre. Kërkojini secilit grup të tregojë atë që mësoi dhe merrni parasysh të lexoni citimin nga Plaku D. Tod Kristoferson ose të shfaqni një prej materialeve filmike të gjendura në pjesën “Burime Shtesë”. Çfarë bekimesh keni dëshmuar ndërkohë që keni marrë pjesë për t’u sjellë shpëtim paraardhësve tuaj të vdekur?
Nëpërmjet fuqisë së Jezu Krishtit ne mund të zhvillojmë natyrën tonë hyjnore.
-
Për t’i inkurajuar ata të cilëve u jepni mësim, në përpjekjet e tyre për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti, ju mund t’i ftoni të gjejnë cilësitë si të Krishtit, të përshkruara te 2 Pjetër 1:1–11. Merreni parasysh t’i shkruani këto cilësi në tabelë dhe t’u kërkoni anëtarëve të klasës që t’i përkufizojnë ato. Më pas anëtarët e klasës mund të diskutojnë se si zhvillimi i një cilësie çon drejt zhvillimit të cilësive të tjera. Jepuni kohë atyre që të përsiatin se cilat cilësi do të donin t’i zhvillonin më plotësisht (shih edhe Predikoni Ungjillin Tim, f. 126–127).
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Ju mund të dëshironi të shpjegoni se anëtarët e klasës do t’i studiojnë Letrat e Gjonit gjatë javës së ardhshme. Këto letra ndihmojnë për të korrigjuar mësimet e rreme për Jezu Krishtin dhe mund t’i forcojnë dëshmitë tona për realitetin e gjallë të Shpëtimtarit.
Burime Shtesë
Puna e shëlbimit të të vdekurve dëshmon për misionin e Krishtit.
Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim:
“Teologët e krishterë prej kohësh janë ndeshur me pyetjen: ‘Cili është fati i miliardave të panumërueshme të njerëzve që kanë jetuar dhe vdiqën pa asnjë njohuri për Jezusin?’ Me Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit ka ardhur kuptueshmëria për mënyrën se si shëlbehen të vdekurit e papagëzuar dhe për mënyrën se si Perëndia mund të jetë ‘një Perëndi i përsosur, i drejtë dhe gjithashtu një Perëndi i mëshirshëm’ [Alma 42:15].
Ndërsa ishte ende në jetë, Jezusi profetizoi se Ai do t’u predikonte edhe të vdekurve [shih Gjoni 5:25]. Pjetri na tregon se kjo ndodhi në kohën midis Kryqëzimit dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit [shih 1 Pjetër 3:18–19]. Presidenti Jozef F. Smith mori dëshmi në një vegim se Shpëtimtari e vizitoi botën e shpirtrave [shih DeB 138:30, 33]. …
Shqetësimi ynë për t’i shëlbuar të vdekurit dhe koha e burimet që harxhojmë për atë zotim, janë, mbi të gjitha, shprehje e dëshmisë sonë në lidhje me Jezu Krishtin. Ajo përbën një shpallje me gjithë fuqinë tonë lidhur me karakterin dhe misionin e Tij hyjnor. Ajo dëshmon, së pari, për Ringjalljen e Jezu Krishtit; së dyti, për shtrirjen e pafundme të Shlyerjes së Tij; së treti, që Ai është burimi i vetëm i shpëtimit; së katërti, që Ai i ka krijuar kushtet për shpëtim; dhe, së pesti, që Ai do të vijë sërish” (“The Redemption of the Dead and the Testimony of Jesus”, Ensign ose Liahona, nëntor 2000, f. 9–10).
Shkrime të mësuesve të hershëm të krishterë (shekujt e parë deri të tretë) rreth predikimit tek të vdekurit.
Origeni: “Kur [Jezusi] u bë një frymë [një shpirt], pa mbulimin e trupit, Ai banoi mes atyre frymëve që ishin pa mbulesën trupore, duke i kthyer drejt vetes së Tij të gjithë prej tyre që ishin të gatshëm” (te The Ante‑Nicene Fathers, red. Alexander Roberts and James Donaldson [1907], 4:448).
Hermasi: “Apostujt dhe mësuesit që e predikuan emrin e Birit të Perëndisë, pasi kishin rënë në gjumë në fuqinë dhe besimin ndaj Birit të Perëndisë, u predikuan edhe atyre që kishin rënë në gjumë përpara tyre” (te The Apostolic Fathers, përkth. J. B. Lightfoot [1898], f. 472).