“23–29 Dhjetor. Zbulesa 12–22: ‘Kush Fiton do t’i Trashëgojë të Gjitha Gjërat’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“23–29 Dhjetor. Zbulesa 12–22”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
23–29 Dhjetor
Zbulesa 12–22
“Kush Fiton do t’i Trashëgojë të Gjitha Gjërat”
Çfarë ju mëson beteja midis së mirës dhe së ligës, e përshkruar te Zbulesa, për rëndësinë e ndjekjes së Krishtit këtu në tokë? Pas përsiatjes së këtij parimi, merrni parasysh nevojat e anëtarëve të klasës suaj. Çfarë të vërtetash nga Zbulesa mund t’i ndihmojnë ata të bëjnë zgjedhje të drejta?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ndërkohë që anëtarët e klasës i afrohen fundit të studimit të Dhiatës së Re, nxitini që të shprehin mendimet e tyre rreth Dhiatës së Re. Si i ka forcuar dëshmitë e tyre studimi i shkrimeve të shenjta që bënë ata?
Jepni Mësim Doktrinën
Ne fitojmë mbi Satanin “me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë [sonë]”.
-
Të mësuarit për Luftën në Qiell mund të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë jetën në tokë. Anëtarët e klasës mund të lexojnë Përkthimin prej Joseph Smith‑it, Zbulesa 12:7–11 (në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta) dhe të përcaktojnë se si fituam mbi Satanin dhe ushtritë e tij në Luftën në Qiell. Çfarë idesh të tjera mund të fitojmë nga pjesët për Luftën në Qiell tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta? (Shih topics.lds.org). Çfarë mësojmë që mund të na ndihmojë ta mundim kundërshtarin gjatë jetës sonë në vdekshmëri?
-
Çfarë do të thotë që Qengji “ishte vrarë që nga krijimi i botës”? (Zbulesa 13:8; shih edhe Zbulesa 5:6.) Merreni parasysh t’i ndihmoni anëtarët e klasës suaj që të gjejnë përgjigje ndaj kësaj pyetjeje duke lexuar si klasë Mosian 3:13 dhe Moisiun 7:47. Çfarë do të thotë të fitojmë mbi Satanin “me anë të gjakut të Qengjit”? (Zbulesa 12:11.)
Ne duhet ta veçojmë veten tonë nga ligësia e botës.
-
Nuk është diçka e këndshme të lexoni rreth ligësisë së Babilonisë dhe rënies së saj te Zbulesa 17–18, por është udhëzuese pasi Babilonia mund të jetë simbol i botës së ligë në të cilën jetojmë sot. Ndoshta mund t’i ndani këta kapituj midis grupeve të vogla të anëtarëve të klasës dhe t’i vini të kërkojnë përgjigje për pyetjet si këto: Përse tërhiqen njerëzit drejt Babilonisë ose të qenit si bota? Përse Babilonia është e rrezikshme? Çfarë do t’i ndodhë Babilonisë? Çfarë paralajmërimesh dha Gjoni që të na ndihmonte ta shmangim fatin e Babilonisë?
-
Pas leximit të Zbulesës 18:4, anëtarët e klasës mund të duan ta diskutojnë mënyrën se si mund të “d[alin] prej” Babilonisë dhe “të mos bëhen pjesëtarë të mëkateve të saj”. Për shembull, çfarë shkrimesh të shenjta ose mesazhesh nga udhëheqësit e Kishës ju kanë ndihmuar t’u bëni ballë tundimeve të Babilonisë, ose botës? Merreni parasysh të lexoni thënien nga Plaku Kuentin L. Kuk te “Burime Shtesë”. Çfarë idesh mund të japin anëtarët e klasës rreth mënyrës se si t’i vëmë në jetë dy parimet e përmendura nga Plaku Kuk? Në çfarë kuptimi “d[alim]” nga Babilonia? (Shih, për shembull, DeB 133:12–14.) Çfarë mund të bëjmë për t’i nxitur të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë?
Ne mund të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Zotit dhe Ditën e Gjykimit.
-
Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit shpesh quhet “dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit” (Joel 2:31) dhe nisur nga Zbulesa 19–20, ky duket si një përshkrim i mirë. Merreni parasysh të shkruani në tabelë disa prej ngjarjeve të përshkruara te Zbulesa 19:5–20:15. Ftojini anëtarët e klasës që të gjejnë vargje që i përshkruajnë këto ngjarje. Përse quhen këto ngjarje të mëdha dhe të tmerrshme? Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth Shpëtimtarit dhe atyre që e ndjekin Atë? Çfarë mund të bëjmë tani që të jemi mes atyre të cilët do të gëzohen në kohën e ardhjes së Tij?
-
Që të frymëzoni një diskutim rreth librit të jetës, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të krijojnë një libër të thjeshtë duke e palosur një fletë letre më katërsh. Ata më pas mund të lexojnë Zbulesën 20:12–15, të përsiatin atë që dëshirojnë ta shkruajnë rreth tyre në librin e jetës, dhe t’i shkruajnë ato gjëra në librat e tyre. (Përshkrime për “librin e jetës” mund të gjenden te pjesa “Burime Shtesë”.) Si do të ndiheshim nëse do të thirreshim përpara fronit të Perëndisë sot? Merreni parasysh ta përdorni si pjesë të diskutimit mesazhin e Plakut Jorg Klebingat “Qasja te Froni i Perëndisë me Vetëbesim” (Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 34–37). Ju gjithashtu mund të rishikoni mesazhin e Plakut Xhefri R. Holland “Jini, pra, të Përkryer – Më së Fundi” (Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 40–42). Çfarë ndihmese japin këto mesazhe në këtë diskutim rreth përgatitjes për Ditën e Gjykimit?
Nëse jemi besnikë, ne vërtet do të bekohemi me lavdi çelestiale.
-
Edhe pse profetizohet që ditët e mëvonshme do të jenë të mbushura me ligësi dhe rrezik, shpërblimi që pa Gjoni për besnikët, e tejkalon shumë mundimin që e paraprin atë. Që t’i ndihmoni anëtarët e klasës ta shqyrtojnë këtë përfundim të bukur të Zbulesës, ju mund t’i ftoni të rishikojnë Zbulesën 21:1–22:5, duke kërkuar frazat që i frymëzojnë të përpiqen fort për lavdinë çelestiale. Çfarë premtimesh u bëhen besnikëve? Si na ndihmon ky përshkrim kur përballemi me sfidat dhe sprovat tona të tanishme?
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Që t’i frymëzoni anëtarët e klasës për ta studiuar Librin e Mormonit vitin e ardhshëm – individualisht dhe me familjet e tyre – tregoni disa prej këtyre premtimeve profetike.
Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Pa asnjë ngurrim ju premtoj se, nëse secili prej jush do ta zbatojë këtë program të thjeshtë, pavarësisht nga sa herë më parë mund ta keni lexuar Librin e Mormonit, do të vijë në jetën tuaj dhe në shtëpitë tuaja një përmasë e shtuar e Shpirtit të Zotit, një vendosmëri e forcuar për të ecur me bindje ndaj urdhërimeve të Tij dhe një dëshmi më e fortë për realitetin e gjallë të Birit të Perëndisë” (“A Testimony Vibrant and True”, Ensign, gusht 2005, f. 6).
Presidenti Tomas S. Monson: “I përgjërohem secilit prej nesh që me lutje ta studiojmë dhe ta përsiatim Librin e Mormonit çdo ditë. Teksa e bëjmë këtë, ne do të jemi në gjendje ta dëgjojmë zërin e Shpirtit, t’i bëjmë ballë tundimit, t’i mposhtim dyshimin e frikën dhe të marrim ndihmën e qiellit në jetën tonë” (“Fuqia e Librit të Mormonit”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 87).
Burime Shtesë
Zgjedhja e drejtësisë kundrejt ligësisë së Babilonisë.
Plaku Kuentin L. Kuk dha mësim:
“Nuk mund ta shmangim botën. Një ekzistencë e izoluar nuk është përgjigjja. Në një kuptim pozitiv, ndihmesa jonë ndaj botës është pjesë e sfidës sonë dhe është thelbësore nëse ne do t’i zhvillojmë talentet tona. … Anëtarët e Kishës kanë nevojë të përfshihen në botë në mënyrë pozitive. Atëherë, si e baraspeshojmë nevojën për të dhënë ndihmesë pozitivisht në botë dhe për të mos iu nënshtruar mëkateve të botës? (Shih DeB 25:10; DeB 59:9.) Dy parime do të sjellin një ndryshim domethënës.
1. Bëjuani të ditur njerëzve që jeni një shenjtor i zotuar i ditëve të mëvonshme. …
2. Jini mirëbesues ndaj bindjeve tuaja dhe jetojini ato” (“Lessons from the Old Testament: In the World but Not of the World”, Ensign, shkurt 2006, f. 54–55).
Libri i jetës.
Filipianëve 4:3; Zbulesa 3:5; 17:8; 2 Nefi 29:11; Alma 5:58; Doktrina e Besëlidhje 127:6–7, 9; 128:6–7.
“[Në një kuptim,] libri i jetës [është] tërësia e mendimeve dhe veprimeve të një njeriu – anali i jetës së tij [apo të saj]. Megjithatë, shkrimet e shenjta gjithashtu tregojnë se një anal qiellor mbahet për besimtarët, duke përfshirë emrat e tyre si dhe rrëfimet e veprave të tyre të drejta” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Libër i jetës”).