“16–22 Dhjetor. Krishtlindja: ‘Ju Lajmëroj Një Gëzim të Madh’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“16–22 Dhjetor. Krishtlindja”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
16–22 Dhjetor
Krishtlindja
“Ju Lajmëroj Një Gëzim të Madh”
Diskutimet e ungjillit janë të fuqishme shpirtërisht kur ato përqendrohen te Jezu Krishti. Teksa studioni lindjen dhe misionin e Jezu Krishtit këtë javë, kërkoni frymëzim nga Fryma e Shenjtë që të dini se si mund ta përqendroni më mirë te Shpëtimtari diskutimin e klasës suaj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë se çfarë po bëjnë ose kanë bërë në të shkuarën si individë ose familje për ta kremtuar lindjen e Shpëtimtarit në mënyra që i sjellin më pranë Tij.
Jepni Mësim Doktrinën
Mateu 1:18–25; Lluka 1:26–38; 2:1–20
Jezu Krishti denjoi të lindej në tokë.
-
Të denjosh do të thotë që vullnetarisht të zbresësh nga një pozitë rangu ose dinjiteti (shih 1 Nefi 11:14–26). Krishtlindja është një kohë e mirë për të përsiatur mbi denjimin e Krishtit dhe për ta kremtuar atë – gatishmërinë e Tij për ta lënë oborrin e Atit të Tij lart, që të jetonte me njerëzit, që të vdiste për njerëzit (shih “Again We Meet around the Board”, Hymns, nr. 186). Që të frymëzoni diskutim mbi këtë temë, mund t’i pyetni anëtarët e klasës se çfarë mësuan në studimin e tyre vetjak ose familjar këtë javë lidhur me atë se kush ishte Jezu Krishti përpara se të lindej (shih Gjoni 17:5; Mosia 7:27; DeB 76:12–14, 20–24; Moisiu 4:2). Më pas mund të paraqitni figurën nga përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ndërkohë që anëtarët e klasës lexojnë rreth lindjes së Shpëtimtarit (shih Mateu 1:18–25; Lluka 1:26–38; 2:1–20). Çfarë mendimesh dhe ndjenjash kanë kur e krahasojnë lavdinë e Shpëtimtarit para lindjes me lindjen e Tij të përulur?
-
Një pyetje si ajo që engjëlli ia bëri Nefit te 1 Nefi 11:16, mund të jetë një mënyrë e mirë për ta filluar një diskutim në klasë, edhe pse ju mund ta formuloni atë ndryshe. Ndoshta ju mund të shkruani në tabelë: Çfarë është denjimi i Perëndisë? dhe t’u kërkoni anëtarëve të klasës ta përsiatin këtë pyetje teksa lexojnë 1 Nefin 11:17–33. Kërkojuni të japin ndonjë mendim për Shpëtimtarin që e merr frymëzimin nga këto vargje. Çfarë figurash mund t’i tregoni klasës, të cilat paraqesin skena nga jeta e Shpëtimtarit, të përshkruara nga Nefi?
-
Muzika është një mënyrë e mrekullueshme se si ta ftoni Shpirtin në klasën tuaj. Merreni parasysh të luani himne Krishtlindjeje, të kënduara nga Tabernacle Choir [Kori i Tabernakullit] (shih mormontabernaclechoir.org), të ftoni dikë të këndojë një këngë Krishtlindjeje ose të lexoni apo këndoni disa himne së bashku si klasë (shih Himne, nr. 120–131). Anëtarët e klasës mund të kërkojnë fraza në këto himne dhe shkrimet e shenjta të renditura me himnet, të cilat e shtojnë mirënjohjen e tyre për Shpëtimtarin dhe gatishmërinë e Tij për të ardhur në tokë.
Jezu Krishti e përmbushi misionin e Tij, i cili bëri të mundur që ne të trashëgojmë jetë të përjetshme.
-
Që t’i ndihmoni anëtarët e klasës ta diskutojnë arsyen përse u lind Jezu Krishti, ju mund t’i ftoni të gjejnë dhe të lexojnë shkrime të shenjta që e përmbledhin misionin e Tij (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet për disa shembuj). Ndoshta anëtarët e klasës mund të kërkojnë dhe lexojnë në dyshe ose grupe të vogla. Çfarë mësojnë për misionin e Krishtit nga vargjet që gjetën? Çfarë mësojmë për misionin e Tij nga disa tituj që i janë dhënë Atij në shkrimet e shenjta? (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Jezu Krishti”).
-
Anëtarët e klasës mund të mësojnë rreth misionit të Shpëtimtarit duke lexuar dokumentin “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (Ensign ose Liahona, maj 2017, brenda kapakut të përparmë) dhe duke treguar thëniet që i gjejnë, të cilat shpjegojnë përse erdhi Ai në tokë. Ose mund të rishikojnë mesazhin nga Presidenti Gordon B. Hinkli te “Burime Shtesë” dhe të diskutojnë atë që mësojnë rreth Shpëtimtarit. Si mund të gjejmë kohë në këtë stinë Krishtlindjeje për “meditim të heshtur dhe reflektim të qetë” lidhur me Shpëtimtarin dhe misionin e Tij?
-
Jepuni kohë anëtarëve të klasës që të reflektojnë mbi dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin dhe misionin e Tij. A mund të tregojnë ata përvoja ose histori vetjake nga jeta e Shpëtimtarit, të cilat e kanë rritur besimin e tyre tek Ai ose dashurinë e tyre për Të? Si ka ndihmuar studimi i Dhiatës së Re këtë vit për një stinë më domethënëse të Krishtlindjes?
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Sugjerojuni anëtarëve të klasës suaj që studimi këtë javë i Zbulesës 12–22 mund ta thellojë vlerësimin e tyre për rolin e Shpëtimtarit në planin e shpëtimit dhe mund ta bëjë më domethënës kremtimin e Krishtlindjes prej tyre.
Burime Shtesë
Krishtlindja
Thelbi i vërtetë i Krishtlindjes.
Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim:
“Pasi gjithçka të thuhet e bëhet, … asgjë nuk është kaq e mrekullueshme, kaq madhështore, kaq e jashtëzakonshme sa ky veprim i hirit kur Biri i të Plotfuqishmit, … Ai që kishte denjuar të vinte në tokë si një foshnjë e lindur në Bethlehem, e dha jetën e Tij në poshtërim e dhembje me qëllim që të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë të të gjithë brezave të kohës, çdonjëri prej atyre që duhet të vdesë, të mund të ecë sërish dhe të jetojë përjetësisht. Ai bëri për ne atë që askush prej nesh nuk mund ta bënte për veten tonë. …
Kjo është historia mahnitëse dhe e vërtetë e Krishtlindjes. Lindja e Jezusit në Bethlehem të Judesë është parathënia. Shërbesa trivjeçare e Mësuesit është prologu. Thelbi i madhërishëm i historisë është flijimi i Tij, veprimi tërësisht vetëmohues i vdekjes plot dhembje në kryqin e Kalvarit për të shlyer për mëkatet e ne të gjithëve.
Epilogu është mrekullia e Ringjalljes, që sjell sigurinë që ‘ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin’ (1 Korintasve 15:22).
Nuk do të kishte Krishtlindje, në qoftë se nuk do të kishte pasur Pashkë. Foshnja Jezus nga Bethlehemi do të ishte veçse një foshnjë tjetër pa Krishtin shëlbues të Gjetsemanit e Kalvarit dhe faktin ngadhënjimtar të Ringjalljes.
Unë besoj në Zotin Jezu Krisht, Birin e Perëndisë së Amshuar, të Gjallë. Askush kaq i madhërishëm nuk ka ecur ndonjëherë në tokë. Askush tjetër nuk ka bërë një flijim të krahasueshëm apo ka dhënë një bekim të krahasueshëm. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Unë besoj tek Ai. E shpall hyjnueshmërinë e Tij pa mëdyshje ose pa ngurrim. Unë e dua Atë. E them emrin e Tij me nderim dhe mrekullim. …
Për secilin prej jush qoftë kjo një Krishtlindje e gëzueshme. Por më e rëndësishme, dëshiroj për secilin prej jush për një kohë, ndoshta vetëm një orë, që ta kaloni në meditim të heshtur dhe reflektim të qetë mbi mrekullinë dhe madhështinë e këtij, Birit të Perëndisë. Gëzimi ynë në këtë stinë është ngaqë Ai erdhi në botë. Paqja që vjen prej Tij, dashuria e pafundme e Tij, të cilën mund ta ndiej secili prej nesh, dhe një ndjenjë gjithëpushtuese e mirënjohjes për atë që Ai na e dha lirisht me një çmim kaq të madh për Atë vetë – këto janë pjesë të thelbit të vërtetë të Krishtlindjes” (“The Wondrous and True Story of Christmas”, Ensign, dhjetor 2000, f. 4–5).