“2–8 Dhjetor. 1–3 Gjon; Judë: ‘Perëndia Është Dashuri’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“2–8 Dhjetor. 1–3 Gjon; Judë”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
2–8 Dhjetor
1–3 Gjon; Judë
“Perëndia Është Dashuri”
Çfarë temash dhe modelesh ju bëjnë përshtypje teksa lexoni 1–3 Gjonit dhe Judës? Si mund t’i përdorni ato që t’i ndihmoni anëtarët e klasës?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini disa anëtarë të klasës të japin tema ose të vërteta të veçanta që u bënë përshtypje atyre teksa i studiuan Letrat e Gjonit dhe të Judës. Çfarë mesazhesh nga këto letra ishin më domethënëse për ta dhe familjet e tyre?
Jepni Mësim Doktrinën
1 Gjon 1:5–10; 2:3–11; 3:1–3; 4:7–21; 5:1–3
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë shembuj të përsosur drite dhe dashurie.
-
Si mund t’i ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim, që ta dallojnë dritën dhe dashurinë e Atit Qiellor në jetën e tyre? Mund ta filloni duke shkruar në tabelë fjalët dritë dhe dashuri. Kërkojuni anëtarëve të klasës të japin fjalët e para që u vijnë në mendje kur mendojnë për këto dy fjalë. Ju mund ta ndani klasën në grupe dhe t’i caktoni secilit grup një nga fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta: 1 Gjon 1:5–10; 2:3–11; 3:1–3; 4:7–12; 4:16–21; 5:1–3. Grupet mund t’i shqyrtojnë këto vargje për prova të dritës dhe dashurisë së Perëndisë e për gjëra që mund t’i bëjmë për ta treguar dashurinë tonë për Perëndinë dhe fëmijët e Tij. Anëtarët nga secili grup mund t’i tregojnë më pas klasës atë që gjetën. Ju gjithashtu mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë përvoja kur e kanë ndier dritën dhe dashurinë e Atit Qiellor.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që të përsiatin mbi dritën shpirtërore në jetën e tyre? Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të shohin te një dritë në tavan ose te drita që vjen përmes një dritareje, dhe të tregojnë se çfarë dinë rreth dritës shpirtërore. Si është drita fizike e ngjashme me dritën shpirtërore? Ndoshta ju mund të shqyrtoni Psalmeve 27:1; Gjonin 1:4–5; 1 Gjonin 1:5–7; 3 Nefin 11:11; Doktrinën e Besëlidhjet 88:6–13 dhe të kërkoni ide shtesë për mënyrën se si Perëndia dhe Biri i Tij sigurojnë dritë në jetën tonë. Anëtarët e klasës mund të tregojnë edhe përvoja kur ata kërkuan dhe morën dritë shpirtërore në jetën e tyre.
-
Anëtarët e klasës mund të kënaqen duke kënduar së bashku ose duke dëgjuar një këngë rreth dritës, të tillë si “Zoti më Ësht’ Drit’” (Himne, nr. 45). Çfarë na mëson kjo këngë për mënyrën se si Zoti është i ngjashëm me një dritë? Thënia nga Plaku Robert D. Hejls te “Burime Shtesë” mund të ofrojnë ide të mëtejshme rreth mënyrës se si të fitojmë dritë më të madhe në jetën tonë.
1 Gjon 2:18–23, 26–28; 4:3; 2 Gjon 1:7–11; 3 Gjon 1:9–11; Judë
Ne mund ta forcojmë veten tonë kundrejt mësimeve të rreme.
-
Disa nga anëtarët e klasës suaj ose njerëzit e tyre të dashur mund të jenë duke hasur vështirësi për t’iu bërë ballë mësimeve të rreme që e kërcënojnë besimin e tyre. Mund të jetë ndihmuese për ta që të mësojnë atë që Gjoni dhe Juda dhanë mësim rreth braktisjes. Merreni parasysh ta ftoni gjysmën e klasës të kërkojë përshkrime të mësimeve të rreme ose të braktisjes te 1 Gjon 2:18–23, 26–28; 4:3; 2 Gjon 1:7–11; 3 Gjon 1:9–11 dhe gjysmën tjetër të klasës të kërkojë përshkrime të tilla te Letra e Judës. Ose ata mund të kërkojnë përgjigje ndaj pyetjeve të tilla si këto: Si e përcaktojnë Gjoni dhe Juda antikrishtin? (Shih edhe Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Antikrisht”, scriptures.lds.org.) A ka diçka në këto vargje që duket veçanërisht e zbatueshme për sfidat që hasim ne sot? Si mund të forcohemi kundrejt mësimeve të rreme?
-
Juda përdor figura interesante për t’i përshkruar mësuesit e rremë ose ata që “flasin keq për të gjitha gjërat që nuk i dinë” (Judë 1:10). Ju mund t’i ftoni disa anëtarë të klasës të vizatojnë në tabelë disa prej figurave të përshkruara te Judë 1:12–13, ndërkohë që anëtarë të tjerë të klasës marrin me mend se cilën frazë po vizaton personi. Si i përfaqësojnë këto figura mësuesit e rremë dhe antikrishtët? Për shembull, si krijojnë praktikat e korruptuara “njolla” në festimet tona të dashurisë hyjnore? Çfarë mund të bëjmë që të forcohemi kundrejt “tallës[ve]”? (Shih Judë 1:18–21.) Përse mund të kishte sugjeruar Juda që ne të “k[emi] dhembshuri” (Judë 1:22) për ata që e tallin ungjillin?
Kur ushtrojmë besim në Krishtin dhe lindemi nga Perëndia, ne do ta mundim botën.
-
Një prej veprimtarive të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron që të kërkoni te 1 Gjon 5 që të zbuloni mënyrën se si mund ta mundim botën. Ndoshta mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë atë që gjetën, dhe ta shkruajnë në tabelë. (Ju mund të dëshironi t’u jepni ca kohë në orën mësimore që ta shqyrtojnë shkurtimisht kapitullin.) Ose mund ta ftoni klasën të lexojë pjesë nga mesazhi i Plakut Nil L. Andersen “Mundja e Botës” (Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 58–62) dhe të tregojnë atë që mësojnë. Për shembull, çfarë idesh fitoni nga historitë që tregoi Plaku Andersen rreth Presidentit Dejvid O. Mek‑Kei dhe Plakut Brus D. Porter? Ndoshta anëtarët e klasës mund të japin vetë shembujt e tyre për njerëz të cilët ata mendojnë se kanë bërë përpjekje për ta mundur botën.
Gëzimi vjen kur ne i ndihmojmë të tjerët të “ecin në të vërtetën”.
-
Ndoshta ka njerëz në klasën tuaj që mund të ndihen sikurse u ndie Gjoni kur ai tha se nuk kishte “gëzim më të madh” sesa të dëgjonte që Gaji (njëri nga “bijtë” e tij) po ecte në të vërtetën. Anëtarët e klasës mund të përfitojnë nga dëgjimi i përvojave të njëri‑tjetrit. Ndoshta ju mund ta filloni duke lexuar së bashku 3 Gjonin 1:1–4 dhe shkrimet e shenjta të renditura në pjesën “Burime Shtesë”. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth burimit të gëzimit të vërtetë? Anëtarët e klasës mund të flasin për mënyrën se si janë ndier si prindër, misionarë, udhëheqës të Kishës apo mësues kur e dinin se njerëzit të cilëve u dhanë mësim, po ecnin në të vërtetën. Ju mund të kontaktoni disa anëtarë të klasës përpara orës mësimore dhe kërkojuni të sjellin fotografi të njerëzve që i ndihmuan të silleshin te Krishti, dhe të tregojnë rreth përvojave të tyre.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Si mund të na mësojnë rreth planit të Perëndisë për fëmijët e Tij simbole të tilla si dragonjtë, bishat me krahë dhe qengjat e therur? Ftojini anëtarët e klasës të mendojnë rreth kësaj pyetjeje teksa studiojnë Zbulesën gjatë dy javëve në vazhdim.
Burime Shtesë
Drita e shpërbën errësirën.
Plaku Robert D. Hejls dha mësim se ne mund ta shpërbëjmë errësirën nga jeta jonë dhe të ecim në dritë:
“Kur isha i ri, ngisja biçikletën natën kur kthehesha për në shtëpi nga stërvitja e basketbollit. Do të lidhja një gjenerator të vogël në formë dardhe te rrota e biçikletës sime. Më pas teksa pedaloja, rrota do të rrotullonte një rotor të vockël, i cili prodhonte elektricitet dhe lëshonte një rreze të vetme drite, të dashur. Ishte një mekanizëm i thjeshtë, por i efektshëm. Por më duhej të pedaloja që ta vija në punë! Shpejt mësova se, nëse e ndaloja pedalimin e biçikletës, drita do të fikej. Gjithashtu mësova se, kur isha ‘plotësisht i përfshirë’ [DeB 58:27] në pedalim, drita do të bëhej më e ndritshme dhe errësira përpara meje do të shpërbëhej.
Krijimi i dritës shpirtërore vjen nga pedalimi i përditshëm shpirtëror. Vjen nga lutja, studimi i shkrimeve të shenjta, agjërimi dhe shërbimi – nga të jetuarit e ungjillit dhe bindja ndaj urdhërimeve” (“Out of Darkness into His Marvelous Light”, Ensign, maj 2002, f. 71).