“20–26 Shkurt. Mateu 6–7: ‘Ai i Mësonte, si Një që Ka Autoritet’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“20–26 Shkurt. Mateu 6–7”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
20–26 Shkurt
Mateu 6–7
“Ai i Mësonte, si Një që Ka Autoritet”
Fillojeni përgatitjen nga vetja, teksa përgatiteni të jepni mësim. Studioni kapitujt Mateu 6–7 dhe mbajini shënim mbresat tuaja shpirtërore. Kjo do t’ju ndihmojë të merrni zbulesë për mënyrën se si t’i plotësoni më së miri nevojat e klasës suaj. Më pas, shqyrtojeni këtë përvijim të mësimit për ide për mësimdhënien.
Ftojini të Tregojnë
Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë se cilat prej fragmenteve te Predikimi në Mal mendojnë se janë më të nevojshmet sot. Nxitini anëtarët e klasës t’i tregojnë ide të mëtejshme njëri-tjetrit.
Jepeni Mësim Doktrinën
Nëse ua vëmë veshin mësimeve të Zotit dhe veprojmë sipas tyre, jeta jonë do të ndërtohet mbi një themel të sigurt.
-
Cilat mësime të veçanta nga Mateu 6–7 do të jenë më të dobishme për ata të cilëve u jepni mësim? Merrni parasysh të shkruani në tabelë disa referenca nga Mateu 6–7 që i përmbajnë këto mësime. Anëtarët e klasës mund të zgjedhin një prej referencave për ta studiuar në heshtje dhe më pas të shkruajnë në tabelë ndonjë të vërtetë shpirtërore që mësojnë. Si kanë ndikuar në jetën tonë këto mësime?
-
Shpëtimtari e mbylli predikimin e Tij me një shëmbëlltyrë që mund ta ndihmojë klasën tuaj ta kuptojë më mirë rëndësinë e të jetuarit në përputhje me mësimet e Shpëtimtarit (shih Mateu 7:24–27; shih edhe Helamani 5:12). Me qëllim që ta përfytyrojnë këtë shëmbëlltyrë, anëtarët e klasës mund të punojnë së bashku për të ndërtuar një themel të fortë duke përdorur kallëpe ndërtimi, gota ose materiale të tjera dhe më pas ta vënë në provë forcën e themeleve të tyre. Ndoshta ata mund edhe t’i emërtojnë materialet e tyre të ndërtimit sipas gjërave që mund të bëjnë për t’i vënë në zbatim mësimet e Shpëtimtarit. Si mundet bërja e këtyre gjërave të na ndihmojë t’u bëjmë ballë stuhive të jetës?
Shpëtimtari na mësoi se si të lutemi.
-
Studimi i Lutjes së Zotit mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të dallojnë mënyrën se si ata mund t’i përmirësojnë vetë lutjet e tyre duke ndjekur shembullin e Zotit. Ju mund t’i ftoni të shkruajnë në tabelë fraza nga Mateu 6:9–13 (ose Lluka 11:1–4), të cilat u bien në sy atyre. Teksa i përsiatim fjalët e Shpëtimtarit, çfarë mësojmë rreth lutjes? Mund të jetë udhëzuese për anëtarët e klasës që t’i parafrazojnë disa prej frazave të Shpëtimtarit si gjëra që mund t’i thonë në vetë lutjet e tyre. Për shembull, “Bukën tonë të përditshme na e jep sot”, mund të parafrazohet si: “Të lutem më ndihmo në përpjekjet e mia për të siguruar të ardhura për familjen time”.
-
Pasi të lexoni si klasë te Mateu 6:5–13 ju mund të diskutoni pyetje të tilla si këto: Si e ka forcuar lutja marrëdhënien tuaj me Atin Qiellor? Si ju ka ndihmuar lutja që të arrini ta njihni vullnetin e Perëndisë?
Ati Qiellor u përgjigjet lutjeve.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta forcojnë besimin e tyre se Perëndia do t’i dëgjojë e do t’u përgjigjet lutjeve të tyre, ju mund të shkruani në tabelë lypni, kërkoni dhe trokitni. Pastaj anëtarët e klasës mund të kërkojnë në shkrimet e shenjta për shembuj të njerëzve që “lypën”, “kërkuan” dhe “trokitën” (për shembuj, shih 1 Nefi 11:1; Ethëri 2:18–3:6; Joseph Smith – Historia 1:11–17). Çfarë mësojmë nga këta shembuj rreth marrjes së përgjigjeve për lutjet tona?
-
Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të përfytyrojnë sikur kanë një shok, i cili ngurron të kërkojë udhërrëfim apo bekime nga Zoti. Çfarë mund të thonë anëtarët e klasës për ta inkurajuar këtë shok? Si mund t’i përdorin ata fjalët e Shpëtimtarit te Mateu 7:7–11?
Ne mund t’i dallojmë profetët e vërtetë dhe të rremë nga frytet e tyre.
-
Anëtarët e klasës suaj ka të ngjarë të kenë hasur filozofi të rreme apo mashtrime të tjera të kundërshtarit, qoftë në internet, qoftë nga burime të tjera. Ata gjithashtu mund të kenë dëgjuar njerëz të tjerë t’i kritikojnë shërbëtorët e Zotit. Si mund t’i ndihmoni që ta kuptojnë mënyrën se si t’i dallojnë profetët dhe mësimet e rreme nga ato të vërteta? Ju mund të paraqitni disa kokrra frutash dhe t’i pyesni se çfarë mund të supozojmë lidhur me pemët të cilave u përkasin ato. Si na ndihmon ky ushtrim të kuptojmë vargjet te Mateu 7:15–20? Ju gjithashtu mund të lexoni së bashku disa mesazhe të kohëve të fundit nga profetët e gjallë. Çfarë “fryte[sh]” apo rrjedhojash vijnë kur ndjekim këshillën e tyre?
-
Mateu 7:15–20 mund të ndihmojë në forcimin e besimit të anëtarëve të klasës për misionin hyjnor të Profetit Jozef Smith. Cilat janë frytet e punës që përmbushi Jozef Smithi? Për disa ide, shih mesazhin e Plakut Nil L. Andersen “Jozef Smithi” (Liahona, nëntor 2014, f. 28–31). Si mund ta përdorim analogjinë e Shpëtimtarit te Mateu 7:15–20 për t’u dhënë dëshmi miqve e familjes sonë për Profetin Jozef?