“27 Shkurt – 5 Mars. Mateu 8; Marku 2–4; Lluka 7: ‘Besimi Yt të Shpëtoi’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“27 Shkurt – 5 Mars. Mateu 8; Marku 2–4; Lluka 7”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
27 Shkurt – 5 Mars
Mateu 8; Marku 2–4; Lluka 7
“Besimi Yt të Shpëtoi”
Përgatitja juaj për të dhënë mësim fillon ndërsa i studioni plot lutje kapitujt Mateu 8; Marku 2–4 dhe Lluka 7. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund ta përmirësojë studimin tuaj dhe të nxitë ide për mësimdhënien përveç atyre që paraqiten këtu.
Ftojini të Tregojnë
Anëtarët e klasës suaj mund të kenë gjetur ide të fuqishme gjatë studimit të tyre vetjak të mrekullive në këta kapituj (shih listën e shërimeve nga Shpëtimtari në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës t’ia tregojnë idetë e tyre një partneri apo të gjithë klasës.
Jepeni Mësim Doktrinën
Mrekullitë ndodhin sipas vullnetit të Perëndisë dhe besimit tonë te Jezu Krishti.
-
Si mund t’i përdorni rrëfimet për mrekullitë e Shpëtimtarit për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta rritin besimin e tyre tek Ai? Ju mund t’u kërkoni atyre të renditin në tabelë disa nga shërimet e kryera mrekullisht nga Mateu 8; Marku 2 dhe Lluka 7. Anëtarët e klasës mund të diskutojnë mënyrën se si njerëzit që u shëruan, e treguan besimin e tyre në Krisht. Çfarë na mësojnë këto rrëfime rreth besimit dhe mrekullive? Anëtarët e klasës mund të tregojnë të vërteta shtesë rreth besimit dhe mrekullive nga Mormoni 9:15–21; Ethëri 12:12–16; Moroni 7:27–37 dhe Doktrina e Besëlidhje 35:8 (shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mrekulli”). Kur kemi parë mrekulli teksa kemi ushtruar besim te Jezu Krishti?
-
Rrëfimi i mrekullive te Marku 2:1–12 na mëson, midis të tjerave, vlerën e të punuarit së bashku në unitet për të ndihmuar Shpëtimtarin në dhënien e shërbesës ndaj atyre që kanë nevoja shpirtërore dhe fizike. Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës që ta shqyrtojnë rrëfimin nga shkrimet e shenjta dhe të tregojnë ide shtesë nga mesazhi i Plakut Çi Hong (Sam) Uong “Shpëtoni në Unitet” (Liahona, nëntor 2014, f. 14–16; shih edhe “Burime Shtesë”). Çfarë mund të mësojmë nga Marku 2:1–12 rreth vlerës së të punuarit në unitet për t’u shërbyer njerëzve në nevojë? (Shih edhe Marku 3:24–25.)
Jezu Krishti ka fuqi për të sjellë paqe në mes të stuhive të jetës.
-
Ju mund të jeni në dijeni të disa prej sfidave që po hasin anëtarët e klasës suaj. Për shkak se të gjithë kemi sprova në njëfarë pike të jetës sonë, rishikimi i tregimit te Marku 4:35–41 mund ta ndërtojë besimin e anëtarëve të klasës se Shpëtimtari mund t’u sjellë paqe atyre. Jepini secilit person një copë letër dhe kërkojuni atyre të shkruajnë në njërën anë një sprovë që e kanë përjetuar. Në anën tjetër, kërkojuni atyre të shkruajnë diçka nga Marku 4:35–41 që i frymëzon të kthehen te Shpëtimtari gjatë sprovave të tyre. Nxitini anëtarët e klasës që të tregojnë atë që shkruan, nëse ndihen rehat për ta bërë këtë.
-
Himni “M’sues, Furtuna po Shtohet” (Himne, nr. 55) bazohet në historinë te Marku 4:35–41. Ndoshta anëtarët e klasës mund të gjejnë fjalë në himn që lidhen me frazat në shkrimet e shenjta. Ju gjithashtu mund të tregoni një figurë që përshkruan skenën (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 40) dhe të diskutoni se cilin çast po përshkruan artisti. Cilat janë disa mënyra të tjera me anë të të cilave ju mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës ta kuptojnë domethënien dhe fuqinë e kësaj mrekullie?
Kur marrim falje për mëkatet tona, dashuria jonë për Shpëtimtarin thellohet.
-
Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i gruas dhe mësimet e Shpëtimtarit te Lluka 7:36–50 kur kërkojmë falje për mëkatet tona? Si na ndihmon pendimi për të ardhur më pranë Jezu Krishtit? Si ndikon ky rrëfim te mënyra se si i shohim njerëzit që kanë mëkatuar?
Burime Shtesë
“Kur [Jezusi] pa besimin e tyre.”
Plaku Çi Hong (Sam) Uong dha këndvështrimin vijues rreth rrëfimit te Marku 2:1–12:
“Do të doja të ndaja me ju edhe një thesar tjetër të fshehur që gjendet në këtë rrëfim të shkrimit të shenjtë. Ai është në vargun 5: ‘Jezusi, kur pa besimin e tyre’ (theksimi i shtuar). Nuk e kisha vënë re këtë në të kaluarën – besimin e tyre. …
Kush ishin ata njerëz që i përmendi Jezusi? Ata mund të përfshinin shumë mirë të katër [njerëzit] që e mbartën burrin e paralizuar, vetë burrin, njerëzit që ishin lutur për të, dhe të gjithë ata që ishin atje duke dëgjuar predikimin e Jezusit e duke brohoritur qetësisht në zemrat e tyre për mrekullinë që do të ndodhte së shpejti. Ata mund të përfshinin edhe një bashkëshort/e, një prind, një bir apo një bijë, një misionar/e, një president kuorumi, një presidente të Shoqatës së Ndihmës, një peshkop dhe një mik të largët. Të gjithë ne mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Ne gjithmonë duhet të përfshihemi me zell në kërkimin për t’i shpëtuar njerëzit në nevojë” (“Shpëtoni në Unitet”, Liahona, nëntor 2014, f. 16).