“20–26 Mars. Mateu 13; Lluka 8; 13: ‘Kush Ka Vesh për të Dëgjuar, le të Dëgjojë!’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“20–26 Mars. Mateu 13; Lluka 8; 13”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
20–26 Mars
Mateu 13; Lluka 8; 13
“Kush Ka Vesh për të Dëgjuar, le të Dëgjojë!”
Ndërsa lexoni, mendoni për pyetje që mund të kenë anëtarët e klasës suaj teksa përpiqen t’i kuptojnë mesazhet e shëmbëlltyrave. Çfarë mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar? Si mund t’ju përgatitë studimi juaj për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre?
Ftojini të Tregojnë
Rishikojeni me klasën pjesën “Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta” tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë metodat që përdorën për të studiuar kapitujt te Mateu 13 dhe Lluka 8; 13.
Jepeni Mësim Doktrinën
Zemrat tona duhet të përgatiten për ta pranuar fjalën e Perëndisë.
-
Si mund ta përdorni shëmbëlltyrën e mbjellësit për t’i frymëzuar anëtarët e klasës suaj që t’i përgatitin zemrat e tyre për ta pranuar fjalën e Perëndisë? Ju mund të shkruani në tabelë fjalët Dishepuj dhe Të Tjerë. Ftojini anëtarët e klasës që të lexojnë te Mateu 13:10–17 dhe të kërkojnë mënyrën se si e përshkroi Shpëtimtari ndryshimin midis dishepujve të Tij dhe të tjerëve që i dëgjuan shëmbëlltyrat e Tij. Më pas kërkojuni anëtarëve të klasës që të hulumtojnë vargjet 18–23, duke kërkuar atë që mund t’i bëjë veshët tanë “të rëndë” [në dëgjim] apo të na mbyllen sytë ndaj gjërave shpirtërore. Çfarë udhëzimi po marrim në kohën tonë nga Perëndia dhe shërbëtorët e Tij? Si mund të kultivojmë një “tokë të mirë” për të marrë udhëzimin e tyre? (Vargu 23.)
-
Ju mund t’i ftoni disa anëtarë të klasës që secili të vijë i përgatitur për të dhënë mësim një pjesë nga mesazhi i Presidentit Dallin H. Ouks “Shëmbëlltyra e Mbjellësit” (Liahona, maj 2015, f. 32–35). Çfarë i shton mesazhi i tij kuptueshmërisë sonë për shëmbëlltyrën?
Shëmbëlltyrat e Jezusit na ndihmojnë të kuptojmë rritjen, fatin dhe vlerën e Kishës së Tij.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që t’i kuptojnë të vërtetat rreth Kishës që u dhanë mësim në shëmbëlltyrat e Jezusit te Mateu 13? Ju mund t’i renditni disa nga shëmbëlltyrat në tabelë (shih përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 313–325). Anëtarët e klasës mund të studiojnë një ose më shumë shëmbëlltyra individualisht ose në grupe të vogla dhe ta tregojnë atë që mësuan për rritjen dhe fatin e Kishës së Krishtit.
-
Çfarë mësojmë rreth vlerës së përkatësisë në Kishë nga shëmbëlltyrat e thesarit të fshehur në arë dhe e margaritarit me vlerë të madhe, të cilat gjenden te Mateu 13:44–46? Disa anëtarë të klasës suaj (ose njerëz që ata i njohin) mund të kenë bërë sakrifica – të vogla apo të mëdha – për t’u bërë anëtarë të Kishës. Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë sakrificat që kanë bërë ata apo i kanë parë të tjerët të bëjnë në mënyrë që t’i përkasin Kishës. Çfarë bekimesh kanë ardhur si rrjedhojë? Ftojini anëtarët e klasës që të përsiatin mbi atë që ndihen të nxitur të sakrifikojnë për Shpëtimtarin.
Në mbarim të botës, Zoti do t’i mbledhë të drejtët e do t’i shkatërrojë të ligjtë.
-
Si mund ta ndihmoni klasën tuaj të nxjerrë mësime nga shëmbëlltyra e grurit dhe e egjrës, të cilat do t’i ndihmojnë ata të mbeten shenjtorë besnikë të ditëve të mëvonshme? Filloni duke e ftuar një anëtar të klasës që të bëjë një përmbledhje të shëmbëlltyrës dhe interpretimit të saj. Cilat janë disa mësime në këtë shëmbëlltyrë për kohën tonë? Përse është e rëndësishme të dimë që Zoti i lejon shenjtorët e tij të “rriten bashkë” (Mateu 13:30) me të ligjtë deri në kohën e të korrave? Si mund ta mbajmë të fortë besimin tonë te Jezu Krishti, kur ligësia është kudo rrotull nesh? Si mund të na ndihmojnë Krishti? Doktrina e Besëlidhje 86:1–7 dhe thënia e Plakut L. Tom Perri te pjesa “Burime Shtesë” mund të japin ide shtesë për zbatimin e kësaj shëmbëlltyre në ditët e mëvonshme.
Burime Shtesë
Ne duhet ta ushqejmë të mirën.
Plaku L. Tom Perri dha mësim: “Ai armik i vjetër i të gjithë njerëzimit ka gjetur aq shumë mjete sa mund të mendojë që ta shpërndajë egjrën andej-këndej. Ai ka gjetur mënyra për t’i bërë ato të depërtojnë madje dhe në shenjtërinë e vetë shtëpive tona. Mënyrat e liga dhe të kësaj bote janë bërë kaq të përhapura sa duket se nuk ka asnjë mënyrë reale për t’i shkulur ato. Ato vijnë përmes telave dhe nëpërmjet ajrit pikërisht në mjetet që i kemi krijuar për të na mësuar dhe argëtuar. Gruri dhe egjrat janë rritur pranë njëra-tjetrës. Një shërbëtor që administron fushën, duhet që, me të gjithë fuqinë e tij apo të saj, të ushqejë atë që është e mirë dhe ta bëjë aq të fortë e të bukur sa egjrat nuk do të përbëjnë asnjë joshje si për syrin ose veshin” (“Gjetja e Paqes së Qëndrueshme dhe Ndërtimi i Familjeve të Përjetshme”, Liahona, nëntor 2014, f. 44).