“13–19 Mars. Mateu 11–12; Lluka 11: ‘Unë do t’ju Jap Çlodhje’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“13–19 Mars. Mateu 11–12; Lluka 11”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
13–19 Mars
Mateu 11–12; Lluka 11
“Unë do t’ju Jap Çlodhje”
Lexojini kapitujt te Mateu 11–12 dhe Lluka 11 gjatë javës përpara se të jepni mësim. Kjo do t’ju japë kohë të përsiatni dhe të merrni zbulesë rreth asaj se ku të përqendroheni gjatë orës mësimore.
Ftojini të Tregojnë
Zbatimi i parimeve që gjejmë te shkrimet e shenjta, në jetën tonë është një mënyrë e rëndësishme për të provuar fuqinë e fjalës së Perëndisë. Nxitini anëtarët e klasës të tregojnë atë që gjetën këtë javë gjatë studimit të tyre të shkrimeve të shenjta, që mund t’i zbatojnë në jetën e tyre. Dhënia e një shembulli se si i keni vënë ju në zbatim shkrimet e shenjta, mund të ndihmojë për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që të tregojnë shembujt e tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën
Jezu Krishti do të na japë çlodhje teksa ne mbështetemi tek Ai.
-
Te Mateu 11:28–30, Shpëtimtari dha mësim se Ai do të na ndihmojë të mbartë barrët tona të rënda, nëse e pranojmë ftesën e Tij: “Merrni mbi vete zgjedhën time” (vargu 29). Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta kuptojnë më mirë këtë premtim, ju mund të tregoni një figurë të një zgjedhe (shih përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) dhe tregoni fakte të këtilla: zgjedhat krijohen për të ndihmuar kafshët që të mbajnë ngarkesa të rënda ose të mbarojnë punë dhe zgjedhat shpesh prodhohen që t’i shkojnë për shtat kafshës. Çfarë i shtojnë këto hollësi kuptueshmërisë sonë për vargjet te Mateu 11:28–30? Çfarë ftesash gjejmë në këto vargje? Çfarë bekimesh na premtohen? Ju mund të tregoni gjithashtu premtimin nga Presidenti Rasëll M. Nelson që gjendet te pjesa “Burime Shtesë”.
-
Të gjithë ne kemi barrë që mund të bëhen të lehta nëpërmjet fuqisë së Jezu Krishtit. Për ta nxitur diskutimin rreth kësaj, ju mund të ftoni anëtarë të klasës që t’i lexojnë dhe diskutojnë vargjet te Mateu 11:28–30 me dikë tjetër në klasë. Ato mund të përfshijnë pyetje të këtilla në diskutimin e tyre: Cilat janë disa shembuj të barrëve që mund të mbartë një njeri? Çfarë kemi nevojë të bëjmë që të vijmë te Krishti? Çfarë do të thotë ta marrim mbi vete zgjedhën e Shpëtimtarit? Si e keni ndier Shpëtimtarin t’jua lehtësojë barrët ndërsa jeni drejtuar tek Ai? Anëtarët e klasës mund të gjejnë ide shtesë te mesazhi i Plakut Dejvid A. Bednar “I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi” (Liahona, maj 2014, f. 87–90).
Shabati është një ditë për të bërë mirë.
-
Me zellin e tyre për ta mbajtur ditën e Shabatit të shenjtë, farisenjtë kishin vënë në zbatim rregulla të ashpra dhe tradita të krijuara nga njerëzit, të cilat përfundimisht e pështjelluan kuptueshmërinë e tyre për qëllimin e vërtetë të Shabatit. Për të nisur një diskutim rreth arsyes përse Zoti na e dha ditën e Shabatit, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të rishikojnë vargjet te Mateu 12:1–13. Çfarë na mësojnë këto rrëfime rreth qëllimit të Shabatit? Çfarë idesh të tjera rreth Shabatit marrim nga Eksodi 31:16–17; Isaia 58:13–14 dhe Doktrina e Besëlidhje 59:9–13? Si ka ndryshuar marrëdhënia jonë me Shpëtimtarin teksa jemi përpjekur që ta mbajmë të shenjtë ditën e Tij?
-
Ndërkohë që farisenjtë e vinin theksin te rregullat e shumta e të hollësishme lidhur me Shabatin, Shpëtimtari dha mësim një parim të thjeshtë: “[Ë]shtë … e lejueshme të bësh të mirën të shtunën” (Mateu 12:12). Çfarë parimesh të tjera na ndihmojnë ta mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit? (Shih thënien nga Presidenti Rasëll M. Nelson te pjesa “Burime Shtesë”). Përse parimet janë më të efektshme se lista me rregulla teksa përpiqemi fort për të zhvilluar mbështetje shpirtërore te vetja.
-
Mesazhi i Presidentit Rasëll M. Nelson “Shabati Është një Kënaqësi” (Liahona, maj 2015, f. 129–132) dhe materialet filmike me këshillën e Plakut Xhefri R. Holland te pjesa “Burime Shtesë” mund t’i shtojnë vlerë diskutimit rreth ditës së Shabatit.
Burime Shtesë
Në një zgjedhë me Jezu Krishtin
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Ju vini te Krishti që të jeni në një zgjedhë me Të dhe me fuqinë e Tij, pra që të mos e tërhiqni të vetëm barrën e jetës. Ju po e tërhiqni barrën e jetës me Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin e botës dhe papritmas problemet tuaja, pavarësisht se sa të rënda janë, bëhen më të lehta” (“The Mission and Ministry of the Savior: A Discussion with Elder Russell M. Nelson”, Ensign, qershor 2005, f. 18).
“Çfarë shenje dua t’i jap Perëndisë?”
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Kur më duhej të merrja një vendim nëse një veprimtari ishte e duhur apo jo për Shabatin, unë thjesht e pyesja veten: ‘Çfarë shenje dua t’i jap Perëndisë?’ Ajo pyetje i bënte zgjedhjet e mia për ditën e Shabatit tepër të qarta” (“Shabati Është një Kënaqësi”, Liahona, maj 2015, f. 130).
Bekimet e respektimit të ditës së Shabatit.
Në një seri prej tri materialesh filmike, Plaku Xhefri R. Holland dha mësim rreth bekimeve të respektimit të ditës së Shabatit: “Upon My Holy Day – Getting Closer to God” [“Në Ditën Time të Shenjtë – Afrimi me Perëndinë”], “Upon My Holy Day – Honoring the Sabbath” [“Në Ditën Time të Shenjtë – Nderimi i Shabatit”] dhe “Upon My Holy Day – Rest and Renewal” [“Në Ditën Time të Shenjtë – Prehje dhe Përtëritje”] (ChurchofJesusChrist.org).