“8–14 Maj. Mateu 19–20; Marku 10; Lluka 18: ‘Çfarë më Mungon Tjetër?’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“8–14 Maj. Mateu 19–20; Marku 10; Lluka 18”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
8–14 Maj
Mateu 19–20; Marku 10; Lluka 18
“Çfarë më Mungon Tjetër?”
Teksa përgatiteni për të dhënë mësim, merrni parasysh plot lutje se si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që të tregojnë atë që mësuan apo ndien gjatë studimit të tyre vetjak.
Ftojini të Tregojnë
Mund të jetë e dobishme që të diskutoni herë pas here përvojat e përgjithshme të anëtarëve të klasës që kanë me të mësuarit e ungjillit të përqendruar te shtëpia. Çfarë përvojash të suksesshme mund të tregojnë ata? Çfarë pengesash ose sfidash po hasin? Çfarë këshille mund t’i japin ata njëri-tjetrit?
Jepeni Mësim Doktrinën
Martesa midis një burri dhe një gruaje është thelbësore në planin e përjetshëm të Perëndisë.
-
Gjithnjë e më shumë, pikëpamjet e botës mbi martesën largohen nga e vërteta e ungjillit. Që ta ndihmoni klasën tuaj të mësojë rreth pikëpamjeve të Perëndisë mbi martesën, ju mund t’i ftoni të lexojnë te Mateu 19:3–9 dhe të renditin në tabelë të vërtetat që i gjejnë lidhur me martesën. Ata gjithashtu mund të renditin të vërteta shtesë që i gjejnë në fragmentet vijuese: Zanafilla 1:27–28; 1 Korintasve 11:11; Doktrina e Besëlidhje 42:22; 49:15–17; 131:1–4; 132:19 dhe Moisiu 3:18, 21–24. Si përforcohen këto të vërteta te dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”? (ChurchofJesusChrist.org.)
Çdo njeri mund ta marrë bekimin e jetës së përjetshme, pavarësisht se kur e pranon ungjillin.
-
Çfarë do t’i ndihmonte anëtarët e klasës suaj që t’i vënë në jetë parimet në shëmbëlltyrën e punëtorëve në vresht? Ju mund t’i ftoni disa anëtarë të klasës që të përgatitin një dramatizim të shëmbëlltyrës për t’ia paraqitur klasës. Pas paraqitjes, njerëzit që portretizojnë punëtorët, mund të tregojnë se si u ndien rreth pagesës që morën dhe përse. Çfarë sugjeron kjo shëmbëlltyrë rreth mbretërisë së qiellit? Çfarë idesh shtesë fitojmë rreth kësaj shëmbëlltyre nga mesazhi i Plakut Xhefri R. Holland “Punëtorët në Vresht”? (Liahona, maj 2012, f. 31–33.)
Mateu 19:16–22; Marku 10:17–27
Shpëtimtari do të na udhëzojë se si të shkojmë më pranë Tij kur e kërkojmë ndihmën e Tij.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që të përcaktojnë e vënë në jetë parime të historisë së të riut pasanik? Një metodë mund të jetë që t’u kërkojmë atyre të lexojnë vargjet te Marku 10:17–27 dhe të marrin parasysh nëse janë ndier ndonjëherë si i riu pasanik. Çfarë na ka ndihmuar që ta ndjekim këshillën e Shpëtimtarit edhe pse ka qenë e vështirë për ta bërë këtë? Anëtarët e klasës mund të jenë të gatshëm të tregojnë përvoja kur bënë pyetjen: “Çfarë më mungon tjetër” (Mateu 19:20) dhe morën për veten një nxitje për t’u përmirësuar. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që mund të shkurajohen duke u përqendruar tek ajo që u mungon, ju mund të lexoni thënien te pjesa “Burime Shtesë”.
-
Anëtarët e klasës mund të kenë lexuar një mesazh të konferencës që lidhet me këto vargje siç sugjerohet tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet . Ftojini të tregojnë idetë që morën.
Ne duhet t’i mirëbesojmë mëshirës së Perëndisë, jo drejtësisë sonë vetjake.
-
Shëmbëlltyra e Shpëtimtarit që krahason lutjen e një fariseu me atë të një tagrambledhësi, mund t’ju ndihmojë të nxirrni në pah qëndrimin që Zoti kërkon nga ata që përpiqen ta ndjekin Atë. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta vënë në jetë këtë shëmbëlltyrë në kohën tonë, ju mund t’i ftoni ta rishkruajnë lutjen e fariseut në një mënyrë që përdor hollësi bashkëkohore, por shpreh të njëjtat qëndrime. Ata mund të bëjnë të njëjtën gjë me lutjen e tagrambledhësit dhe më pas të tregojnë atë që shkruan. Si lidhen vargjet 15–17 dhe 18–24 me atë që Shpëtimtari e dha mësim në këtë shëmbëlltyrë? Mund të doni të jepni edhe thënien vijuese lidhur me këto vargje nga Plaku Dejll G. Renland: “Mesazhi për ne është i qartë: një mëkatar i penduar afrohet më pranë Perëndisë sesa afrohet njeriu i vetëshpallur i drejtë, i cili e dënon atë mëkatar” (“Bariu Ynë i Mirë”, Liahona, maj 2017, f. 31).
Burime Shtesë
Le të mos jemi të kënaqur apo të shkurajuar.
Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim:
“Nëse pyetim me çiltërsi: ‘Çfarë më mungon tjetër?’ [Perëndia] nuk do të na lërë të hamendësojmë, por me dashuri Ai do të na përgjigjet për hir të lumturisë sonë. Dhe Ai do të na japë shpresë.
Kjo është një përpjekje dërrmuese dhe do të ishte shumë e frikshme nëse në përpjekjet tona për shenjtëri ne do të ishim vetëm. E vërteta e lavdishme është që nuk jemi vetëm. Ne kemi dashurinë e Perëndisë, hirin e Krishtit, ngushëllimin dhe udhërrëfimin e Shpirtit të Shenjtë dhe shoqërimin e nxitjen e bashkëshenjtorëve në trupin e Krishtit. Le të mos jemi të kënaqur me vendin ku jemi, por as të mos shkurajohemi” (“Buka e Gjallë që Zbriti nga Qielli”, Liahona, nëntor 2017, f. 39).