“15–21 Maj. Mateu 21–23; Marku 11; Lluka 19–20; Gjoni 12: ‘Ja po … Vjen Mbreti Yt’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“15–21 Maj. Mateu 21–23; Marku 11; Lluka 19–20; Gjoni 12”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
15–21 Maj
Mateu 21–23; Marku 11; Lluka 19–20; Gjoni 12
“Ja po … Vjen Mbreti Yt”
Ndërsa lexoni te Mateu 21–23; Marku 11; Lluka 19–20 dhe Gjoni 12, kërkoni parime që do të ndihmojnë të plotësoni nevojat e njerëzve që u jepni mësim. Fryma e Shenjtë do t’ju frymëzojë të dini se si t’i ndihmoni anëtarët e klasës që t’i zbulojnë ato parime.
Ftojini të Tregojnë
Disa ditë përpara orës mësimore, ftojini disa anëtarë të klasës që të vijnë të përgatitur në klasë për të treguar një përvojë të cilën e patën ndërkohë që studionin kapitujt e caktuar për këtë javë. Kërkojuni që t’iu tregojnë rreth bekimeve që u vijnë teksa ata i studiojnë shkrimet e shenjta gjatë javës.
Jepeni Mësim Doktrinën
Shpëtimtari na njeh personalisht.
-
Anëtarët e klasës suaj ka të ngjarë që janë ndier të lënë pas dore apo të harruar nganjëherë në jetën e tyre. Tregimi për Zakeun mund t’i ndihmojë ta kuptojnë se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i njohin ata dhe kujdesen për ta. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta përshtatin këtë tregim me jetën e tyre, ftojini të përfytyrojnë sikur janë Zakeu. Çfarë mendoni se mësoi ai rreth Shpëtimtarit prej kësaj përvoje? Çfarë mund të mësojmë nga përpjekjet e Zakeut rreth kërkimit për Shpëtimtarin?
Mateu 21:1–11; Marku 11:1–11; Lluka 19:29–44; Gjoni 12:12–16
Jezu Krishti është Mbreti ynë.
-
Një veprimtari e thjeshtë mund të fillojë një diskutim rreth hyrjes ngadhënjimtare të Shpëtimtarit në Jerusalem: Disa anëtarë të klasës mund të vizatojnë në tabelë gjëra që lidhen me një mbret, të tilla si një kurorë ose një fron, ndërkohë që të tjerët përpiqen të gjejnë se çfarë po vizatojnë. Më pas anëtarë të tjerë të klasës mund të vizatojnë një kërriç dhe degë pemësh. Çfarë lidhje kanë këto gjëra me një mbret? Më pas ju mund të tregoni një figurë të hyrjes ngadhënjimtare të Shpëtimtarit nga përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe ftojini anëtarët e klasës të lexojnë te Marku 11:1–11. Si e dalluan këta njerëz Jezusin si Mbretin e tyre? Si e adhurojmë ne Jezu Krishtin si Mbretin tonë nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve tona?
Dy urdhërimet e mëdha janë ta duam Perëndinë dhe t’i duam të tjerët porsi veten.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që ta kuptojnë se “nga këto dy urdhërime” – ta duam Perëndinë dhe të afërmin tonë – “varet i tërë ligji dhe profetët”? (Mateu 22:40.) Pasi të lexoni së bashku te Mateu 22:34–40, ju mund të shkruani në tabelë Duaje Perëndinë dhe Duaje të Afërmin Tënd. Jepini secilit anëtar të klasës një copë letre me një urdhërim të shkruar në të. Ftojini disa nga ata që ta lexojnë urdhërimin e tyre dhe të bisedojnë rreth mënyrës se si urdhërimi na ndihmon t’i bindemi njërit apo të dyja urdhërimeve të mëdha. Pasi ta diskutojnë urdhërimin e tyre, ata mund ta vendosin letrën në tabelë. Përse është e rëndësishme që të kujtoni se të gjitha urdhërimet lidhen me dy urdhërimet e mëdha? (Shih “Burime Shtesë”.)
Ne do të mbrohemi kur i shmangemi ndjekjes së udhëheqësve të verbër.
-
A do të përfitonin anëtarët e klasës suaj nga diskutimi i shprehjes “udhëheqës të verbër”, të cilën Shpëtimtari e përdori për të përshkruar farisenjtë dhe skribët e verbër shpirtërisht? (Mateu 23:16.) Ju mund të mendoni një mënyrë që të tregoni se si do të ishte për dikë që të ndiqte një njeri i cili nuk mund të shihte. Ose klasa mund të renditë në tabelë karakteristikat e një udhëheqësi të verbër, siç përshkruhen te Mateu 23:13–33. Për t’i shtuar listës, merrni parasysh të shihni shkrime të shenjta shtesë të cilat na mësojnë rreth verbërisë shpirtërore, të tilla si 2 Korintasve 4:3–4; 2 Nefi 9:28–32 dhe Jakobi [LiM] 4:14. Si mund t’i dallojmë udhëheqësit e verbër dhe t’u shmangemi atyre?
Burime Shtesë
Dashuria për Perëndinë dhe dashuria për të afërmit tanë është themeli i gjithçkaje që ne bëjmë.
Duke iu referuar dy urdhërimeve të mëdha që gjenden te Mateu 22:37–39, Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim:
“Bindja ndaj këtyre dy urdhërimeve siguron një mënyrë për të përjetuar më shumë paqe dhe gëzim. Kur e duam e i shërbejmë Zotit dhe i duam e u shërbejmë të afërmve tanë, natyrshëm do të ndiejmë më shumë lumturi e cila nuk ka asnjë mënyrë tjetër më të mirë në të cilën të na vijë.
Ta duam Perëndinë dhe t’i duam të afërmit tanë është themeli doktrinor i dhënies së shërbesës; i të mësuarit të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha; i adhurimit shpirtëror në ditën e Shabatit dhe i punës për shpëtimin në të dyja anët e velit, e përkrahur në Shoqatat e Ndihmës dhe kuorumet e pleqve. Të gjitha këto gjëra bazohen tek urdhërimet hyjnore për ta dashur Perëndinë dhe për t’i dashur të afërmit tanë. A mund të ketë diçka më themelore, më kryesore dhe më të thjeshtë sesa kjo?” (“Ungjilli i Vërtetë, i Kulluar dhe i Thjeshtë i Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2019, f. 29.)