Dhiata e Re 2023
14–20 Gusht. Romakëve 7–16: “Munde të Keqen me të Mirën”


“14–20 Gusht. Romakëve 7–16: ‘Munde të Keqen me të Mirën’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)

“14–20 Gusht. Romakëve 7–16”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023

rrënoja të Romës së lashtë

14–20 Gusht

Romakëve 7–16

“Munde të Keqen me të Mirën”

Lexojini kapitujt te Romakëve 7–16 dhe mbajini shënim mbresat që merrni rreth mënyrës se si t’i ndihmoni anëtarët e klasës që të mësojnë nga shkrimet e shenjta. Teksa i përsiatni mbresat tuaja, ato mund të çojnë te veprimtari kuptimplote të të mësuarit.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Merrni parasysh të lexoni te Romakëve 10:17 dhe 15:4 dhe t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të tregojnë shkrimet e shenjta nga Romakëve 7–16, të cilat e ndërtojnë besimin e tyre te Jezu Krishti ose u japin shpresë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Romakëve 8:14–18

Ne mund të bëhemi “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit”.

  • Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne besojmë se fraza të tilla si “trashëgimtarë të Perëndisë” dhe “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” nënkuptojnë që me ndihmën e Jezu Krishtit, ne mund të bëhemi si Ati Qiellor dhe të marrim gjithçka që Ai ka (Romakëve 8:17; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 132:20–21). Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të shohin se si kjo doktrinë jepet mësim gjatë gjithë shkrimeve të shenjta, ju mund t’i ftoni ata të krijojnë dyshe ose grupe të vogla dhe të studiojnë disa nga shkrimet e shenjta të renditura te pjesa “Burime Shtesë”. Pastaj anëtarët e klasës mund të tregojnë atë që kanë mësuar dhe diskutuar se përse kjo doktrinë është kaq e rëndësishme.

  • Analogjia e dhënë nga Presidenti Dallin H. Ouks te pjesa “Burime Shtesë” mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të diskutojnë rreth mënyrës se si mund të përgatitemi për t’u bërë “trashëgimtarë të Perëndisë” (Romakëve 8:17). Cilat janë disa nga “ligjet dhe parimet” të cilave iu referua Presidenti Ouks? Çfarë ndryshimi sjell në jetën tonë dijenia që ne mund të bëhemi “trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit”? (Romakëve 8:17.)

Romakëve 8:18, 28, 31–39

“Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?”

  • Diskutimi bashkërisht rreth Romakëve 8 mund të sigurojë mundësi për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit. Merrni parasysh të paraqitni një figurë të Jezu Krishtit (shih përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) ndërsa lexoni te Romakëve 8:18, 28, 31–39 si klasë. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të tregojnë çfarëdolloj mendimi ose ndjenje që kanë pasi i kanë lexuar këto vargje. Disa mund të jenë të gatshëm të tregojnë se si i kanë fituar dëshmitë për të vërtetat që gjejnë në këto vargje.

Romakëve 13:8–10

Të gjitha urdhërimet e Perëndisë përmbushen tek urdhërimi që të duam.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë se si të gjitha urdhërimet “përmblidhen [shkurtimisht] në” urdhërimin për ta dashur “të afërmin tënd” (Romakëve 13:9), ftojini që të bëjnë në tabelë një listë të të gjitha urdhërimeve që u vijnë në mendje. Lexojini së bashku vargjet te Romakëve 13:8–10 dhe Mateu 22:36–40 dhe diskutoni si klasë për marrëdhënien ndërmjet dashurisë për Perëndinë e për të afërmin tonë dhe bindjes ndaj secilit prej urdhërimeve të renditura në tabelë. Si e ndryshon kjo e vërtetë mënyrën se si mendojmë për urdhërimet dhe bindjen? Për shembull, çfarë sugjeron kjo e vërtetë rreth qëllimit të urdhërimeve?

Romakëve 14

“Të mos e gjykojmë … njëri‑tjetrin.”

  • Për të dhënë pak kontekst për kapitullin te Romakëve 14, ju mund të vini në dukje se disa prej shenjtorëve romakë debatuan me njëri-tjetrin rreth praktikave kulturore, si zakonet e të ngrënit dhe kremtimit të ditëve të festave. Me çfarë situatash të ngjashme përballemi ne sot? Ndoshta anëtarët e klasës mund t’i hedhin një sy kapitullit Romakëve 14 dhe ta përmbledhin në një fjali këshillën e Palit. Çfarë këshille mund t’i japim njëri-tjetrit lidhur me mënyrën se si ta shmangim të qenit paragjykues? Ndoshta anëtarët e klasës mund të gjejnë ide te mesazhi i Presidentit Diter F. Uhtdorf “Të Mëshirshmit Gjejnë Mëshirë”, Liahona, maj 2012, f. 70–77.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Marrja e “gjithçka[je] që Ati … ka” (Doktrina e Besëlidhje 84:38).

Presidenti Dallin H. Ouks tregoi shëmbëlltyrën në vijim:

“Një atë i pasur e dinte se, nëse do t’ia jepte [tërë] pasurinë e tij një fëmije, i cili nuk e kishte ende të zhvilluar urtësinë dhe pjekurinë e nevojshme, trashëgimia ndoshta do të shkatërrohej. Babai i tha fëmijës së tij:

‘Gjithçka që e kam, dëshiroj të ta jap ty – jo vetëm pasurinë time, por edhe pozitën dhe vendin tim mes njerëzve. Atë që unë e kam, mund të ta jap ty me lehtësi, por atë që unë jam, ti duhet ta fitosh për veten tënde. Ti do të kualifikohesh për trashëgiminë tënde duke mësuar atë që kam mësuar unë dhe duke jetuar në mënyrën si kam jetuar unë. Unë do të të jap ligjet dhe parimet me anë të të cilave e kam fituar urtësinë dhe pjekurinë time. Ndiqe shembullin tim, bëhu mjeshtër sikurse jam bërë mjeshtër unë dhe do të bëhesh si unë dhe gjithçka që unë e kam, do të jetë e jotja’” (“The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 32).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Gjeni burime për t’i mbështetur parimet. Përveç ideve për mësimdhënien në këtë përvijim, ju mund të përshtatni veprimtaritë nga përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet për t’i përdorur në orën tuaj mësimore. (Shih edhe Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 17–18.)