Dhiata e Re 2023
31 Korrik – 6 Gusht. Veprat e Apostujve 22–28: “Shërbyes dhe Dëshmues”


“31 Korrik – 6 Gusht. Veprat e Apostujve 22–28: ‘Shërbyes dhe Dëshmues’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)

“31 Korrik – 6 Gusht. Veprat e Apostujve 22–28”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023

Pali në burg

31 Korrik – 6 Gusht

Veprat e Apostujve 22–28

“Shërbyes dhe Dëshmues”

Lexojini Veprat e Apostujve 22–28 me një lutje në zemrën tuaj që Fryma e Shenjtë do t’ju frymëzojë ta dini se në çfarë të përqendroheni që do t’i ndihmojë anëtarët e klasës suaj. Mbajeni shënim çfarëdo ideje që ju vjen në mendje; këto mund të jenë fillimi i planit tuaj mësimor.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Kërkojuni anëtarëve të klasës të shkruajnë një referencë të shkrimit të shenjtë nga Veprat e Apostujve 22–28 e cila u la mbresa këtë javë. Mblidhini përgjigjet e tyre dhe lexojini disa prej vargjeve së bashku. Ftojini disa anëtarë të klasës të tregojnë përse këto vargje janë domethënëse për ta.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Veprat e Apostujve 22:1–21; 26:1–29

Një dëshmi është një deklaratë e së vërtetës, e bazuar te njohuria apo besimi vetjak.

  • Dëshmitë e Palit drejtuar Festit dhe mbretit Agripa mund të jenë një mundësi për të diskutuar se çfarë do të thotë të japësh dëshmi. Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që t’i shqyrtojnë Veprat e Apostujve 22:1–21 ose 26:1–29. Çfarë mësojmë nga shembulli i Palit rreth dhënies së dëshmisë? Çfarë parimesh shtesë rreth dhënies së dëshmisë mësojmë nga thënia e Plakut M. Rasëll Ballard te pjesa “Burime Shtesë”? Të kënduarit apo të luajturit me vegla muzikore të himnit “Dëshmia” (Himne, nr. 75) mund ta ftojë Shpirtin në diskutimin tuaj.

  • Ndonëse Pali nuk po e kërkonte dëshminë shpirtërore që mori rrugës për në Damask, ai e kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke punuar për ta mbështetur e mbrojtur dëshminë e tij (shih Veprat e Apostujve 22:10, 14–16; 26:19). Shembulli i Palit mund ta ndihmojë klasën tuaj të kuptojë që një dëshmi kërkon punë dhe sakrificë. Për të nisur një diskutim rreth kësaj, ndoshta një anëtar i klasës mund të përshkruajë përpjekjen e tij apo të saj për t’u bërë një muzikant, artist apo atlet i aftë. Si është zhvillimi i një aftësie të tillë i ngjashëm me fitimin dhe forcimin e një dëshmie? Çfarë përpjekjesh duhet të bëjmë që ta fitojmë e ta forcojmë një dëshmi? (Shih edhe Alma 5:46.)

Veprat e Apostujve 26:9–23

Ne kemi përgjegjësi t’u japim shërbesë të tjerëve.

  • Zoti e thirri Palin për të qenë “shërbyes” (Veprat e Apostujve 26:16), por çfarë do të thotë kjo fjalë? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta shqyrtojnë mënyrën se si mund t’u japin shërbesë të tjerëve, me ose pa një detyrë formale, ju mund të shkruani në tabelë një pyetje të këtillë: Çfarë do të thotë të japësh shërbesë? Ftojini anëtarët e klasës t’i kërkojnë përgjigjet te burimet në vijim: Mateu 20:25–28; Veprat e Apostujve 26:16–18; 3 Nefi 18:29–32; Xhin B. Bingham, “Dhënia e Shërbesës Ashtu Siç e Jep Shpëtimtari”, Liahona, maj 2018, f. 104–107. Ndërsa e tregojnë atë që gjejnë, nxitini të diskutojnë për mënyrat se si ne të gjithë mund t’u japim shërbesë të tjerëve, duke përfshirë [edhe] në thirrjet tona në Kishë. Ju gjithashtu mund të shfaqni materialin filmik “The Miracle of the Roof” [“Mrekullia e Çatisë”] (ChurchofJesusChrist.org).

Veprat e Apostujve 27

Nëse ua vëmë veshin profetëve të Zotit, Ai do të na udhëheqë e do të na mbrojë nga e liga.

  • Ftojini anëtarët e klasës që të flasin rreth përgjigjes së centurionit kur Pali profetizoi se anija do të pësonte “dëm të madh” dhe do të vdisnin njerëz (shih Veprat e Apostujve 27:10–11). Pse mund të jetë përgjigjur centurioni në atë mënyrë? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë se çfarë do t’i kishin thënë centurionit për ta ndihmuar atë që të kishte besim te profecia e Palit. Çfarë mësimesh të tjera mund të mësojmë nga Veprat e Apostujve 27 rreth ndjekjes së shërbëtorëve të Zotit? Disa anëtarë të klasës mund të kenë pasur përvoja kur e ndoqën udhëzimin e profetëve edhe kur nuk pajtohej me opinionet e njerëzve përreth tyre. Ftojini disa anëtarë të klasës që të japin përvojat e tyre.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Dhënia e dëshmisë.

Presidenti M. Rasëll Ballard foli për dëshminë e Palit para mbretit Agripa dhe na mësoi se ç’kuptim ka për ne të japim dëshmi:

“Mbledhjet tona të dëshmive duhet të jenë më të përqendruara përreth Shpëtimtarit, doktrinave të ungjillit, bekimeve të Rivendosjes dhe mësimeve të shkrimeve të shenjta. Ne duhet t’i zëvendësojmë historitë, tregimet për udhëtimet dhe leksionet me dëshmi të kulluara. Ata, të cilëve u është besuar të flasin dhe të japin mësim në mbledhjet tona, duhet ta bëjnë këtë me fuqi doktrinore që do të dëgjohet dhe ndihet, duke lartësuar kështu shpirtrat dhe duke ngritur moralisht njerëzit tanë. …

… Ndërsa është gjithmonë një gjë e mirë të shprehësh dashuri e mirënjohje, shprehje të tilla nuk përbëjnë atë lloj dëshmie që do të ndezë një zjarr besimi në jetën e të tjerëve. Të dëshmosh do të thotë ‘të japësh dëshmi me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë; të bësh një deklaratë solemne të së vërtetës të bazuar mbi njohurinë ose besimin personal’ [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, ‘Dëshmoj’, scriptures.ChurchofJesusChrist.org]. Deklarata e qartë e së vërtetës sjell një ndryshim në jetën e njerëzve. Është pikërisht kjo ajo që i ndryshon zemrat. Kjo është ajo që Fryma e Shenjtë mund të konfirmojë në zemrat e fëmijëve të Perëndisë” (“Pure Testimony”, Liahona, nëntor 2004, f. 41; [“Dëshmi e Kulluar”, Konferenca e Përgjithshme tetor 2004, f. 58, 59]).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përgatituni paraprakisht. “Teksa përsiatni se si parimet e ungjillit që po i jepni mësim, do t’i bekojnë anëtarët e klasës suaj, ide dhe mbresa do të vijnë gjatë jetës suaj të përditshme – teksa udhëtoni për në punë, bëni punët e shtëpisë ose ndërveproni me familjen dhe miqtë. Mos mendoni për përgatitjen shpirtërore si diçka për të cilën krijoni kohë, por si diçka që ju po e bëni gjithmonë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 12).