“4–10 Shtator. 1 Korintasve 14–16: ‘Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“4–10 Shtator. 1 Korintasve 14–16”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
4–10 Shtator
1 Korintasve 14–16
“Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi”
Përpara se ta shqyrtoni këtë përvijim, lexoni te 1 Korintasve 14–16. Mbajini shënim mbresat tuaja fillestare rreth asaj se cilat të vërteta do t’i ndihmojnë anëtarët e klasës suaj, dhe kërkoni në mënyrë të vazhdueshme për udhërrëfim plotësues nga Shpirti ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim.
Ftojini të Tregojnë
Jepuni pak minuta kohë anëtarëve të klasës që t’i shqyrtojnë kapitujt te 1 Korintasve 14–16 dhe të gjejnë një varg që ata ndiejnë se është posaçërisht domethënës për ta. Ftojini që të gjejnë dikë në klasë të cilit mund t’ia tregojnë vargun e tyre dhe të shpjegojnë arsyen përse e zgjodhën atë.
Jepeni Mësim Doktrinën
Kur mblidhemi së bashku, ne duhet të përpiqemi ta lartësojmë njëri-tjetrin.
-
Merrni parasysh t’i përdorni mësimet e Palit te 1 Korintasve 14 për t’u kujtuar anëtarëve të klasës që ne të gjithë mund ta lartësojmë apo mbështetim e ngremë moralisht njëri-tjetrin në kishë. Një mënyrë e thjeshtë për ta shqyrtuar këtë kapitull, mund të jetë që të shkruani një pyetje në tabelë, të tillë si: Cili duhet të jetë qëllimi ynë kur mblidhemi së bashku? Ftojini anëtarët e klasës të kërkojnë përgjigje të mundshme te 1 Korintasve 14. Ide të tjera mund të gjenden te Moroni 6:4–5 dhe Doktrina e Besëlidhje 50:17–23. Ndërsa anëtarët e klasës tregojnë atë që gjejnë, merrni parasysh t’i pyesni se si mendojnë se po ecën klasa juaj me përmbushjen e këtyre synimeve. Ata mund të tregojnë gjithashtu përvoja në të cilat ata u ndien të lartësuar moralisht nga diçka që tregoi një anëtar i klasës.
Për shkak se Jezu Krishti u ringjall, ne të gjithë do të ringjallemi.
-
Si mund ta përdorni dëshminë e Palit te 1 Korintasve 15 për t’i forcuar dëshmitë e anëtarëve të klasës suaj për Ringjalljen? Një mënyrë mund të jetë që ta ndani klasën në dy grupe dhe t’i kërkoni njërit grup të shikojë te 1 Korintasve 15 për pasojat me të cilat ne do të përballeshim nëse Jezu Krishti nuk do të ishte ringjallur. Grupi tjetër mund të kërkojë bekimet që marrim për shkak të Ringjalljes së Tij. Më pas, secili grup mund ta shkruajë në tabelë atë çfarë mësoi. Çfarë mund t’u shtojnë listave të tyre pasi ta lexojnë thënien nga Plaku D. Tod Kristoferson te pjesa “Burime Shtesë”? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta ndiejnë Shpirtin gjatë këtij diskutimi, merrni parasysh të paraqitni një figurë të Shpëtimtarit të ringjallur (shih përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) ose të luani apo këndoni një himn për Ringjalljen.
-
Për shkak se Pali po u përgjigjej njerëzve që nuk besonin në ringjallje, mund të jetë e dobishme për klasën tuaj që ta interpretojnë me role një situatë të ngjashme. Për shembull, si mund ta forcojnë ata besimin e një njeriu të dashur për Ringjalljen? Çfarë gjejmë te 1 Korintasve 15 që do të na ndihmonte ta shpjegonim nevojën për Ringjalljen e Jezu Krishtit dhe provat për të? Çfarë shkrimesh të tjera të shenjta mund të përdorim? (Shih, për shembull, Lluka 24:1–12, 36–46; Alma 11:42–45.)
-
1 Korintasve 15 është një prej vendeve të pakta në shkrimet e shenjta ku përmenden pagëzimet për të vdekurit (shih vargun 29; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 128:18). Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë për gëzimin që kanë përjetuar kur kanë kryer pagëzime apo ordinanca të tjera për paraardhësit e tyre. Përse mund t’u jetë referuar Pali pagëzimeve për të vdekurit si provë e Ringjalljes? Nëse do të ndihmonte për të diskutuar se pse janë të nevojshme pagëzimet për të vdekurit, shih artikullin te Gospel Topics [Tema të Ungjillit] “Baptisms for the Dead” [“Pagëzimet për të Vdekurit”] (topics.ChurchofJesusChrist.org). Materiali filmik “Glad Tidings: The History of Baptisms for the Dead” [“Lajme të Mira: Historia e Pagëzimeve për të Vdekurin”] (ChurchofJesusChrist.org) shpjegon se si ky parim u rivendos në kohën tonë.
Burime Shtesë
Rëndësia e Ringjalljes.
Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim:
“Merrni parasysh për një çast rëndësinë e Ringjalljes për zgjidhjen një herë e mirë të identitetit të vërtetë të Jezusit të Nazaretit dhe për përplasjet filozofike dhe pyetjet e mëdha të jetës. Nëse Jezusi në fakt u ringjall me kuptimin e plotë të fjalës, kjo ndiqet patjetër nga fakti se Ai është një qenie hyjnore. Asnjë i vdekshëm i thjeshtë nuk e ka fuqinë brenda vetes që të vijë në jetë përsëri pasi vdes. Për shkak se u ringjall, Jezusi nuk mund të ketë qenë vetëm një marangoz, një mësues, një rabbi apo një profet. Për shkak se u ringjall, Jezusi duhej të ishte një Perëndi, madje Biri i Vetëmlindur i Atit.
Prandaj, ajo që Ai dha mësim është e vërtetë; Perëndia nuk mund të gënjejë.
Prandaj, Ai ishte Krijuesi i tokës, sikurse Ai tha.
Prandaj, qielli dhe ferri janë të vërtetë, sikurse Ai dha mësim.
Prandaj, ka një botë shpirtrash që Ai e vizitoi pas vdekjes së Tij.
Prandaj, Ai do të vijë përsëri sikurse thanë engjëjt dhe ‘do të mbretërojë personalisht mbi tokë’.
Prandaj, ka një ringjallje dhe një gjykim përfundimtar për të gjithë” (“Ringjallja e Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2014, f. 113).