“18–24 Shtator. 2 Korintasve 8–13: ‘Perëndia Do një Dhurues të Gëzuar’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“18–24 Shtator. 2 Korintasve 8–13”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
18–24 Shtator
2 Korintasve 8–13
“Perëndia Do një Dhurues të Gëzuar”
Ndërsa lexoni te 2 Korintasve 8–13, mendoni për njerëzit të cilëve u jepni mësim, dhe planifikoni veprimtari që do t’i ndihmonin ata t’i zbulonin parimet në këta kapituj. Më pas, rishikojeni këtë përvijim për ide shtesë.
Ftojini të Tregojnë
Ja një mënyrë për t’i ftuar anëtarët e klasës që të tregojnë atë që mësuan nga 2 Korintasve 8–13: kërkojuni disave prej tyre të shkruajnë në tabelë një frazë të parapëlqyer nga pjesa e leximit dhe të thonë pse këto fraza janë domethënëse për ta.
Jepeni Mësim Doktrinën
Shenjtorët e ndajnë me gëzim atë që kanë, për t’i bekuar të varfrit dhe nevojtarët.
-
Perëndia i ka urdhëruar shenjtorët e Tij që të ndihmojnë për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë dhe fragmentet te 2 Korintasve 8–9 mund t’i frymëzojnë anëtarët e klasës suaj në përpjekjet e tyre. Për t’i ndihmuar që t’i gjejnë këto fragmente, ju mund të shkruani në tabelë pyetje të tilla si Përse japim? dhe Si duhet të japim? Gjysma e klasës mund t’i kërkojë përgjigjet te 2 Korintasve 8:1–15 dhe gjysma tjetër mund të kërkojë te 2 Korintasve 9:6–15. (Ju mund të shpjegoni se te kapitulli 8, vargjet 1–5, Pali foli për shenjtorët maqedonas si shembuj të dhënies me bujari.) Si mund të na ndihmojnë parimet e dhëna mësim nga Pali që të kujdesemi më mirë për të varfrit dhe nevojtarët?
Ne duhet të përqendrohemi te “thjeshtësia ndaj Krishtit” ose [thjeshtësia që ekziston në Krishtin].
-
Ndonjëherë anëtarët e Kishës ndihen të mbingarkuar nga kërkesat e jetës – përfshirë nga ato që ata mund t’i shohin si kërkesa të të qenit një shenjtor i ditëve të mëvonshme. Këshilla e Palit për ‘thjeshtësi[në] ndaj Krishtit’ (2 Korintasve 11:3) mund të ndihmojë. Ndoshta ju mund të lexoni së bashku te 2 Korintasve 11:3 dhe të diskutoni atë që mund të nënkuptojë fraza “thjeshtësia ndaj Krishtit”. Ju mund t’u kërkoni gjithashtu anëtarëve të klasës që të përfytyrojnë sikur u ftuan të shkruanin një përshkrim të ungjillit të Jezu Krishtit për një gazetë, me një kufi prej 100 fjalësh. Jepuni kohë që t’i shkruajnë përshkrimet e tyre dhe lërini t’ia tregojnë njëri-tjetrit atë që shkruan. Po t’u duhet ndihmë, ata mund t’u referohen vargjeve te Gjoni 3:16–17; 3 Nefi 27:13–21; thënies së Presidentit Diter F. Uhtdorf te pjesa “Burime Shtesë”. Anëtarët e klasës mund të japin ide për mënyrën se si ta “thjeshto[jmë] metodën t[uaj] të dishepullimit”.
Hiri i Shpëtimtarit është i mjaftueshëm për të na ndihmuar të gjejmë forcë në dobësinë tonë.
-
Çfarë do t’i thoshit një miku i cili është lutur që të gjejë lehtësim nga një ligështi, por ndien se kjo lutje nuk po merr përgjigje? Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës ta përsiatin këtë pyetje ndërsa lexojnë në heshtje te 2 Korintasve 12:5–10. Më pas ata mund të japin ide nga këto vargje, të cilat mund të ndihmojnë në këtë situatë. Ata mund të tregojnë gjithashtu përvoja kur, nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit apo fuqisë dhe ndihmës së Tij hyjnore, ata gjetën forcë në dobësi. Si ndikoi ajo përvojë në jetën e tyre? Përse është e rëndësishme t’i mirëbesojmë kohës së duhur të Zotit?
Burime Shtesë
Ne mund ta thjeshtojmë qasjen tonë ndaj të jetuarit të ungjillit.
Presidenti Diter F. Uhtdorf, dha mësim:
“Vëllezër e motra, të jetuarit e ungjillit nuk nevojitet të jetë i koklavitur.
Në të vërtetë ai është i drejtpërdrejtë. Mund të përshkruhet kështu:
-
Dëgjimi i fjalës së Perëndisë me qëllimin më të zellshëm na çon që të besojmë te Perëndia dhe t’u mirëbesojmë premtimeve të Tij.
-
Sa më shumë që e mirëbesojmë Perëndinë, aq më shumë zemrat tona mbushen me dashuri për Të dhe për njëri-tjetrin.
-
Për shkak të dashurisë sonë për Perëndinë, ne dëshirojmë ta ndjekim Atë dhe i sjellim veprimet tona në përputhje me fjalën e Tij.
-
Ngaqë e duam Perëndinë, ne dëshirojmë t’i shërbejmë Atij, dëshirojmë ta bekojmë jetën e të tjerëve dhe të ndihmojmë të varfrit e nevojtarët.
-
Sa më shumë që ecim në këtë shteg të dishepullimit, aq më shumë dëshirojmë të mësojmë fjalën e Perëndisë.
Dhe kështu vazhdon, çdo hap duke çuar drejt hapit pasues dhe duke na mbushur me besimin, shpresën dhe dashurinë hyjnore që vijnë duke u shtuar.
Është tërësisht e thjeshtë dhe funksionon tërësisht.
Vëllezër e motra, nëse mendoni se ungjilli nuk po funksionon aq mirë për ju, unë ju ftoj të bëni një hap pas, ta shihni jetën tuaj nga një nivel më i lartë dhe ta thjeshtoni metodën tuaj të dishepullimit. Përqendrohuni te doktrinat, parimet dhe zbatimet themelore të ungjillit. Ju premtoj se Perëndia do t’ju udhërrëfejë e bekojë në shtegun tuaj drejt një jete të suksesshme dhe ungjilli sigurisht do të funksionojë më mirë për ju” (“Funksionon në Mënyrë të Mrekullueshme”, Liahona, nëntor 2015, f. 22).