“11–17 Shtator. 2 Korintasve 1–7: ‘Paqtohuni me Perëndinë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“11–17 Shtator. 2 Korintasve 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
11–17 Shtator
2 Korintasve 1–7
“Paqtohuni me Perëndinë”
Ndërsa lexoni te 2 Korintasve 1–7 këtë javë, mendoni për anëtarë të veçantë të klasës – për ata që vijnë në klasë dhe për ata që nuk vijnë. Si mund të bekohen ata nga parimet në këta kapituj?
Ftojini të Tregojnë
Anëtarët e klasës mund të përfitojnë duke dëgjuar ide nga njëri‑tjetri se si ta bëjnë më të efektshëm studimin e tyre të shkrimeve të shenjta. Siguroni disa minuta kohë për këtë herë pas here.
Jepeni Mësim Doktrinën
2 Korintasve 1:3–7; 4:6–10, 17–18; 7:4–7
Sprovat tona mund të jenë një bekim.
-
Përvojat që përshkroi Pali dhe këshillat që ai dha te 2 Korintasve, mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës të mendojnë rreth bekimeve që mund të vijnë prej sprovave të tyre. Për të filluar një diskutim, ju mund t’i kërkoni një anëtari/je të klasës që të vijë i/e përgatitur për të biseduar rreth mënyrës se si e bekoi një sprovë jetën e tij apo të saj, ose atë që ai apo ajo mësoi nga dikush tjetër që e duroi mirë një sprovë. Më pas ju mund t’u jepni anëtarëve të klasës disa minuta që të shqyrtojnë 2 Korintasve 1:3–7; 4:6–10, 17–18 dhe 7:4–7, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth qëllimeve dhe bekimeve të sprovave. Kërkojuni anëtarëve të klasës ta tregojnë atë që gjejnë. Ju mund të sugjeroni që ta lexojnë me zë të lartë vargun ku ata gjetën një mësim të veçantë dhe më pas të tregojnë një përvojë apo dëshmi që lidhet me atë mësim.
-
Për t’i shtuar vlerë diskutimit tuaj, merrni parasysh që të këndoni së bashku himnet e parapëlqyera të anëtarëve të klasës, të cilat dëshmojnë për ngushëllimin dhe bekimet që Ati Qiellor dhe Shpëtimtari na ofrojnë në kohë sprovash – të tilla si “Sa i Fort’ një Themel” (Himne, nr. 41). Pasi të këndoni së bashku, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të kërkojnë një frazë te 2 Korintasve 1 dhe 4 që ata mendojnë se përputhet me mesazhin e himnit.
Falja është një bekim që edhe e japim edhe e marrim.
-
Të gjithë kemi pasur përvoja kur dikush na ka “shkaktuar trishtim” neve apo familjes sonë (vargu 5). Ndoshta anëtarët e klasës mund të hulumtojnë te 2 Korintasve 2:5–11, duke kërkuar këshilla nga Pali për mënyrën se si duhet ta trajtojmë dikë që na ka fyer. Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të shqyrtojnë vargjet te Mateu 5:43–48 dhe Lluka 15:11–32 për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si duhet t’i trajtojmë të tjerët që na kanë fyer. Si e lëndojmë veten dhe të tjerët kur zgjedhim të mos falim?
Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të paqtohemi me Perëndinë.
-
Shumë njerëz vijnë në kishë me dëshirën për t’u ndier më pranë Perëndisë dhe një diskutim mbi 2 Korintasve 5:14–21 mund t’i ndihmojë ata. Për të filluar, anëtarët e klasës mund të hulumtojnë për kuptimin e fjalës pajtoj, ndoshta të fillojnë duke e kërkuar fjalën në një fjalor. Çfarë idesh na jep kjo rreth të qenit të pajtuar me Perëndinë? Çfarë idesh shtesë marrim nga tema “Shlyej, Shlyerje” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta? Si na ndihmojnë këto ide për t’i kuptuar vargjet te 2 Korintasve 5:14–21? Ju mund të doni t’i ftoni anëtarët e klasës që të shprehin ndjenjat e tyre rreth Shpëtimtarit, Shlyerja e të cilit bën të mundur që ne të ribashkohemi me Perëndinë.
Trishtimi sipas Perëndisë çon drejt pendimit.
-
Vargjet te 2 Korintasve 7:8–11 japin një shpjegim ndihmues për trishtimin sipas Perëndisë dhe rolit të tij në pendim. Çfarë mësojmë rreth trishtimit sipas Perëndisë nga 2 Korintasve 7:8–11 dhe fjalët e Presidentit Diter F. Uhtdorf te pjesa “Burime Shtesë”? Përse trishtimi sipas Perëndisë është thelbësor për pendimin?
-
Ju mund të ndiheni të nxitur t’i jepni shtysë një diskutimi më të gjerë rreth pendimit. Nëse e bëni këtë, ju mund të provoni diçka të ngjashme me këtë: Shkruani në tabelë Pendimi është . Kërkojuni anëtarëve të klasës të gjejnë mënyra për ta plotësuar këtë frazë, duke përdorur gjëra që i mësojnë nga 2 Korintasve 7:8–11 . Si mund t’i përdorim këto mësime për ta ndihmuar dikë që të kuptojë se si të pendohet me sinqeritet?
Burime Shtesë
Trishtimi sipas Perëndisë frymëzon ndryshim dhe shpresë.
Presidenti Diter F. Uhtdorf shpjegoi:
“Trishtimi sipas Perëndisë frymëzon ndryshim dhe shpresë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Trishtimi i botës na tërheq poshtë, na e shuan shpresën dhe na bind t’i dorëzohemi tundimit të mëtejshëm.
Trishtimi sipas Perëndisë çon në kthim në besim dhe në ndryshim të zemrës. Ai bën që ne ta urrejmë mëkatin dhe ta duam mirësinë. Na nxit që të ngrihemi në këmbë dhe të ecim në dritën e dashurisë së Krishtit. Pendimi i vërtetë ka të bëjë me shndërrimin, jo me torturimin apo mundimin” (“Ti Mund t’ia Dalësh Tani!”, Liahona, nëntor 2013, f. 56).