Dhiata e Re 2023
25 Shtator – 1 Tetor. Galatasve: “Ecni sipas Frymës”


“25 Shtator – 1 Tetor. Galatasve: ‘Ecni sipas Frymës’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)

“25 Shtator – 1 Tetor. Galatasve”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023

Krishti i shfaqet Palit në burg

Shpëtimtari i ringjallur e vizitoi Palin në burg (shih Veprat e Apostujve 23:11). Jezu Krishti mund të na çlirojë nga “zgjedh[a] e skllavërisë” (Galatasve 5:1).

25 Shtator – 1 Tetor

Galatasve

“Ecni sipas Frymës”

Ndërsa lexoni dhe përsiatni plot lutje Letrën drejtuar Galatasve, Zoti do t’ju mësojë atë që nevojitet t’i tregoni klasës suaj. Shënimi i mbresave tuaja tregon mirënjohje ndaj Perëndisë për ndihmën e Tij.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Studimi i shkrimeve të shenjta shpesh çon drejt diskutimeve kuptimplota me familjen apo miqtë. A ndodhi kjo për anëtarët e klasës suaj këtë javë? Ftojini ata që të tregojnë përvojat e tyre.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Galatasve 1:6–7; 3:1–5; 4:8–21; 5:1, 13–14

Ungjilli i Jezu Krishtit ofron liri.

  • Studimi i çfarëdo libri të shkrimit të shenjtë është më i lehtë kur ne e dimë përse u shkrua. Për këtë arsye, mund të jetë mirë ta filloni diskutimin tuaj rreth Galatasve me një pyetje të tillë: “Si mendoni ju, cili ishte qëllimi për të cilin Pali e shkroi këtë letër?” ose “Çfarë problemi po përpiqej Pali të zgjidhte?” Ftojini anëtarët e klasës të kërkojnë të dhëna te Galatasve 1:6–7; 3:1–5; 4:8–21. Si lidhet mesazhi i Palit me ne sot?

  • Disa shenjtorë galatas mendonin se duhej të vazhdonin ta jetonin ligjin e Moisiut. Për Palin, kjo ishte si të jetoje me “zgjedhën e skllavërisë” krahasuar me “lirinë” që na ofron Jezu Krishti (Galatasve 5:1). Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës suaj që t’i analizojnë mësimet e Palit rreth lirisë dhe skllavërisë, ju mund t’u kërkoni atyre të përmendin qëndrime dhe veprime që na e kufizojnë rritjen dhe përparimin tonë shpirtëror (të tilla si praktika kulturore, zakone të këqija, bindje të rreme apo përqendrimi te veprimet e jashtme në vend të kthimit të brendshëm në besim). Sipas Galatasve 5:1, 13–14, si gjejmë ne çlirim nga këto qëndrime dhe veprime? Si e kemi përjetuar lirinë që gjendet nëpërmjet Jezu Krishtit? Si mund t’i përgjigjemi dikujt që mendon se të jetuarit e ungjillit e kufizon lirinë vetjake?

Galatasve 5:16–26

Nëse “ecim sipas Frymës”, ne do ta marrim “fryti[n e] Frymës”.

  • Shumë njerëz hasin vështirësi për ta dalluar ndikimin e Shpirtit. Galatasve 5 mund të ndihmojë. Ndoshta ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të hulumtojnë te Galatasve 5:22–25 për të gjetur fjalët që përdori Pali për ta përshkruar frytin e Shpirtit. Përse është fryti një metaforë e mirë për mënyrën se si Shpirti ndikon te ne? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë mënyrën se si ky fryt ka qenë i dukshëm në jetën e tyre apo në jetën e njerëzve që ata njohin. Disa burime të tjera për t’u analizuar përfshijnë vargjet te Mateu 7:16–18; Gjoni 14:26–27; Moroni 7:13–17; Doktrina e Besëlidhje 11:12–13 dhe fjalët e Presidentit Gordon B. Hinkli te pjesa “Burime Shtesë”.

mollë në pemë

Ne mund ta marrim “fryti[n e] Frymës” teksa e kërkojmë atë.

Galatasve 6:7–10

Kur mbjellim “për Frymë”, ne do t’i korrim bekimet në kohën e duhur.

  • Studimi i Galatasve 6:7–10 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që të mendojnë më thellësisht rreth pasojave afatgjata të zgjedhjeve të tyre. Për t’i ndihmuar ata, ju mund të sillni fara të llojeve të ndryshme, së bashku me bimë, fruta ose perime që rriten nga secila prej këtyre farave (ose ju mund të sillni figura të këtyre gjërave). Anëtarët e klasës mund të punojnë së bashku për ta përputhur secilën farë me gjënë që ajo prodhon. Më pas ata mund të lexojnë vargjet 7–10 dhe të bisedojnë rreth asaj se çfarë do të thotë të mbjellësh “për mish” dhe “për Frymë”. (Mesazhi nga Plaku Ulises Soares te pjesa “Burime Shtesë” mund të ndihmojë.) Çfarë korrim kur mbjellim për mish? Çfarë korrim kur mbjellim për Frymë? (Shih Galatasve 5:22–23.)

  • Disa anëtarë të klasës mund të ndihen të “lodh[ur] duke bërë të mirën” (Galatasve 6:9) – ndoshta ngaqë nuk janë të sigurt se përpjekjet e tyre po japin fryt. Një diskutim rreth Galatasve 6:7–10 mund të jetë i dobishëm. Për t’i paraqitur këto vargje, ju mund ta ftoni dikë në klasë që të flasë shkurtimisht rreth një rasti kur atij ose asaj i nevojitej durim ndërkohë që përpiqej të rriste diçka. Çfarë mund të na mësojë përvoja e këtij personi, së bashku me Galatasve 6:7–10, rreth përpjekjeve tona për të ecur “në Frymë”? (Galatasve 5:25.)

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Fryti i Frymës

Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “Ju mund t’i dalloni nxitjet e Shpirtit nëpërmjet fryteve të Shpirtit – ajo që ndriçon, ajo që ndërton, ajo që është e mirë e pozitive dhe frymëzuese dhe që na drejton drejt mendimeve, fjalëve dhe veprave më të mira, vjen nga Shpirti i Perëndisë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Gordon B. Hinkli [2016], f. 126).

Mbillni në Frymë.

Plaku Ulises Soares shpjegoi: “Të mbjellësh në Frymë do të thotë se të gjitha mendimet, fjalët dhe veprimet tona duhet të na ngrenë në nivelin e hyjnueshmërisë së prindërve tanë qiellorë. Megjithatë, shkrimet e shenjta i referohen mishit si natyra fizike apo trupore e njeriut të natyrshëm, që i lejon njerëzit të ndikohen nga pasioni, dëshirat, orekset dhe shtytjet e mishit, në vend të kërkimit për frymëzim nga Fryma e Shenjtë” (“Qëndroni në Territorin e Zotit!”, Liahona, maj 2012, f. 39).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini anëtarët e klasës që ta lartësojnë njëri‑tjetrin. “Çdo individ në klasën tuaj është një burim i pasur i dëshmisë, ideve dhe përvojave lidhur me të jetuarin e ungjillit. Ftojini të ndajnë me njëri‑tjetrin dhe ta lartësojnë njëri-tjetrin” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 5).