“2–8 Tetor. Efesianëve: ‘Për Përsosjen e Shenjtorëve’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“2–8 Tetor. Efesianëve”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
2–8 Tetor
Efesianëve
“Për Përsosjen e Shenjtorëve”
Mendimet dhe mbresat rreth asaj që duhet të jepni mësim dhe se si ta jepni mësim, do të vijnë ndërsa studioni plot lutje librin Efesianëve, fjalimet më të fundit të konferencës së përgjithshme, këtë përvijim dhe manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.
Ftojini të Tregojnë
Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të shkruajnë në tabelë një përmbledhje me një fjali për diçka që e mësuan në studimin e tyre këtë javë. Përzgjidhini në mënyrë të rastësishme disa nga përmbledhjet dhe ftojini anëtarët e klasës që i shkruan ato, të japin mendimet e tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën
Efesianëve 2:19–22; 4:4–8, 11–16
Profetët e apostujt – dhe të gjithë ne – e forcojmë dhe e bashkojmë Kishën.
-
A mundet që ju dhe klasa juaj të ndërtoni diçka së bashku për të ilustruar mënyrën se si Kisha është “ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve” dhe se si Shpëtimtari është “guri i qoshes”? (Efesianëve 2:20.) Ndoshta anëtarët e klasës mund të emërtojnë kallëpe ndërtimi apo gota plastike dhe t’i vendosin ato në formën e një kulle apo piramide, ku Jezu Krishti dhe apostujt e profetët formojnë bazën. Pastaj ju mund të tregoni atë që do të ndodhte nëse Krishti ose apostujt dhe profetët do të hiqeshin. Përse është guri i qoshes një metaforë e mirë për Jezu Krishtin dhe rolin e Tij në Kishë? (Për një përshkrim të gurit të qoshes, shih pjesën “Burime Shtesë”.) Anëtarët e klasës mund të kërkojnë tek Efesianëve 2:19–22; 4:11–16 bekimet që marrim ne për shkak të apostujve, profetëve dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës. Çfarë mund të bëjmë ne për ta ndërtuar jetën tonë mbi mësimet e tyre?
-
Nëse anëtarët e klasës suaj e dëgjuan konferencën e përgjithshme që prej herës së fundit që u takuat, ftojini ata të tregojnë mënyrën se si gjërat e dhëna mësim gjatë konferencës i ndihmuan që t’i përmbushnin qëllimet e shprehura tek Efesianëve 4:11–16.
-
Ndoshta ju mund t’u jepni anëtarëve të klasës një çast për të renditur disa nga “thirrje[t]” apo përgjegjësitë që kemi si anëtarë të Kishës së Krishtit (shih Efesianëve 4:1) – për shembull, vëlla shërbestar apo motër shërbestare, prind i drejtë, dishepull i Krishtit e kështu me radhë. Më pas ata mund t’i shkëmbejnë listat me një anëtar tjetër të klasës, të lexojnë tek Efesianëve 4:4–8, 11–16 dhe të tregojnë se si përmbushja e përgjegjësive në listat e tyre, ndihmon për ta lartësuar trupin e Krishtit. Si mund të punojmë së bashku për t’u bërë të bashkuar nën “një Zot [të] vetëm, një besim [të] vetëm, një pagëzim [të] vetëm”?
Ndjekja e shembullit të Shpëtimtarit mund t’i forcojë marrëdhëniet tona familjare.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta vënë në zbatim këshillën e Palit për marrëdhëniet familjare, ju mund të shkruani pyetje si ato që vijojnë në tabelë: Si mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit në mënyrën se si i trajtojmë pjesëtarët tanë të familjes? (Shih Efesianëve 5:25.) Çfarë do të thotë për ju: “Ndero babanë tënd dhe nënën tënde”? (Efesianëve 6:1–3.) Si t’i rritim fëmijët “në disiplinë dhe në këshillë të Zotit”? (Efesianëve 6:4.) Anëtarët e klasës mund të diskutojnë për këto pyetje, në grupe ose si klasë, teksa lexojnë shkrimet e shenjta bashkëshoqëruese. Mund t’i ftoni anëtarët e klasës të japin shembuj që kanë parë nga njerëz të cilët jetojnë sipas mënyrave që përshkruan Pali.
Armatimi i Perëndisë do të na ndihmojë të mbrohemi nga e liga.
-
Çfarë do të ndihmonte për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që të përpiqen fort për ta veshur të gjithë armatimin e Perëndisë çdo ditë? Ju mund të përgatitni një veprimtari në të cilën anëtarët e klasës të përputhin pjesët e armatimit me parimet apo virtytet që ato përfaqësojnë, siç përshkruhet tek Efesianëve 6:14–17. Si mund të na ndihmojë çdo pjesë e armatimit që të mbrohemi nga ligësia? (Për ndonjë ndihmë, shih pjesën “Burime Shtesë”.) Si e veshim këtë armaturë? Çfarë mund të bëjmë ne për të përcaktuar dhe forcuar ndonjë pikë të dobët në armatimin tonë?
Burime Shtesë
Çfarë është guri i qoshes?
Guri i qoshes është guri i parë që vendoset në një themel. Ai shërben si një pikë reference për masat dhe vendosjen e gurëve të tjerë, të cilët duhet të përputhen me gurin e qoshes. Për shkak se ai mban peshën e pjesës tjetër të ndërtesës, guri i qoshes duhet të jetë i fortë, i qëndrueshëm dhe i sigurt (shih “The Cornerstone”, Ensign, janar 2016, f. 74–75).
Armatimi i Perëndisë.
-
Ije të ngjeshura me brezin e së vërtetës:Kjo pjesë e armatimit është si një rrip i lidhur rreth belit. Fjala brez do të thotë gjithashtu i fortifikuar, i forcuar apo i përforcuar.
-
Parzmorja e drejtësisë:Një parzmore mbron zemrën dhe organet e tjera jetësore.
-
Këmbët e mbathura me gatishmërinë e ungjillit të paqes:Kjo i referohet mbulesës mbrojtëse për këmbët e një ushtari.
-
Mburoja e besimit:Një mburojë mund të mbrojë pothuaj çdo pjesë të trupit nga një shumëllojshmëri sulmesh.
-
Përkrenarja e shpëtimit:Një përkrenare mbron kokën.
-
Shpata e Shpirtit:Një shpatë na lejon që të ndërmarrim një veprim ndaj armikut.