Dhiata e Re 2023
9–15 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve: “Unë Mund të Bëj Gjithçka me anë të Krishtit që më Forcon”


“9–15 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve: ‘Unë Mund të Bëj Gjithçka me anë të Krishtit që më Forcon’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)

“9–15 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023

Pali duke diktuar një letër nga burgu

9–15 Tetor

Filipianëve; Kolosianëve

“Unë Mund të Bëj Gjithçka me anë të Krishtit që më Forcon”

Filloni duke i lexuar letrat drejtuar Filipianëve dhe Kolosianëve dhe përsiatni plot lutje doktrinën që Zoti do që ju të jepni mësim. Lëreni Shpirtin t’ju udhëheqë ndërsa merrni në shqyrtim pyetjet dhe burimet që mund të përdorni për ta dhënë mësim këtë doktrinë.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë një fjalë apo frazë që e përmbledh atë që mësuan nga letrat drejtuar Filipianëve dhe Kolosianëve, dhe më pas të shpjegojnë përse ata e zgjodhën atë fjalë ose frazë. Nxitini që të thonë vargje nga shkrimi i shenjtë si pjesë e shpjegimit të tyre.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Filipianëve 2:1–5, 14–18; 4:1–9; Kolosianëve 3:1–17

Ne bëhemi njerëz të “ri[nj]” kur e jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit.

  • Ju mund të doni t’i ndihmoni anëtarët e klasës suaj që të përfytyrojnë se çfarë do të thotë ta “zhveshë[sh] njeriun e vjetër” dhe ta “veshë[sh] njeriun e ri” nëpërmjet Jezu Krishtit (Kolosianëve 3:9–10). Për ta bërë këtë, mund të shfaqni përpara dhe pas figura të diçkaje të vjetër që është kthyer në diçka të re (si një orendi, një shtëpi ose një biçikletë). Anëtarët e klasës mund të diskutojnë mbi mënyrën se si bëhemi të “ri[nj]” nëpërmjet besimit tonë te Jezu Krishti dhe gatishmërisë sonë për ta jetuar ungjillin e Tij. Si pjesë të këtij diskutimi, ju mund t’i kërkoni gjysmës së klasës të studiojë Filipianëve 2:1–5, 14–18; 4:1–9 dhe gjysmës tjetër të studiojë Kolosianëve 3:1–17, duke përcaktuar karakteristikat e “njeriu[t të] vjetër” dhe të “njeriu[t të] ri”. Ju mund t’i ftoni gjithashtu disa anëtarë të klasës që të tregojnë se si të pasurit besim te Jezu Krishti dhe të jetuarit e ungjillit të Tij i kanë ndihmuar ata që të bëhen njerëz të rinj.

Filipianëve 4:1–13

Ne mund të gjejmë gëzim te Krishti, pavarësisht nga rrethanat tona.

  • Edhe pse rrethanat tona janë të ndryshme nga ato të Palit, të gjithë ne mund të mësojmë nga gatishmëria e tij për të qenë i kënaqur në të gjitha rrethanat e jetës së tij dhe për t’u gëzuar në to. Për ta filluar diskutimin mbi këtë temë, ju mund të rishikoni disa nga sprovat që përjetoi Pali (shih për shembull 2 Korintasve 11:23–28). Më pas ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të rishikojnë Filipianëve 4:1–13 për të gjetur këshillat që dha Pali, të cilat mund të na ndihmojnë të gëzohemi, madje edhe në kohë sprove.

  • Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja kur e ndien “paq[en] e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie” (Filipianëve 4:7) ose kur u ndien të forcuar “me anë të Krishtit” (vargu 13) për të arritur diçka që përndryshe nuk do të mund ta kishin arritur.

  • Nëse doni ta analizoni më tej këtë temë, ju mund t’i kërkoni një anëtari të klasës që të tregojë disa rrëfime apo thënie frymëzuese nga biseda e Presidentit Rasëll M. Nelson “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore” (Liahona, nëntor 2016, f. 81–84). Ose klasa mund të shikojë materialin filmik “Trial of Adversity” [“Sprova e Fatkeqësisë”] (ChurchofJesusChrist.org). Si gjetën gëzim njerëzit në bisedën e Presidentit Nelson apo gruaja në materialin filmik, pavarësisht nga rrethanat e tyre të vështira?

  • Për shkak se e keqja po shtohet në botën e sotme, anëtarët e klasës suaj do të përfitojnë nga këshilla e Palit për të “mend[uar]” gjëra që janë të pastra, të dashura, me famë të mirë, të virtytshme apo të denja për t’u lavdëruar (Filipianëve 4:8). Ndoshta ju mund t’i caktoni çdo anëtari të klasës (ose grupeve të vogla të anëtarëve të klasës) një prej cilësive të renditura te Filipianëve 4:8 ose te Nenet e Besimit 1:13. Secili prej tyre mund të përdorë materialin Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta për të gjetur shkrime të shenjta rreth cilësisë që i është caktuar, dhe t’ia tregojë klasës atë që gjen. Ata gjithashtu mund të tregojnë shembuj të asaj cilësie në jetën e njerëzve. Si i “kërkojmë këto gjëra”?

Kolosianëve 1:12–23; 2:2–8

Kur ne “rrënj[osemi]” te Jezu Krishti, ne forcohemi ndaj ndikimeve të botës.

  • Dëshmia e Palit për Shpëtimtarin që gjendet te Kolosianëve 1:12–23; 2:2–8, siguron një mundësi të mirë që anëtarët e klasës ta përsiatin dhe ta forcojnë vetë besimin e tyre. Anëtarët e klasës mund t’i hulumtojnë këto vargje për të gjetur gjëra që e forcojnë besimin e tyre te Jezu Krishti. Çfarë do të thotë të jesh i “rrënj[osur] dhe [i] ndërtuar në [Jezu Krishtin]”? (Kolosianëve 2:7.) Figura e një peme në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe materiali filmik “Spiritual Whirlwinds” [“Vorbullat Shpirtërore”] (ChurchofJesusChrist.org) mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës që të diskutojnë për këtë varg. Çfarë mund t’i forcojë apo dobësojë rrënjët e një peme? Si na forcon kundër ndikimeve të botës të qenit të “rrënj[osur] dhe [të] ndërt[uar] në [Jezu Krishtin]”? (Shih Kolosianëve 2:7–8; shih edhe Helamani 5:12; Ethëri 12:4.)

    2:25
  • Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të renditin gjëra që vargjet te Kolosianëve 1:12–23; 2:2–8 na mësojnë se mund të bëjmë, për të shmangur “mashtrime[t e] kota” të cilat mund ta “bë[jnë] pre…” besimin tonë te Krishti (Kolosianëve 2:8). Si mund ta mbështetim njëri-tjetrin në përpjekjet tona për të ndjekur Shpëtimtarin dhe për të shmangur mashtrimet e Satanit?

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdoreni muzikën. Muzika e shenjtë e fton ndikimin e Frymës së Shenjtë. Ajo mund të krijojë një mjedis nderimi dhe të frymëzojë zotim e veprim. Merrni parasysh mënyrën se si “mës[imi] dhe këshill[imi i] njëri-tjetri[t] me psalme [dhe] himne” mund të jetë pjesë e klasës suaj (Kolosianëve 3:16; shih edhe Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 22).