Dhiata e Re 2023
13–19 Nëntor. Jakob [Bibël]: “Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues”


“13–19 Nëntor. Jakob [Bibël]: ‘Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)

“13–19 Nëntor. Jakob [Bibël]”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023

të rinj e të reja duke pastruar një mur

13–19 Nëntor

Jakob [Bibël]

“Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues”

Përpara leximit të këtij përvijimi, lexojeni Letrën e Jakobit dhe kushtojuni vëmendje nxitjeve që merrni. Çfarë parimesh gjeni që do t’i bekonin e lartësonin anëtarët e klasës suaj?

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë vargje nga Jakobi që i frymëzojnë të jenë “bërës të fjalës” (Jakob [Bibël] 1:22). Nëse nuk është shumë vetjake, ata gjithashtu mund të tregojnë atë që mendojnë se kanë nevojë të kryejnë, individualisht ose si familje.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Jakob [Bibël] 1:5–6

Kur kërkojmë me besim, Perëndia jep pa kursim.

  • Parimet e dhëna mësim te vargjet Jakob [Bibël] 1:5–6 e drejtuan Jozef Smithin drejt një përvoje shpirtërore që ia ndryshoi jetën dhe mund ta bekojnë secilin prej nesh në njëfarë mënyre. Ndoshta mund të shkruani në tabelë pyetje si ato vijueset dhe kërkojuni anëtarëve të klasës t’i përsiatin ato në heshtje: Çfarë ndikimi ka pasur Jakob [Bibël] 1:5–6 në jetën tuaj? Çfarë ju ka mësuar përvoja e Jozef Smithit me këto vargje rreth kërkimit të urtësisë për vetë pyetjet tuaja? (Shih Joseph Smith – Historia 1:10–17.) Cilat përvoja ju kanë mësuar se “dëshmia e Jakobit [është] e vërtetë”? (Joseph Smith – Historia 1:26.) Ftojini anëtarët e klasës që të japin mendimet që kanë pasi t’i përsiatin këto pyetje.

  • Ndoshta anëtarët e klasës mund t’i shprehin vargjet te Jakob [Bibël] 1:5–6 me vetë fjalët e tyre. Si mund t’i ndihmojë kjo që t’i kuptojnë më mirë këto vargje? Mund të doni të diskutoni së bashku se çfarë nënkuptojnë disa prej këtyre vargjeve.

Jakob [Bibël] 1:2–4; 5:7–11

Nëse durojmë me qëndrueshmëri, Zoti do të na prijë drejt përsosjes.

  • Që të filloni një diskutim mbi mësimet e Jakobit rreth durimit në këto vargje, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të tregojnë përvoja kur atyre iu desh të ishin të duruar dhe atë që mësuan prej asaj përvoje. Më pas ata mund të kërkojnë te Jakob [Bibël] 1:2–4; 5:7–11 parime që lidhen me përvojat e tyre. Ata gjithashtu mund të gjejnë parime të zbatueshme te materiali filmik “Continue in Patience” [“Vazhdoni me Durim”] (ChurchofJesusChrist.org) apo te mesazhi i Presidentit Diter F. Uhtdorf “Vazhdoni me Durim” (Liahona, maj 2010, f. 56–59). Anëtarët e klasës mund të tregojnë atë që kanë mësuar për durimin ndërsa kanë arritur ta njohin Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin. Çfarë na ka ndihmuar që të zhvillojmë durim?

Jakob [Bibël] 1:3–8, 21–25; 2:14–26

“Besimi, pa vepra, është i vdekur.”

  • Një mënyrë për t’i diskutuar mësimet e Jakobit rreth besimit dhe veprave, mund të jetë duke e ndarë klasën tuaj në dy grupe – njërin që të shqyrtojë përse besimi kërkon veprim dhe tjetrin që të shqyrtojë përse veprimet tona kërkojnë besim. Për ta bërë këtë, ata mund të lexojnë te Mateu 7:21–23; Jakob [Bibël] 1:6–8, 21–25; 2:14–26; dhe Joseph Smith – Historia 1:19. Më pas secili grup mund të tregojë atë që gjeti dhe të diskutojë përse janë të nevojshme si besimi ashtu edhe veprat.

    Abrahami duke u lutur jashtë tendës së vet

    “Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi” (Jakob [Bibël] 2:23). Abraham on the Plains of Mamre [Abrahami në Rrafshinat e Mamreut], nga Grant Romney Clawson

  • Që t’i ndihmoni anëtarët e klasës të përsiatin më thellësisht frazën mbresëlënëse “Besimi, pa vepra, është i vdekur” (Jakob [Bibël] 2:26), ju mund të shkruani në tabelë fjalinë vijuese: Besimi, pa vepra, është si pa . Ftojini anëtarët e klasës të mendojnë mënyra krijuese se si ta plotësojnë fjalinë dhe lejojini t’i shkruajnë idetë e tyre në tabelë. Çfarë mund të bëjmë që të veprojmë vazhdimisht sipas besimit tonë te Jezu Krishti?

Jakob [Bibël] 2:1–9

Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne i duam të gjithë njerëzit, pavarësisht nga rrethanat e tyre.

  • Që të ndihmoni për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që të tregojnë dashuri si të Krishtit ndaj kujtdo pavarësisht nga gjendja ose pamja e jashtme e të tjerëve, ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të lexojnë me radhë vargje nga Jakob [Bibël] 1:9–11; 2:1–9; 5:1–6. Diskutoni pyetje si ato që vijojnë: Çfarë do të thotë të “bëni preferenca personale”? (Jakob [Bibël] 2:9.) Përse nganjëherë ne i trajtojmë ata që kanë para, famë ose fuqi ndryshe nga ata që nuk i kanë? Si mund ta shmangim trajtimin e të tjerëve ndryshe nisur nga fakti se cilat janë rrethanat e tyre? Në çfarë mënyre janë pasuesit besnikë të Shpëtimtarit me të vërtetë më të pasurit nga të gjithë? (Shih Jakob [Bibël] 2:5.)

Jakob [Bibël] 3

Fjalët që përdorim, kanë fuqinë t’i lëndojnë ose t’i bekojnë të tjerët.

  • Figurat e fuqishme që përdori Jakobi, mund të na kujtojnë e të na japin shtysë për t’i përdorur fjalët – si të folura dhe të shkruara – për të lartësuar të tjerët. Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës t’i hedhin një sy të shpejtë kapitullit Jakob [Bibël] 3 duke kërkuar krahasimet që përdori Jakobi për të përshkruar se si fjalët mund t’i lëndojnë ose bekojnë të tjerët; disa prej anëtarëve të klasës mund t’u pëlqejë të bëjnë vizatime për ato që gjejnë. Si i ilustrojnë këto krahasime udhëzimet e Jakobit në këtë kapitull? Për shembull, si mund të jenë fjalët tona si zjarr? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja që tregojnë fuqinë që mund të ketë ajo mënyrë të foluri. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të përsiatin se si mund ta vënë në jetë këshillën e Jakobit.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Nxitni një mjedis plot respekt. “Ndihmojini anëtarët e klasës suaj për të kuptuar që secili prej tyre e ndikon shpirtin e klasës. Nxitini që t’ju ndihmojnë të krijoni një mjedis të hapur, të dashur dhe të respektueshëm, me qëllim që çdo njeri të ndihet i sigurt për të treguar përvojat, për të bërë pyetje dhe për të dhënë dëshmitë e veta” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 15).