“20–26 Nëntor. 1 dhe 2 Pjetër: ‘Ngazëllohuni nga një Hare e Patregueshme dhe e Lavdishme’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“20–26 Nëntor. 1 dhe 2 Pjetër”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
20–26 Nëntor
1 dhe 2 Pjetër
“Ngazëllohuni nga një Hare e Patregueshme dhe e Lavdishme”
Mbani mend se qëllimi juaj është t’i mësoni njerëzit, jo thjesht të paraqitni një mësim. Ndërsa lexoni Letrat e Pjetrit, mendoni për individë të caktuar në klasë. Çfarë parimesh do t’i ndihmojnë ta ndërtojnë besimin e tyre?
Ftojini të Tregojnë
Shkruani në tabelë titujt 1 Pjetër dhe 2 Pjetër . Jepuni kohë anëtarëve të klasës që t’i shqyrtojnë këto letra, dhe ftojini të shkruajnë nën këta tituj fjalë ose fraza të cilat i gjetën domethënëse. Më pas përdorini listat që t’i ftoni njerëzit për t’i dhënë idetë e tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën
1 Pjetër 1:3–9; 2:19–24; 3:14–17; 4:12–19
Unë mund të gjej gëzim gjatë kohëve të sprovës dhe vuajtjes.
-
Një mënyrë tjetër për ta shqyrtuar këshillën e Pjetrit te 1 Pjetër 1:3–9; 2:19–24; 3:14–17 dhe 4:12–19 është t’i ftojmë anëtarët e klasës të mendojnë rreth dikujt që e njohin, i cili po kalon një sprovë. Jepuni kohë në klasë që t’i shkruajnë një letër atij personi, përfshirë të vërteta nga këto vargje që do ta inkurajonin atë person (shih edhe Doktrina e Besëlidhje 121:1–8; 123:17). Më pas anëtarët e klasës mund të flasin për të vërtetat që zgjodhën.
Ne thirremi që të jemi “populli i Perëndisë”.
-
Mësimet e Pjetrit te 1 Pjetër 1:13–20 dhe 2:1–12 mund të jenë një kujtues frymëzues i mënyrës se si Zoti na sheh ne – njerëzit e Tij – dhe se çfarë pret Ai prej nesh. Ndoshta ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të hulumtojnë në këto vargje përshkrime të asaj se çfarë do të thotë të jemi “populli i Perëndisë” (1 Pjetër 2:10) dhe më pas të diskutojnë për atë që gjejnë. Mund të shpjegoni se fjala “i fituar” te 1 Pjetër 2:9 do të thotë “i blerë” ose “i ruajtur”. Çfarë na mëson kjo rreth mënyrës se si ndihet Perëndia për ne dhe se si Ai dëshiron që ne të jetojmë?
Ungjilli u predikohet të vdekurve që ata të mund të gjykohen me drejtësi.
-
Letra e Parë e Pjetrit përmban një prej pak referencave në Bibël për vizitën e Jezu Krishtit në botën e shpirtrave pas vdekjes së Tij – një ngjarje që zbulesa e kohëve të sotme na ndihmon ta kuptojmë më plotësisht. Që t’i ndihmoni anëtarët e klasës ta thellojnë kuptimin e tyre mbi botën e shpirtrave, ju mund t’i ftoni të lexojnë shkrimet e shenjta vijuese dhe të shkruajnë në tabelë atë që mësojnë: Gjoni 5:25; 1 Pjetër 3:18–20; 4:6; Alma 40:7–14, 21; Doktrina e Besëlidhje 138:11–32 (shih edhe pjesën “Burime Shtesë”). Përse është e rëndësishme që të dimë për vizitën e Shpëtimtarit në botën e shpirtrave? Si ndikon kjo njohuri te mënyra se si ndihemi për Perëndinë dhe planin e Tij të shpëtimit?
Nëpërmjet fuqisë së Jezu Krishtit ne mund të zhvillojmë natyrën tonë hyjnore.
-
Për t’i nxitur ata të cilëve u jepni mësim, në përpjekjet e tyre për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti, ju mund t’i ftoni të gjejnë cilësitë si të Krishtit, të përshkruara te 2 Pjetër 1:1–11. Merrni parasysh t’i shkruani këto cilësi në tabelë dhe t’u kërkoni anëtarëve të klasës që t’i përkufizojnë ato. Më pas anëtarët e klasës mund të diskutojnë se si zhvillimi i një cilësie çon drejt zhvillimit të cilësive të tjera. Jepuni kohë atyre që të përsiatin se cilat cilësi do të donin t’i zhvillonin më plotësisht.
Burime Shtesë
Puna e shëlbimit të të vdekurve dëshmon për misionin e Krishtit.
Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim:
“Cili është fati i miliarda njerëzve të panumërt që kanë jetuar dhe vdekur pa asnjë njohuri për Jezusin? Me Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit ka ardhur kuptueshmëria për mënyrën se si shëlbohen të vdekurit e papagëzuar dhe për mënyrën se si Perëndia mund të jetë ‘një Perëndi i përsosur, i drejtë dhe gjithashtu një Perëndi i mëshirshëm’ [Alma 42:15].
Ndërsa ishte ende në jetë, Jezusi profetizoi se Ai do t’u predikonte edhe të vdekurve [shih Gjoni 5:25]. Pjetri na tregon se kjo ndodhi në kohën midis Kryqëzimit dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit [shih 1 Pjetër 3:18–19]. Presidenti Jozef F. Smith pa në një vegim se Shpëtimtari e vizitoi botën e shpirtrave [shih Doktrina e Besëlidhje 138:30, 33]. …
Shqetësimi ynë për t’i shëlbuar të vdekurit dhe koha e burimet që harxhojmë për atë zotim, janë, mbi të gjitha, shprehje e dëshmisë sonë në lidhje me Jezu Krishtin. Ajo përbën një shpallje me gjithë fuqinë tonë lidhur me karakterin dhe misionin e Tij hyjnor. Ajo dëshmon, së pari, për Ringjalljen e Krishtit; së dyti, për shtrirjen e pafundme të Shlyerjes së Tij; së treti, që Ai është burimi i vetëm i shpëtimit; së katërti, që Ai i ka krijuar kushtet për shpëtim; dhe, së pesti, që Ai do të vijë sërish” (“The Redemption of the Dead and the Testimony of Jesus”, Liahona, nëntor 2000, f. 9–10).