Dhiata e Re 2023
27 Nëntor – 3 Dhjetor; 1–3 Gjon, Judë: “Perëndia Është Dashuri”


“27 Nëntor – 3 Dhjetor. 1–3 Gjon; Judë: ‘Perëndia Është Dashuri’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)

“27 Nëntor – 3 Dhjetor. 1–3 Gjon; Judë”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023

Jezu Krishti duke buzëqeshur ndërsa rri i ulur me fëmijë të buzëqeshur

Perfect Love [Dashuria e Përsosur], nga Del Parson

27 Nëntor – 3 Dhjetor

1–3 Gjon; Judë

“Perëndia Është Dashuri”

Çfarë temash dhe parimesh ju bëjnë përshtypje teksa lexoni kapitujt te 1–3 Gjon dhe libri i Judës? Si mund t’i përdorni ato që t’i ndihmoni anëtarët e klasës suaj?

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini disa anëtarë të klasës të tregojnë tema ose të vërteta të caktuara që u bënë përshtypje teksa i studiuan Letrat e Apostullit Gjon dhe Apostullit Judë. Cilat mesazhe nga këto letra ishin më domethënëse për ta dhe familjet e tyre?

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

1 Gjon 1:5–10; 2:3–11; 3:1–3; 4:7–21; 5:1–3

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë shembuj të përsosur drite dhe dashurie.

  • Si mund t’i ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim, që ta dallojnë dritën dhe dashurinë e Perëndisë në jetën e tyre? Mund ta filloni duke shkruar në tabelë fjalët dritë dhe dashuri. Kërkojuni anëtarëve të klasës të thonë fjalë të tjera që u vijnë në mendje kur mendojnë për këto dy fjalë. Më pas secili anëtar i klasës mund të studiojë një nga fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë, duke kërkuar diçka që na mësojnë vargjet për dritën dhe dashurinë: 1 Gjon 1:5–10; 2:3–11; 3:1–3; 4:7–12; 4:16–21; 5:1–3. Kërkojuni disave prej tyre që t’ia tregojnë klasës atë që gjetën. Ju gjithashtu mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë përvoja kur e kanë ndier dritën dhe dashurinë e Perëndisë.

  • Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të shohin te një dritë në tavan ose te drita që vjen përmes një dritareje, dhe të tregojnë se çfarë dinë rreth dritës shpirtërore. Si është drita fizike e ngjashme me dritën shpirtërore? Anëtarët e klasës mund të studiojnë idetë e mëtejshme vijuese për mënyrën se si Perëndia dhe Biri i Tij na sigurojnë dritë në jetën tonë: Psalmeve 27:1; Gjoni 1:4–5; 1 Gjon 1:5–7; 3 Nefi 11:11; Doktrina e Besëlidhje 88:6–13; dhe një himn për dritën, si “Zoti më Ësht’ Drit’” (Himne, nr. 45). Anëtarët e klasës mund të tregojnë gjithashtu përvoja kur ata kërkuan dhe morën dritë shpirtërore në jetën e tyre.

1 Gjon 2:18–28; 4:3; 2 Gjon 1:7–11; 3 Gjon 1:9–11; Judë

Ne duhet të “qëndro[jmë] në doktrinën e Krishtit”.

  • Mësimet e Gjonit dhe të Judës për braktisjen mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës që të marrin në konsideratë se si ta mbajnë të fortë besimin e tyre te Jezu Krishti. Merrni parasysh ta ftoni gjysmën e klasës të kërkojë përshkrime të mësimeve të rreme ose të braktisjes te 1 Gjon 2:18–23, 26–28; 4:3; 2 Gjon 1:7–11; 3 Gjon 1:9–11 dhe gjysmën tjetër të klasës të kërkojë përshkrime të tilla te letra e apostullit Judë. Ose mund të kërkojnë përgjigje për pyetje si këto: Si e përkufizojnë Gjoni dhe Juda një anti‑Krisht? (Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Antikrisht”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.) A ka diçka në këto vargje që duket veçanërisht e zbatueshme për sfidat që hasim ne sot? Çfarë do të thotë të “qëndro[jmë] në doktrinën e Krishtit”? (2 Gjon 1:9.)

  • Juda përdor figura interesante për t’i përshkruar mësuesit e rremë ose ata që “flasin keq për të gjitha gjërat që nuk i dinë” (Judë 1:10). Ju mund t’i ftoni disa anëtarë të klasës të vizatojnë në tabelë disa prej figurave të përshkruara te kapitulli Judë 1:12–13, ndërkohë që anëtarë të tjerë të klasës marrin me mend se cilën frazë po vizaton personi. Si i përfaqësojnë këto figura mësuesit e rremë dhe anti‑Krishtët? Për shembull, si krijojnë praktikat e korruptuara “njolla” në kremtimet tona të dashurisë hyjnore? Çfarë mund të bëjmë që të forcohemi kundrejt “tallës[ve]”? (Shih Judë 1:18–21.) Pse mund të ketë sugjeruar Juda që ne të “k[emi] dhembshuri” (Judë 1:22) për ata që tallen me ungjillin?

grua duke ndihmuar fëmijën për të lexuar shkrimet e shenjta

“Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën” (3 Gjon 1:4).

3 Gjon 1:1–4

Gëzimi vjen kur ne i ndihmojmë të tjerët të “ecin në të vërtetën”.

  • Ndoshta ka njerëz në klasën tuaj që mund të ndihen sikurse u ndje Gjoni kur ai tha se nuk kishte “gëzim më të madh” sesa të dëgjonte që Gaji (njëri nga “bijtë” e tij) po ecte në të vërtetën. Anëtarët e klasës mund të përfitojnë nga dëgjimi i përvojave të njëri‑tjetrit. Ndoshta ju mund ta filloni duke lexuar së bashku te 3 Gjon 1:1–4 dhe shkrimet e shenjta te pjesa “Burime Shtesë”. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth burimit të gëzimit të vërtetë? Anëtarët e klasës mund të flasin për mënyrën se si janë ndier si prindër, misionarë, udhëheqës të Kishës apo mësues kur e dinin se njerëzit të cilëve u dhanë mësim, po ecnin në të vërtetën. Ju mund të viheni në kontakt me disa anëtarë të klasës përpara orës mësimore dhe t’u kërkoni të sjellin fotografi të njerëzve që i ndihmuan të vinin te Krishti, dhe të tregojnë rreth përvojave të tyre.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Shkrime të shenjta rreth ndihmës ndaj të tjerëve që të ecin në dritë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Lutuni për anëtarët e klasës suaj. Ashtu si Shpëtimtari u lut për Pjetrin (shih Lluka 22:32), ju duhet të luteni me emër për ata të cilëve u jepni mësim, duke u përpjekur t’i kuptoni nevojat e tyre të veçanta. Kur e bëni këtë gjë, Ati Qiellor do t’i “përgatit[ë] zemrat e tyre” (Alma 16:16) dhe do t’ju ndihmojë të dini se çfarë të jepni mësim, me qëllim që të plotësoni nevojat e tyre (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 6).