Dhiata e Re 2023
25–31 Dhjetor. Zbulesa 15–22: “Kush Fiton do t’i Trashëgojë të Gjitha Gjërat”


“25–31 Dhjetor. Zbulesa 15–22: ‘Kush Fiton do t’i Trashëgojë të Gjitha Gjërat’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)

“25–31 Dhjetor. Zbulesa 15–22”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023

Jezu Krishti duke përshëndetur njerëz në Ardhjen e Tij të Dytë

The City Eternal [Qyteti i Përjetshëm], nga Keith Larson

25–31 Dhjetor

Zbulesa 15–22

“Kush Fiton do t’i Trashëgojë të Gjitha Gjërat”

Çfarë ju mëson beteja midis së mirës dhe së keqes që përshkruhet te Zbulesa, për rëndësinë e ndjekjes së Krishtit këtu në tokë? Pas përsiatjes së këtij parimi, merrini parasysh nevojat e anëtarëve të klasës suaj. Çfarë të vërtetash nga Zbulesa mund t’i ndihmojnë ata të bëjnë zgjedhje të drejta?

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ndërkohë që anëtarët e klasës i afrohen fundit të studimit të tyre të Dhiatës së Re, nxitini që t’i shprehin mendimet e tyre për Dhiatën e Re. Ftojini të tregojnë se si studimi i shkrimit të shenjtë i ka ndihmuar ata që ta njohin më mirë Jezu Krishtin dhe të bëhen më shumë si Ai.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Zbulesa 17–18

Ne duhet ta veçojmë veten tonë nga ligësia e botës.

  • Nuk është diçka e këndshme të lexoni rreth ligësisë dhe rënies së Babilonisë te Zbulesa 17–18, por është udhëzuese pasi Babilonia mund të jetë simbol i botës së ligë në të cilën jetojmë sot. Ndoshta mund t’i ndani këta kapituj midis anëtarëve të klasës dhe t’i vini të kërkojnë përgjigje për të tilla pyetje: Përse tërhiqen njerëzit drejt Babilonisë ose të qenit si bota? Përse Babilonia është e rrezikshme? Çfarë do t’i ndodhë Babilonisë? Çfarë paralajmërimesh dha Gjoni që të na ndihmonte ta shmangim fatin e Babilonisë?

  • Pas leximit te Zbulesa 18:4, anëtarët e klasës mund të diskutojnë mënyrën se si mund të “d[alin] prej” Babilonisë dhe “të mos bëhen pjesëtarë të mëkateve të saj”. Ata mund të tregojnë shkrime të shenjta ose mesazhe nga udhëheqësit e Kishës që i kanë ndihmuar t’u bëjnë ballë tundimeve të Babilonisë, ose botës. Merrni parasysh të shikoni materialin filmik “Dare to Stand Alone” [“Guxoni të Qëndroni Vetëm”] (ChurchofJesusChrist.org) ose të lexoni thënien e Plakut Kuentin L. Kuk te pjesa “Burime Shtesë”. Anëtarët e klasës mund të japin ide për mënyrën se si t’i vënë në zbatim të dy parimet që përmendi Plaku Kuk. Në çfarë kuptimi ne “[dalim]” nga Babilonia? (Për shembull, shih, Isaia 52:11; Doktrina e Besëlidhje 25:10.) Çfarë mund të bëjmë për t’i nxitur të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë?

Zbulesa 19–20

Ne mund të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Zotit dhe Ditën e Gjykimit.

  • Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit shpesh quhet “dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit” (Joel 2:31) dhe nisur nga Zbulesa 19–20, ky duket si një përshkrim i mirë. Merrni parasysh të shkruani në tabelë disa prej ngjarjeve të përshkruara te Zbulesa 19:5–20:15. Ftojini anëtarët e klasës që të gjejnë vargje të cilat i përshkruajnë këto ngjarje. Përse quhen këto ngjarje të mëdha dhe të tmerrshme? Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth Shpëtimtarit dhe atyre që e ndjekin Atë? Çfarë mund të bëjmë tani që të jemi mes atyre të cilët do të gëzohen në kohën e ardhjes së Tij?

  • Që të frymëzoni një diskutim rreth librit të jetës dhe gjykimit përfundimtar, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të krijojnë një libër të thjeshtë duke e palosur një fletë letre më katërsh. Më pas ata mund të lexojnë te Zbulesa 20:12–15; 2 Nefi 9:14; 29:11 dhe të përsiatin për atë se çfarë do të donin të shkruhej për ta në librin e jetës. Ftojini t’i shkruajnë ato gjëra në librat e tyre dhe ftojini disa anëtarë të klasës të tregojnë diçka që shkruan. Çfarë zgjedhjesh mund të bëjmë tani, që këto gjëra të shkruhen në librin e jetës? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të mos ndihen të shkurajuar për përparimin e tyre shpirtëror, merrni parasysh të jepni këshillën nga mesazhi i Plakut Xhefri R. Holland “Jini, pra, të Përkryer – Përfundimisht” (Liahona, nëntor 2017, f. 40–42).

Jezusi me njerëz në dritë në të djathtën e Tij dhe njerëz në errësirë në të majtën e Tij

The Last Judgement [Gjykimi Përfundimtar], nga John Scott

Zbulesa 21:1–22:5

Nëse jemi besnikë, ne vërtet do të bekohemi me lavdi çelestiale.

  • Edhe pse profetizohet që ditët e mëvonshme do të jenë të mbushura me ligësi dhe rrezik, shpërblimi që pa Gjoni për besnikët, e tejkalon shumë mundimin që e paraprin atë. Që t’i ndihmoni anëtarët e klasës ta shqyrtojnë këtë përfundim të bukur te Zbulesa, ju mund t’i ftoni të rishikojnë shkrimet te Zbulesa 21:1–22:5, duke kërkuar frazat që i frymëzojnë të përpiqen fort për lavdinë çelestiale. Çfarë premtimesh u bëhen besnikëve? Si na ndihmon ky përshkrim kur përballemi me sfidat dhe sprovat tona të tanishme?

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Zgjedhja e drejtësisë kundrejt ligësisë së Babilonisë.

Plaku Kuentin L. Kuk dha mësim:

“Nuk mund ta shmangim botën. Një ekzistencë e izoluar nuk është përgjigjja. Në një kuptim pozitiv, ndihmesa jonë ndaj botës është pjesë e sfidës sonë dhe është thelbësore nëse ne do t’i zhvillojmë talentet tona. …

… Anëtarët e Kishës kanë nevojë të përfshihen në botë në mënyrë pozitive. Atëherë, si e baraspeshojmë nevojën për të dhënë ndihmesë pozitivisht në botë dhe për të mos iu nënshtruar mëkateve të botës? [Shih Doktrina e Besëlidhje 25:10; 59:9.] Dy parime do të sjellin një ndryshim domethënës.

  1. Bëjuani të ditur njerëzve që jeni një shenjtor i zotuar i ditëve të mëvonshme. …

  2. Jini të sigurt për bindjet tuaja dhe jetojini ato” (“Lessons from the Old Testament: In the World but Not of the World”, Ensign, shkurt 2006, f. 54–55).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Respektojeni lirinë e zgjedhjes së të tjerëve. “Njerëzit ka më shumë mundësi të bëjnë ndryshime domethënëse në jetën e tyre kur ato ndryshime vijnë nga vetë ushtrimi i lirisë së tyre të zgjedhjes. Kur u jepni ftesa për të vepruar, sigurohuni që ta respektoni lirinë e zgjedhjes së atyre, të cilëve u jepni mësim” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 35).