“6–12 Nëntor. Hebrenjve 7–13: ‘Kryeprifti i të Mirave që do të Vijnë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“6–12 Nëntor. Hebrenjve 7–13”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
6–12 Nëntor
Hebrenjve 7–13
“Kryeprifti i të Mirave që do të Vijnë”
Ndërsa lexoni te Hebrenjve 7–13, përsiatni se cili ishte mesazhi i Zotit për shenjtorët hebrenj. Gjithashtu kërkoni mesazhet e Tij për ju dhe njerëzit të cilëve u jepni mësim.
Ftojini të Tregojnë
Përpara orës mësimore ftojini disa anëtarë të klasës që të vijnë të përgatitur të flasin për vargje nga Hebrenjve 7–13 të cilat i ndihmojnë t’i “afrohe[n Perëndisë] me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi” (Hebrenjve 10:22).
Jepeni Mësim Doktrinën
Ordinancat e lashta dhe të kohëve të sotme çojnë drejt Jezu Krishtit.
-
Përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron që të hulumtoni Hebrenjve 7 për fragmente që na mësojnë për Priftërinë Melkizedeke dhe dëshmojnë për Jezu Krishtin. Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë atë që gjetën. Ose mund t’u jepni kohë në klasë që të shqyrtojnë kapitullin 7 dhe të gjejnë vargje që na mësojnë për këtë priftëri dhe dëshmojnë për Shpëtimtarin. Si ishte i ngjashëm Melkizedeku me Jezu Krishtin? (Shih titujt për Melkizedekun te vargjet 1–2.) Si na ndihmojnë ordinancat e Priftërisë Melkizedeke që të vijmë te Krishti? Ndoshta anëtarët e klasës mund të kërkojnë për përgjigje të mundshme te Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Melchizedek Priesthood” [“Priftëria Melkizedeke”] (topics.ChurchofJesusChrist.org).
-
Edhe pse nuk ofrojmë flijime kafshësh, ne vërtet marrim pjesë sot në ordinanca të cilat, në mënyrë të ngjashme, na drejtojnë drejt Krishtit dhe sigurojnë “kanalet e autorizuara nëpërmjet të cilave bekimet dhe fuqitë e qiellit mund të rrjedhin brenda jetës sonë individuale” (Dejvid A. Bednar, “Gjithmonë Mbani një Heqje të Mëkateve Tuaja”, Liahona, maj 2016, f. 60). Ndoshta ju mund të shqyrtoni së bashku se si ordinancat e lashta, të përshkruara te Hebrenjve 8–10, simbolizonin flijimin shëlbues të Shpëtimtarit. Për shembull, çfarë përfaqëson gjaku i demave dhe cjepve? (Shih Hebrenjve 9:13–14.) Çfarë përfaqëson prifti i lartë? (Shih Hebrenjve 9:24–26.) Materiali filmik “Sacrifice and Sacrament” [“Sakrifica dhe Sakramenti”] (ChurchofJesusChrist.org) mund të ndihmojë. Si na kanë bekuar ordinancat e kohëve të sotme dhe si na kanë ndihmuar të drejtohemi te Jezu Krishti? Çfarë mund të kryejmë që t’i bëjmë këto ordinanca më domethënëse dhe të përqendruara te Shpëtimtari?
Besimi kërkon mirëbesim te premtimet e Perëndisë.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i kuptojnë mësimet e Palit rreth besimit, ju mund të filloni duke u kërkuar të mendojnë se si mund ta përshkruajnë besimin me një fjali. Pastaj lexoni e diskutoni si klasë përkufizimin që dha Pali te Hebrenjve 11:1. Më pas mund t’i caktoni secilit person që të zgjedhë njërin prej njerëzve të përmendur te Hebrenjve 11 për ta studiuar. Anëtarët e klasës mund të përdorin poshtëshënimet te Bibla në anglisht ose Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org) për të shqyrtuar përvojat e atij personi në Dhiatën e Vjetër dhe më pas t’ia tregojnë klasës atë që gjetën. Si e shfaqën këta njerëz se ndien një “siguri [të] gjërave që shpres[uan]”? (Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Hebrenjve 11:1.) Anëtarët e klasës mund të jenë në gjendje të tregojnë disa shembuj të tjerë të njerëzve besnikë. Kur keni ushtruar besim te premtimet që nuk ishin përmbushur ende?
-
Këshilla e dhënë shenjtorëve hebrenj, të cilët u tunduan të “tërhiqe[shin] prapa” prej besimit të tyre, mund të jetë e vlefshme për anëtarët e klasës të cilët mund të jenë duke hasur vështirësi me dëshmitë e tyre. Ajo mund të ndihmojë gjithashtu ata që po përpiqen t’i ndihmojnë njerëzit e dashur që po kalojnë një krizë besimi. Për ta zbuluar këtë këshillë, anëtarët e klasës mund të lexojnë te Hebrenjve 10:34–38 dhe thënien e Plakut Xhefri R. Holland te pjesa “Burime Shtesë”. Përse nganjëherë tundohemi që ta hedhim tej sigurinë që kemi te Zoti dhe ungjilli i Tij? (Shih Hebrenjve 10:35.) Çfarë mund të bëjmë për të ndërtuar dhe ruajtur besimin e sigurinë që të “m[arrim] … premt[imin e Perëndisë]”? (Hebrenjve 10:36.)
Burime Shtesë
“Mos e hidhni tej [sigurinë] tuaj.”
Duke iu referuar Hebrenjve 10:32–39, Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:
“Sigurisht që është e vështirë – përpara se të bashkoheni me Kishën, ndërkohë që po përpiqeni të bashkoheni dhe pasi të jeni bashkuar me të. Kjo është mënyra se si ka qenë gjithmonë, thotë Pali, por mos u tërhiqni. Mos u trembni dhe mos u zmbrapsni. Mos e humbisni vetëbesimin tuaj. Mos harroni se si u ndiet një herë e një kohë. Mos e vini në dyshim përvojën që ju patët. …
Me çdo vendim të rëndësishëm duhet bërë kujdes dhe duhen pasur parasysh disa gjëra, por pasi të ketë pasur ndriçim, ruhuni nga tundimi për t’u larguar nga një gjë e mirë. Nëse ishte e drejtë kur u lutët për të dhe i mirëbesuat asaj, dhe jetuat për të, është e drejtë edhe tani. Mos u dorëzoni kur shtohet trysnia. … Përballuni me dyshimet tuaja. Zotërojeni frikën tuaj. ‘Mos e hidhni tej [sigurinë] tuaj.’ Qëndroni në udhën tuaj dhe shihni bukurinë e jetës të shpaloset për ju” (“Cast Not Away Therefore Your Confidence”, Ensign, mars 2000, f. 8–9).