“14–20 Shkurt. Zanafilla 18–23: ‘A Ka Vallë Diçka që Është Shumë e Vështirë për Zotin?’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“14–20 Shkurt. Zanafilla 18–23”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
14–20 Shkurt
Zanafilla 18–23
“A Ka Vallë Diçka që Është Shumë e Vështirë për Zotin?”
Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, mbani në mendje se shumë anëtarë të klasës mund të kenë pasur vetë përvoja domethënëse teksa lexuan te Zanafilla 18–23. Çfarë mund të bëni për t’i nxitur ata që t’i tregojnë këto përvoja dhe ide? Merreni parasysh t’i lini ato ide të ndikojnë në diskutimin e klasës.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Vëniet në provë dhe sprovat tona shpesh bëhen çaste përcaktuese në jetën tonë. Zanafilla 18–23 përshkruan disa çaste të tilla në jetën e Abrahamit dhe të Lotit. Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë një varg që e gjetën gjatë studimit të tyre vetjak këtë javë, i cili përshkruan një çast të mundshëm përcaktues për Abrahamin. Më pas ata mund të tregojnë atë që mësuan prej tij.
Jepeni Mësim Doktrinën
Zoti do t’i përmbushë premtimet e Tij në vetë kohën e Tij.
-
Rrëfimi në këto vargje mund të jetë frymëzues për anëtarët e klasës të cilët e pyetin veten nëse do të përmbushen premtimet e Perëndisë për ta. Për të filluar një diskutim, mund të jetë e dobishme t’i ftoni anëtarët e klasës që të shqyrtojnë me dikë tjetër në klasë tregimin e premtimeve që Perëndia i dha Abrahamit dhe Sarës te Zanafilla 17:4, 15–22; 18:9–14 dhe përmbushjen e atyre premtimeve te Zanafilla 21:1–7. Në këto vargje, çfarë u bie në sy anëtarëve të klasës? Çfarë të vërtetash mund të nxjerrim nga përvoja e Abrahamit dhe Sarës për t’ia treguar një miku ose mikeje që po e humb shpresën se Perëndia do t’i përmbushë premtimet e Tij? Çfarë shkrimesh të tjera të shenjta ose përvojash vetjake mund të tregoni? (Shih për shembull, Romakëve 8:28; Hebrenjve 11; Mormoni 9:19–21; Doktrina e Besëlidhje 88:64.) Çfarë përvojash mund të tregojnë anëtarët e klasës për raste kur premtimet e Perëndisë u përmbushën në jetën tonë? Si mund ta mbështetim besimin tonë kur bekimet e premtuara mund të mos merren në këtë jetë? (Shih Hebrenjve 11:8–13).
Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet t’i largohemi ligësisë dhe të mos shikojmë prapa.
-
Çfarë mësimesh ndieni se mund të mësojnë anëtarët e klasës nga tregimi për familjen e Lotit duke u larguar me nxitim nga Sodoma dhe Gomora? Një mësim i mundshëm sugjerohet në thënien e Plakut Xhefri R. Holland te pjesa “Burimet Shtesë”. Ndoshta ju mund t’ia lexoni atë klasës pasi të përmblidhni ngjarjet e përshkruara te Zanafilla 19:15–26. Në çfarë mënyrash ose në çfarë situatash nganjëherë “shik[ojmë] prapa” (vargu 26) kur duhet të jemi duke shikuar përpara me besim te Shpëtimtari? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja që ilustrojnë rëndësinë e të mos parit prapa. Çfarë i shton Lluka 9:62 të kuptuarit tonë për këtë koncept?
Gatishmëria e Abrahamit për ta flijuar Isakun është një ngjasim me Perëndinë dhe Birin e Tij.
-
Tregimi i Abrahamit duke sakrifikuar birin e tij si një flijim, na mëson rreth flijimit nga Ati Qiellor të Birit të Tij. Një mënyrë për ta shqyrtuar këtë rrëfim është të caktoni gjysmën e klasës që t’i përsiatë vargjet te Zanafilla 22:1–14 nga këndvështrimi i Abrahamit dhe Perëndisë, Atit, ndërkohë që gjysma tjetër e përsiat këtë tregim nga këndvështrimi i Isakut dhe Jezu Krishtit. Kërkojuni anëtarëve të klasës tʼi shprehin idetë që marrin. Në veçanti, çfarë mësojnë anëtarët e klasës që e thellon mirënjohjen e tyre për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Si pjesë të këtij diskutimi, ju mund të paraqitni figurën Abrahami Merr Isakun që ta Sakrifikojë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 9) ose shfaqni materialin filmik “Akedah (The Binding)” [“Akedah (Lidhja)”] (ChurchofJesusChrist.org).
Burime Shtesë
“Besimi gjithnjë drejtohet tek e ardhmja.”
Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:
“Ka të ngjarë që gruaja e Lotit shikoi prapa me mëri drejt Zotit, për atë që Ai po i kërkonte asaj të linte pas. … Pra nuk është thjesht se ajo shikoi prapa; ajo shikoi prapa me mall. Me pak fjalë, lidhja e saj me të shkuarën kishte më shumë peshë sesa vetëbesimi i saj në të ardhmen. …
… Ju përgjërohem që të mos jetoni në kohë që tani kanë shkuar, as të mos e dëshironi fort më kot të djeshmen, sado e mirë mund të ketë qenë ajo e djeshme. E kaluara është për të mësuar, jo për ta jetuar. Ne e kthejmë kokën prapa që t’u marrim përvojave të ndritura thëngjijtë, por jo hirin. Dhe kur i kemi mësuar ato që na nevojitet të mësojmë dhe e kemi marrë me vete më të mirën që kemi përjetuar, atëherë shikojmë përpara dhe mbajmë mend që besimi gjithnjë drejtohet tek e ardhmja. …
… [Gruaja e Lotit] nuk pati besim. Ajo e vuri në dyshim aftësinë e Zotit për t’i dhënë asaj diçka më të mirë nga ajo që tashmë e kishte. Me sa duket, ajo mendoi se asgjë që shtrihej përpara, nuk mund të ishte ndoshta aq e mirë sa ajo që po linte prapa. …
… Të jetuarit në të shkuarën, përfshirë gabimet e së shkuarës, thjesht nuk është i drejtë! Nuk është ungjilli i Jezu Krishtit” (“The Best Is Yet to Be”, Ensign, janar 2010, f. 24, 26–27).