“7–13 Shkurt. Zanafilla 12–17; Abraham 1–2: ‘Të Jem Ndjekës më i Madh i Drejtësisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“7–13 Shkurt. Zanafilla 12–17; Abraham 1–2”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
7–13 Shkurt
Zanafilla 12–17; Abraham 1–2
“Të Jem Ndjekës më i Madh i Drejtësisë”
Çfarë ju ka mësuar Fryma e Shenjtë këtë javë teksa studiuat kapitujt te Zanafilla 12–17 dhe Abraham 1–2? Sigurohuni që t’u jepni anëtarëve të klasës mundësi për të treguar atë që Fryma e Shenjtë ua ka mësuar.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’u dhënë anëtarëve të klasës mundësi që të tregojnë diçka që e mësuan nga Zanafilla 12–17 dhe Abraham 1–2, secili prej tyre mund të zgjedhë një person që përmendet në këta kapituj dhe të plotësojnë një fjali si vijon: “Abrahami më mësoi ” ose “Sara më mësoi ”.
Jepeni Mësim Doktrinën
Zanafilla 15:1–6; 17:15–22; Abraham 1:1–19
Perëndia do të na bekojë për besimin tonë dhe dëshirat tona të drejta.
-
Përvojat e Abrahamit dhe të Sarës që shënohen te Zanafilla 15; 17; Abraham 1 mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës ta ruajnë besimin se dëshirat e tyre të drejta do të përmbushen në kohën e Zotit. Si mund ta filloni një diskutim rreth këtij parimi? Një ide është ta ftoni klasën të kërkojë te Zanafilla 15:1–6 dhe Abraham 1:1–19 dhe të përshkruajë dëshirat dhe rrethanat e vështira të Abrahamit. Si e shfaqën Abrahami dhe Sara besimin e tyre në kohët e vështirësisë? (Shih Hebrenjve 11:8–13). Si u plotësuan më së fundi dëshirat e tyre të drejta? (Shih Zanafilla 17:15–22; 21:1–3; Doktrina e Besëlidhje 132:29; Abraham 1:31). Si mund ta shfaqim besimin tonë kur dëshirat tona të drejta ende nuk plotësohen, ashtu siç do të dëshironim të plotësoheshin? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë se si Shpëtimtari i ka përkrahur në situata të tilla.
-
Disa anëtarë të klasës suaj mund të marrin pak përkrahje nga familjet e tyre teksa përpiqen fort që ta jetojnë ungjillin – dhe madje ata mund të përballen me kundërshtim. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Abrahamit tek Abraham 1:1–19 që mund t’i ndihmojë ata që po përpiqen fort të jetojnë me drejtësi në situata të tilla?
-
Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të lexojnë te Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 14:36–40 (në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta) dhe të tregojnë se çfarë mësojnë rreth besimit dhe dëshirave të Abrahamit. Ata mund të tregojnë gjithashtu se si janë bekuar kur e kanë ushtruar besimin e tyre për ta paguar të dhjetën.
Besëlidhja e Abrahamit na bekon ne të gjithëve.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë atë që është besëlidhja e Abrahamit, ju mund të lexoni thëniet nga Presidenti Rasëll M. Nelson te pjesa “Burime Shtesë” (shih edhe Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Abrahamic Covenant” [“Besëlidhja e Abrahamit”], topics.ChurchofJesusChrist.org). Anëtarët e klasës mund të kenë mësuar rreth besëlidhjes së Abrahamit nga Abraham 2:6–11, siç sugjerohet në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë atë që mësuan, ose klasa mund t’i studiojë këto vargje së bashku. Çfarë premtimesh dhe përgjegjësish marrim nëpërmjet besëlidhjes së Abrahamit? Materiali filmik “Special Witness – President Nelson” [“Dëshmitar i Veçantë – Presidenti Nelson”] mund të ndihmojë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje (ChurchofJesusChrist.org/media-library/video/2011-04-18-special-witness-president-nelson). Çfarë nevojitet të bëjmë për t’i marrë bekimet e kësaj besëlidhjeje? Si fara e Abrahamit, si mund t’i bekojmë ne “të gjitha familjet e tokës”? (Abraham 2:11).
Zanafilla 14:18–19; Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 14:25–40
“Melkizedeku ishte një njeri i besimit”
-
Për shkak të Rivendosjes së ungjillit, shumica e anëtarëve të Kishës kanë njohuri për Priftërinë Melkizedeke, por disa nuk kanë njohuri për Melkizedekun si njeri. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të mësojnë më shumë rreth tij, ndoshta mund t’i ftoni të përfytyrojnë sikur atyre iu kërkua t’ia prezantojnë Melkizedekun dikujt që nuk e njihte atë dhe në tabelë të bëjnë një listë të gjërave që do të thoshin. Ata mund t’i bazojnë këto gjëra në atë që lexuan te Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 14:26–27, 33–38 (në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta); Alma 13:13–19; dhe Doktrina e Besëlidhje 107:1–4. Çfarë mësojmë për Priftërinë Melkizedeke nga këto vargje?
Burime Shtesë
Bekimet e besëlidhjes së Abrahamit.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Besëlidhja e Perëndisë me Abrahamin dhe më vonë e përsëritur me Isakun dhe Jakobin është e një rëndësie të jashtëzakonshme. … Zoti u shfaq në këto ditë të mëvonshme për të përsëritur besëlidhjen e Abrahamit. … Me përsëritjen e këtij premtimi, ne kemi marrë, siç bënë njerëzit e kohëve të vjetra, priftërinë e shenjtë dhe ungjillin e përjetshëm. Ne kemi të drejtën të marrim plotësinë e ungjillit, të gëzojmë bekimet e priftërisë dhe të kualifikohemi për bekimin më të madh të Perëndisë – që është jeta e përjetshme” (“Besëlidhjet”, Liahona, nëntor 2011, f. 87–88).
“Bekimet përfundimtare të besëlidhjes së Abrahamit jepen në tempujt e shenjtë. Këto bekime na lejojnë të ngrihemi në Ringjalljen e Parë dhe të trashëgojmë frone, mbretëri, pushtete, principata dhe dominime deri në ‘ekzaltimin dhe lavdinë [tonë] në të gjitha gjërat’ [Doktrina e Besëlidhje 132:19]” (“Special Witnesses of Christ”, Ensign, prill 2001, f. 7).