“21–27 Shkurt. Zanafilla 24–27: Besëlidhja Është Përtërirë”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“21–27 Shkurt. Zanafilla 24–27”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
21–27 Shkurt
Zanafilla 24–27
Besëlidhja Është Përtërirë
Teksa lexoni te Zanafilla 24–27, lutuni që të dini se si mund t’i nxitni anëtarët e klasës që të kenë përvojat e veta të të mësuarit nga shkrimet e shenjta.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i nxitur anëtarët e klasës që të shprehin idetë e tyre nga Zanafilla 24–27, ju mund t’i ftoni të përzgjedhin një fragment të veçantë që i frymëzoi ata, dhe ta shkruajnë atë në një copë letër. Mblidhini letrat dhe zgjidhni disa për t’i lexuar e diskutuar si klasë.
Jepeni Mësim Doktrinën
Martesa në besëlidhje është thelbësore në planin e përjetshëm të Perëndisë.
-
Rëndësia që i dha Abrahami gjetjes së një bashkëshorteje për Isakun, jep mundësi për të diskutuar mbi rëndësinë e martesës në besëlidhje në planin e Perëndisë për ne. Për ta filluar diskutimin, anëtarët e klasës mund t’i hedhin një sy të shpejtë kapitullit te Zanafilla 24 dhe të tregojnë gjërat që Zoti i bëri për të ndihmuar që t’i bashkonte në martesë Isakun dhe Rebekën. Përse martesa është e rëndësishme për Zotin? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta diskutojnë këtë pyetje, ju mund të lexoni me ta thënien nga Plaku D. Tod Kristoferson te pjesa “Burime Shtesë”. Si mund të ndihmojmë për të siguruar që të përmbushen qëllimet e Perëndisë për martesën?
-
Pyetini anëtarët e klasës se çfarë cilësish kanë parë te një bashkëshort/e, te prindërit ose çifte të tjera të martuara, të cilat kanë kontribuar drejt një martese besnike dhe të lumtur. Tregimi te Zanafilla 24 demonstron cilësitë që mund ta ndihmojnë një njeri për të krijuar lumturi në martesë – dhe në aspekte të tjera të jetës. Për shembull, te vargu 12 ne mësojmë rreth udhërrëfimit me anë të lutjes dhe te vargu 19 mësojmë rreth bërjes së një përpjekjeje më të madhe për shërbim. Çfarë parimesh të tjera mund të gjenden në këta kapituj? Anëtarët e klasës gjithashtu mund të shohin te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (ChurchofJesusChrist.org).
Ne mund të zgjedhim midis kënaqësisë së çastit dhe gjërave me vlerë më të madhe.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës të gjejnë mësime vetjake nga përvojat e Jakobit dhe Esaut? Një ide është që t’i ftoni të bëjnë dy lista në tabelë – njërën për bekimet e përjetshme që Perëndia dëshiron të na i japë dhe tjetrën për gjërat e botës që na e heqin vëmendjen nga këto bekime. Më pas anëtarët e klasës mund të lexojnë te Zanafilla 25:29–34, duke e zëvendësuar fjalën “parëbirninë” me diçka nga lista e parë dhe fjalën “supë” me diçka nga lista e dytë. Si përpiqet kundërshtari të na bindë që t’i shkëmbejmë bekimet e Perëndisë me gjëra që janë me më pak vlerë? Merreni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës që t’i japin njëri‑tjetrit këshilla të tjera për mënyrën se si të përqendrohen te Shpëtimtari dhe bekimet e përjetshme që na ofron Ai.
Jezu Krishti është pusi me ujë të gjallë.
-
Zanafilla 26 përmend disa herë se Isakut dhe familjes së tij iu ishte dashur të gërmonin puse për të gjetur ujë dhe kjo shpesh kërkonte përpjekje të madhe. Ky fakt mund t’ju ndihmojë që t’u mësoni anëtarëve të klasës rreth përpjekjes që kërkohet për ta sjellë “uj[in e] gjallë” të Shpëtimtarit në jetën tonë (shih Gjoni 4:10). Ndoshta ju mund ta ilustroni këtë me një vizatim në tabelë të një burimi uji të mbuluar me shumë dhé. Anëtarët e klasës mund të fshijnë me radhë ca nga dheu, ndërkohë që përshkruajnë se si mund të gjejnë ujin e gjallë të Shpëtimtarit. Nxitini të përdorin Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta që të gjejnë vargje të cilat lidhen me gjërat që po tregojnë.
Burime Shtesë
Martesa dhe familja janë krijimi i Perëndisë.
Plaku D. Tod Kristoferson dha disa arsye përse martesa dhe familja janë kaq të rëndësishme për planin e Perëndisë:
“Një familje, e ngritur mbi martesën e një burri dhe të një gruaje, siguron vendosjen më të mirë që plani i Perëndisë të jetë plot gjallëri – mjedisin për lindjen e fëmijëve që vijnë nga Perëndia në pastërti e pafajësi dhe mjedisin për të mësuarin dhe përgatitjen që do t’iu nevojitet për një jetë të suksesshme në vdekshmëri dhe për jetë të përjetshme në botën që do të vijë. Një numër minimal familjesh, të ndërtuara mbi bazën e martesave të tilla, është jetik që shoqëritë të mbijetojnë e lulëzojnë. …
… Por shpalljet tona për rolin e martesës dhe të familjes mbështeten jo mbi shkencën shoqërore, por mbi të vërtetën se ato janë krijimi i Perëndisë. Është Ai që në fillim krijoi Adamin dhe Evën sipas shëmbëlltyrës së Tij, mashkullin e femrën, dhe i bashkoi ata si bashkëshort e bashkëshorte për t’u bërë ‘një mish’ dhe për t’u shumëzuar e për ta mbushur tokën. Çdo individ e mbart në vetvete shëmbëlltyrën hyjnore, por është në bashkimin martesor të mashkullit e femrës si një të vetëm, që ata ndoshta fitojnë kuptimin më të plotë të faktit që ne jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë – mashkull e femër. … Një martesë … është po aq pjesë e planit të lumturisë, sa ç’është Rënia dhe Shlyerja” (“Përse Martesa, Përse Familja”, Liahona, maj 2015, f. 52).