“28 Shkurt – 6 Mars. Zanafilla 28–33: ‘Me Siguri Zoti Është në Këtë Vend’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“28 Shkurt – 6 Mars. Zanafilla 28–33”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
28 Shkurt – 6 Mars
Zanafilla 28–33
“Me Siguri Zoti Është në Këtë Vend”
Teksa përgatiteni të jepni mësim, me lutje merrni parasysh se cilat parime te Zanafilla 28–33 mund të jenë më të dobishmet për anëtarët e klasës suaj. Idetë vijuese kanë për qëllim që t’i shtojnë vlerë studimit dhe frymëzimit tuaj vetjak.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Një bekim i mbledhjes në një klasë në Shkollën e së Dielës është që anëtarët të mund ta ndihmojnë njëri‑tjetrin për të gjetur kuptim në shkrimet e shenjta. Nxitini anëtarët e klasës t’i tregojnë dikujt që është ulur pranë tyre, për atë që Fryma e Shenjtë u mësoi teksa studionin shkrimet e shenjta këtë javë. Disave mund t’u bëhet ftesë që t’i tregojnë klasës atë që diskutuan. Kjo mund të krijojë një pikë të mirë fillimi për diskutimin e klasës suaj.
Jepeni Mësim Doktrinën
Në tempull ne bëjnë besëlidhje me Perëndinë.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që të gjejnë kuptim te përvoja e Jakobit në Bethel, siç përshkruhet te Zanafilla 28:10–22? Ata mund ta fillojnë duke shqyrtuar vargjet te Zanafilla 27:41–45; 28:1–5 dhe duke marrë në shqyrtim jetën e Jakobit në atë kohë. Si mund të ishte ndier Jakobi? Më pas anëtarët e klasës mund të hulumtojnë vargjet te Zanafilla 28:10–22. Si e bekoi kjo përvojë Jakobin? Si mund të ishte ngushëlluar ai? Si mund të na frymëzojë përvoja e Jakobit kur adhurojmë në tempull? Gjithashtu klasa mund të këndojë, lexojë ose dëgjojë himnin “Më Pran’, Per’ndi, tek Ti”, i cili bazohet te këto vargje (Himne, nr. 52). Ata mund të tregojnë fraza nga kënga ose nga Zanafilla 28:10–22 të cilat u kujtojnë përvoja që i kanë pasur kur janë përpjekur të afrohen më pranë Shpëtimtarit.
-
Shkalla që pa Jakobi në ëndërr, shpesh është krahasuar me besëlidhjet e tempullit. Ndoshta ju mund të tregoni ose vizatoni një figurë të një shkalle dhe të një tempulli. Anëtarët e klasës mund të rishikojnë vargjet te Zanafilla 28:10–22 dhe të flasin për atë që na mëson shkalla në ëndrrën e Jakobit rreth tempullit. Çfarë tjetër gjejmë në këto vargje që na kujton bekimet që i marrim për shkak të besëlidhjeve tona në tempull? (Shih “About the Temple Endowment” [“Rreth Dhurimit në Tempull”] dhe “About a Temple Sealing” [“Rreth një Vulosjeje në Tempull”] [temples.ChurchofJesusChrist.org].)
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i përsiatin premtimet e besëlidhjes së Abrahamit, të cilat Zoti i përtëriu me Jakobin, ju mund t’i ftoni të lexojnë te Zanafilla 28:10–15 dhe të flasin rreth mënyrës se si mund t’i marrim ne këto bekime sot (shih edhe Zanafilla 12:2–3). Ata mund të lexojnë edhe thënien e Presidentit Rasëll M. Nelson te pjesa “Burime Shtesë”, duke kërkuar bekimet që vijnë nga bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve. Si u bekua Jakobi duke marrë premtimet që gjenden te Zanafilla 28:10–15? Çfarë lidhjesh shihni midis ngjarjeve në këto vargje dhe ngjarjeve te Zanafilla 29 dhe 30? (Martesën e Jakobit dhe lindjet e fëmijëve të tij.) Si na bekon Zoti kur bëjmë dhe mbajmë besëlidhje të shenjta?
Shpëtimtari mund të na ndihmojë t’i kapërcejmë mosmarrëveshjet në familjet tona.
-
Zanafilla 32–33 mund t’i frymëzojë anëtarët e klasës që dëshirojnë të gjejnë shërim në marrëdhëniet e tyre familjare. Mund të jetë e dobishme që t’i kërkoni një anëtari të klasës të përmbledhë shkurtimisht ngjarjet e shënuara te Zanafilla 27. Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet përfshin pyetje për t’u përsiatur ndërkohë që studioni kapitujt te Zanafilla 32–33. Ndoshta anëtarët e klasës mund të përzgjedhin njërën prej këtyre pyetjeve dhe t’i kërkojnë përgjigjet te kapitujt. Ata mund të jenë gjithashtu të gatshëm të tregojnë përvoja që i kanë pasur me forcimin e marrëdhënieve të tensionuara në familjet e tyre. Nxitini të flasin rreth mënyrës se si i ndihmoi Ati Qiellor.
Burime Shtesë
Ne jemi fëmijë të besëlidhjes.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Në pagëzim ne bëjmë besëlidhje për t’i shërbyer Zotit dhe për t’i mbajtur urdhërimet e Tij. Kur ne marrim pjesë në sakrament, ne përtërijmë atë besëlidhje dhe shpallim vullnetin tonë për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Në këtë mënyrë ne jemi adoptuar si bij dhe bija të Tij dhe njihemi si vëllezër dhe motra. Ai është ati i jetës sonë të re. Së fundi, në tempullin e shenjtë, ne mund të bëhemi bashkëtrashëgimtarë të bekimeve të pasjes së një familjeje të përjetshme, siç iu premtua dikur Abrahamit, Isakut, Jakobit dhe pasardhësve të tyre. Kështu, martesa çelestiale është besëlidhja e ekzaltimit.
Kur kuptojmë se jemi fëmijë të besëlidhjes, ne e dimë cilët jemi dhe çfarë pret Perëndia nga ne. Ne e kemi bërë ligjin e Tij një pjesë tonën. Ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i Tij. Fëmijët e angazhuar të besëlidhjes qëndrojnë të patundur, gjatë kohëve të vështirësive. Kur ajo doktrinë është bërë pjesë e jona, edhe gjembat e vdekjes lehtësohen dhe qëndresa jonë shpirtërore forcohet” (“Besëlidhjet”, Liahona, nëntor 2011, f. 88–89).