“6–12 Qershor. Ruthit; 1 Samuelit 1–3: “Zemra Ime Ngazëllohet në Zotin’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“6–12 Qershor. Ruthit; 1 Samuelit 1–3”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
6–12 Qershor
Ruthit; 1 Samuelit 1–3
“Zemra Ime Ngazëllohet në Zotin”
Është e rëndësishme të jeni të përgatitur që të jepni mësim, por sigurohuni që planet tuaja përfshijnë dhënien e mundësive anëtarëve të klasës që të tregojnë se çfarë kanë mësuar.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i nxitur anëtarët e klasës që të tregojnë atë që mësuan këtë javë, ju mund t’i ftoni të shkruajnë në tabelë një fjalë ose frazë nga Ruthit 1–4 ose 1 Samuelit 1–3 që i frymëzuan gjatë studimit të tyre individual ose familjar. Lexojini disa me zë të lartë, duke u kërkuar anëtarëve të klasës të tregojnë se si u frymëzuan nga këto fjalë dhe fraza.
Jepeni Mësim Doktrinën
Krishti mund ta kthejë tragjedinë në triumf.
-
Edhe pse anëtarët e klasës suaj mund të kenë sprova individuale që janë të ndryshme nga ato të Ruthit dhe të Anës, ata mund të mësojnë nga mënyrat se si këto gra besnike iu përgjigjën humbjes dhe dhembjes. Për t’i ndihmuar që ta bëjnë këtë, ju mund ta ndani klasën në grupe të vogla dhe ta ftoni secilin grup që të lexojë një kapitull nga Ruthit 1–4 ose 1 Samuelit 1. Në tabelë, ju mund të shkruani pyetje si këto: Me çfarë sprovash po përballeshin Ruthi ose Ana? Si e treguan ato mirëbesimin e tyre te Zoti gjatë sprovave të tyre? Grupet mund të kërkojnë përgjigje ndaj një ose më shumë pyetjeve dhe të tregojnë atë që gjejnë. Çfarë mësojmë nga këto rrëfime rreth mënyrës se si do të na ndihmojë Zoti në sprovat tona?
-
Nuk merr fëmijë çdo njeri që lutet për një fëmijë dhe nuk martohet përsëri çdo burrë që i vdes gruaja apo çdo grua që i vdes burri. Por sfidat tona vetjake, pavarësisht se cilat janë, mund të jenë mundësi për t’u kthyer te Shpëtimtari dhe për ta forcuar besimin tonë tek Ai. Mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të lexojnë Ruthit 2:11–12 dhe 1 Samuelit 1:9–11, dhe të bisedojnë për mënyrën se si sprovat e Ruthit dhe të Anës ndikuan te marrëdhëniet e tyre me Zotin. Anëtarët e klasës gjithashtu mund të tregojnë se si vetë besimi i tyre u forcua ngaqë ata u kthyen drejt Jezu Krishtit gjatë kohëve të sprovës.
Për ta përkrahur këtë diskutim, ju mund të ftoni një ose më shumë anëtarë të klasës që të vijnë të përgatitur për të treguar ide nga njëra prej bisedave që vijojnë: mesazhi i Motrës Reina I. Aburto “N’Qoft’ Shi a Diell, Zot, me Mua Rri!” (Liahona, nëntor 2019, f. 57–60); pjesën e titulluar “Gëzimi nga Kapërcimi i Vështirësive nëpërmjet Krishtit” nga mesazhi i Plakut D. Tod Kristoferson “Gëzimi i Shenjtorëve” (Liahona, nëntor 2019, f. 16–17); ose fjalët e Presidentes Elen S. Dalton te pjesa “Burimet Shtesë”. Kërkojuni anëtarëve të klasës që të tregojnë atë që mësuan rreth mënyrës se si sprovat tona mund të jenë mundësi për besim më të madh te Jezu Krishti.
Ne duhet ta dëgjojmë zërin e Zotit dhe t’i bindemi zërit të Tij.
-
Mund të ketë njerëz në klasën tuaj që, ashtu si Samueli, e kanë dëgjuar zërin e Zotit, por nuk e dalluan atë si zërin e Tij. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që ta rishikojnë kapitullin 1 Samuelit 3, duke kërkuar atë që bëri Samueli e cila mund të na ndihmojë në përpjekjet tona për ta dëgjuar zërin e Zotit dhe për t’iu bindur zërit të Tij. Gjithashtu mund t’u kërkoni dy anëtarëve të klasës që t’i interpretojnë me role ndërveprimet midis Samuelit dhe Elit.
-
Nganjëherë e gjejmë vetveten në një situatë të ngjashme me situatën e Elit – ne kemi mundësi për ta ndihmuar dikë që të dallojë zërin e Zotit. Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë se si e kanë bërë këtë gjë për miqtë, pjesëtarët e familjes ose njerëz të tjerë. Çfarë shkrimesh të shenjta ose përvojash kemi treguar, për t’i ndihmuar të tjerët që të kuptojnë se si komunikon Zoti me ne? (Shih, për shembull, Doktrina e Besëlidhje 6:22–23; 8:2–3; 9:7–9.)
Burime Shtesë
Nuk jemi kurrë vetëm.
Presidentja Elen S. Dalton dha mësim:
“Nganjëherë udhëtimi i jetës na çon në shtigje të papritura. Ka dredha dhe kthesa gjatë rrugës që askush prej nesh nuk mund t’i parashikojë. Por me secilën nga këto dredha dhe kthesa ka një mundësi – një mundësi për të zgjedhur përgjigjen tonë dhe planin tonë të veprimit. Vështirësitë në jetë mund të jenë mundësi për të na ndihmuar që të afrohemi më pranë Shpëtimtarit dhe për të mirëbesuar tek Ai më tërësisht. Në procesin e të jetuarit pranë Tij çdo ditë, ne zhvillojmë tipare dhe cilësi si të Krishtit. …
Si Ruthi dhe Ana, ne të gjithë do të përjetojmë fatkeqësi. Ne mund të mos e kuptojmë gjithmonë planin e Zotit për jetën tonë, por është dëshmia ime që ne nuk jemi kurrë vetëm. Ai është gjithmonë me ne dhe Ai na premton: ‘Ju nuk mund të shihni me sytë tuaj natyrorë, në këtë kohë, planin e Perëndisë tuaj lidhur me ato gjëra që do të vijnë më pas dhe me lavdinë që do të pasojë pas shumë mundimesh’ [Doktrina e Besëlidhje 58:3]” (“Lessons from Ruth and Hannah”, Ensign, prill 2006, f. 35, 37).
Shih edhe Gjoni 14:18; Alma 38:5.