“13–19 Qershor. 1 Samuelit 8–10; 13; 15–18: ‘Betej[a] Varet nga Zoti’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“13–19 Qershor. 1 Samuelit 8–10; 13; 15–18”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
13–19 Qershor
1 Samuelit 8–10; 13; 15–18
“Betej[a] Varet nga Zoti”
Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, mbani mend se ka të ngjarë që anëtarët e klasës patën përvoja domethënëse nga studimi i shkrimeve të shenjta në shtëpi. Çfarë mund të bëni ju për të ndërtuar mbi ato përvoja?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Nxitini anëtarët e klasës të tregojnë atë që mësuan këtë javë, duke u dhënë kohë të mendojnë për ndonjë mbresë që e patën rreth 1 Samuelit 8–10; 13; 15–18. Më pas kërkojuni të tregojnë një varg që frymëzoi një mbresë.
Jepeni Mësim Doktrinën
1 Samuelit 9:15–17; 10:1–12; 16:1–13
Perëndia i thërret njerëzit me anë të profecisë që të shërbejnë në mbretërinë e Tij.
-
Tregimet se si Perëndia i zgjodhi Saulin dhe Davidin me anë të profecisë dhe zbulesës, mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës të kuptojnë se si zgjidhen njerëzit për të shërbyer në Kishë sot. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë 1 Samuelit 9:15–17, 10:1–12 dhe 16:1–13, duke kërkuar fragmente që mund t’i ndihmojnë të kuptojnë se çfarë kuptimi ka shprehja “thirret nga Perëndia” (Nenet e Besimit 1:5). Çfarë ndryshimi ka, për njerëzit që thirren dhe për ata që i mbështetin, që ta dinë se Perëndia i zgjedh njerëzit për të shërbyer në Kishën e Tij?
“Bindja është më e mirë se flijimi.”
-
Për të diskutuar arsyen përse është e rëndësishme të jemi të bindur ndaj Zotit, ju mund ta ftoni klasën të rishikojë vargjet 1 Samuelit 13:5–14 dhe të kërkojë qëndrime dhe sjellje që çuan drejt rënies së Saulit. Çfarë mund të mësojmë nga gabimet e Saulit?
-
Ndërkohë që nuk i dimë të gjitha arsyet përse Sauli u urdhërua t’i vriste të gjithë amalekitët dhe kafshët e tyre, ka mësime për të mësuar nga përgjigjja e tij ndaj atij urdhërimi. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i përcaktojnë këto mësime, ju mund të shkruani në tabelë Bindja është më e mirë se … dhe t’i ftoni anëtarët e klasës ta përsiatin këtë frazë teksa shqyrtoni së bashku ngjarjet nga 1 Samuelit 15. Cilat janë disa gjëra të mira që i bëjmë në jetën tonë, të cilat i zgjedhim nganjëherë në vend që t’i bindemi Perëndisë? Përse është bindja ndaj Perëndisë më e mirë se ato gjëra të tjera të mira?
“Zoti shikon zemrën.”
-
Pasi të lexojnë 1 Samuelit 16:6–7, anëtarët e klasës mund të shprehin mendimet e tyre se çfarë do të thotë të shikosh “zemrën” (vargu 7). Si mund të mësojmë të shohim sipas mënyrës që sheh Zoti? Anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja që u mësuan atyre rëndësinë e të parit të zemrës në vend të pamjes së jashtme.
Zoti mund të na ndihmojë që ta mposhtim çfarëdo sfide.
-
Në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, anëtarët e klasës mund të kenë përsiatur fjalët e njerëzve të ndryshëm që gjenden te 1 Samuelit 17. Merreni parasysh t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të tregojnë atë që mësuan nga kjo veprimtari. Në veçanti, çfarë mësuan për Davidin?
-
Disa anëtarë të klasës suaj ka të ngjarë që po hasin sfida, të cilat mund të duken po aq të frikshme sa Goliathi iu duk Saulit dhe ushtrisë së tij. Si mund ta përdorni historinë e Davidit dhe Goliathit për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i përballojnë sfidat e tyre me besim te Zoti? Ndoshta ju mund të paraqitni një figurë të Davidit dhe Goliathit (të tillë si ajo në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Anëtarët e klasës më pas mund të renditin në tabelë disa gjëra që mund të jenë “Goliathët” në kohën tonë. Më pas ata mund të gjejnë vargje te 1 Samuelit 17 të cilët vënë në dukje besimin e Davidit, që e bëri atë të aftë ta mundte Goliathin (shih edhe thënien te pjesa “Burime Shtesë”). Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja në të cilat ata ndien se Zoti po i ndihmonte që të luftonin betejat e tyre.
Burime Shtesë
Mundja e Goliathëve tanë.
Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim:
“Ka Goliathë kudo përreth jush, gjigantë kaba me qëllimin e lig që t’ju shkatërrojnë. Këta nuk janë burra 2,7 metra të lartë, por janë njerëz e institucione që kontrollojnë gjëra tërheqëse por të liga, që mund t’ju sfidojnë dhe dobësojnë, dhe shkatërrojnë ju. …
… Por nuk keni pse të frikësoheni nëse keni hobenë e së vërtetës në duart tuaja. … Ju keni gurët e virtytit dhe nderit, dhe integritetit moral për t’i përdorur kundër këtyre armiqve që do të dëshironin t’ju pushtonin ju. Për aq sa ju përket juve, ju mund t’i prekni në pikën e tyre të dobët. Ju mund të triumfoni mbi ta duke e disiplinuar veten që t’i shmangni ata. Ju mund t’u thoni të gjithëve atyre, ashtu si Davidi i tha Goliathit: ‘Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtërive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer’ [1 Samuelit 17:45]” (“Overpowering the Goliaths in Our Lives”, Ensign, maj 1983, f. 46, 51).