“30 Maj–5 Qershor. Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16: ‘Zoti u Dha një Çlirimtar’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“30 Maj–5 Qershor. Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
30 Maj–5 Qershor
Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16
“Zoti u Dha një Çlirimtar”
Mbani mend që mësuesi më i rëndësishëm është Fryma e Shenjtë. Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që të mësohen nga Fryma e Shenjtë teksa diskutojnë të vërteta nga libri Gjyqtarët?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Shkruani në tabelë emrat e disa prej gjyqtarëve që gjenden te Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16 (të tillë si Debora, Baraku, Gedeoni dhe Sansoni). Jepuni anëtarëve të klasës disa minuta që t’i rishikojnë këta kapituj dhe të shkruajnë nën njërin nga emrat në tabelë një të vërtetë që e mësuan nga përvoja e atij personi.
Jepeni Mësim Doktrinën
Gjyqtarët 2:11–19; 3:5–12; 4:1–16
Zoti ofron çlirim kur ne shkojmë në udhë të gabuar.
-
Shqyrtimi i ciklit të rebelimit, pikëllimit, pendimit dhe çlirimit të Izraelit mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që të dallojnë fuqinë e Perëndisë për çlirim në vetë jetën e tyre. Anëtarët e klasës mund të punojnë në grupe të vogla për të gjetur ciklin e përshkruar te Gjyqtarët 2:11–19; 3:5–12. Si u çliruan fëmijët e Izraelit nga cikli i tyre i mëkatit dhe vuajtjes? Çfarë mësojmë nga libri Gjyqtarët rreth mënyrës se si mund të largohemi nga mëkati dhe vuajtja? Cilat janë disa mënyra se si na çliron Perëndia? Gjithashtu mund t’i ftoni anëtarë e klasës që të gjejnë dhe tregojnë shkrime të shenjta që dëshmojnë për Zotin si Çlirimtari dhe Shëlbuesi ynë (për shembull, 2 Samuelit 22:1–3; Psalmeve 40:16–17; 1 Nefi 1:19–20; Mosia 23:21–23; Doktrina e Besëlidhje 138:23).
-
Gjyqtarët 2:19 shënon se izraelitët në mënyrë të përsëritur u larguan nga Perëndia drejt idhujtarisë. Ndoshta anëtarët e klasës mund ta përmbledhin këtë varg në formën e një paralajmërimi për veten e tyre. Në çfarë mënyrash ne nganjëherë “[biem] përmbys para” “perëndi[ve] të tjera”? Si mund të na ndihmojë Zoti që ta ndryshojmë “sjellj[en tonë] kokëfort[ë]”?
-
Për të filluar një diskutim rreth mënyrës se si Debora dhe Baraku e çliruan Izraelin nga kananejtë, ju mund t’i kërkoni një anëtari/eje të klasës ta përmbledhë historinë për klasën (mund të ndihmojë që të viheni në kontakt me anëtarin/en e klasës pak ditë më parë, kështu që ai ose ajo të mund të përgatitet). Pjesëtarët e klasës mund të flasin për cilësitë e Deborës që iu bënë atyre përshtypje. Si i frymëzoi Debora fëmijët e Izraelit që ta ndiqnin Zotin? Ndoshta mund të lexoni së bashku Gjyqtarët 4:14 dhe të diskutoni kuptimin e shpalljes besnike të Deborës: “A nuk ka dalë vallë, Zoti para teje?” Si del Zoti para nesh? (Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 84:87–88.)
Zoti mund të bëjë mrekulli kur ne mirëbesojmë te mënyrat e Tij.
-
Studimi i thirrjes së Gedeonit për të shërbyer mund t’i frymëzojë anëtarët e klasës në shërbimin e tyre vetjak. Mund t’u kërkoni atyre të lexojnë dhe diskutojnë Gjyqtarët 6:11–16. Çfarë mund të mësojmë nga kjo përvojë? Për t’i ndihmuar të mësojnë nga Gjyqtarët 7, ju mund të ftoni një ose më shumë anëtarë të klasës që të hiqen sikur janë ushtarët e Gedeonit dhe ta tregojnë historinë sipas këndvështrimit të ushtarëve. Anëtarët e tjerë të klasës mund t’iu bëjnë pyetje rreth përvojës së ushtarëve. Çfarë ngjashmërish shohim mes kësaj historie dhe asaj që po ndodh në jetën tonë? Çfarë mësojmë për Zotin nga kjo histori?
Forcë na vjen nga besnikëria ndaj besëlidhjeve tona me Perëndinë.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që të zbulojnë si të vërtetat frymëzuese ashtu dhe paralajmërimet e rëndësishme nga historia e Sansonit? Një mënyrë mund të jetë që ta ftoni gjysmën e klasës që të shqyrtojë Gjyqtarët 14–16 duke kërkuar vargje që tregojnë se Zoti ishte me Sansonin. Gjysma tjetër mund të kërkojë vargje që tregojnë se Sansoni nuk ishte tërësisht i zotuar ndaj Zotit. Vërini anëtarët e klasës të tregojnë atë që gjetën. Çfarë na mëson jeta e Sansonit rreth mbajtjes së besëlidhjeve që bëjmë me Perëndinë? Mund të jetë e dobishme thënia e Motrës En M. Dib te pjesa “Burime Shtesë”.
Burime Shtesë
Një mësim nga jeta e Sansonit.
Motra En M. Dib dha mësim: “Sansoni u lind me potencial të madh. Të ëmës së tij iu premtua: ‘Ai do të fillojë ta çlirojë Izraelin nga duart e Filistejve’ [Gjyqtarët 13:5]. Por ndërkohë që Sansoni rritej, ai dëshironte të ndiqte tundimet e botës më shumë se drejtimin e Perëndisë. Ai bëri zgjedhje sepse ‘[i] pëlqen[in]’ [Gjyqtarët 14:3] në vend që t’i bënte sepse ato zgjedhje ishin të drejta. Shkrimet e shenjta e përdorin në mënyrë të përsëritur frazën ‘pastaj zbriti’ [Gjyqtarët 14:7] ndërsa tregojnë për udhëtimet, veprimet dhe zgjedhjet e Sansonit. Në vend që të ngrihej e të shkëlqente për të përmbushur potencialin e tij të madh, Sansoni u mposht nga bota, humbi fuqinë e dhënë nga Perëndia dhe ndërroi jetë në një vdekje tragjike të parakohshme” (“Ngrihuni e Shkëlqeni”, Liahona, maj 2012, f. 118).