“23–29 Maj. Jozueut 1–8; 23–24: ‘Ji i Fortë dhe Trim’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“23–29 Maj. Jozueut 1–8; 23–24”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
23–29 Maj
Jozueut 1–8; 23–24
“Ji i Fortë dhe Trim”
Teksa lexoni Jozueut 1–8 dhe 23–24, merreni parasysh këshillën që të “mendoh[eni] për të ditë e natë” (Jozueut 1:8). Kushtojuni vëmendje nxitjeve që ju vijnë. Këto mund të çojnë drejt ideve të mësimdhënies për orën tuaj mësimore.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë një fragment nga leximi i tyre këtë javë që e rriti besimin e tyre te Jezu Krishti. Për shembull, ata mund të kenë përsiatur për mënyrat se si misioni i Jozueut u kujton atyre misionin e Jezu Krishtit. Përse jemi mirënjohës për historitë në librin e Jozueut?
Jepeni Mësim Doktrinën
“Ji i fortë dhe trim.”
-
Jozueut iu tha që të ishte “i fortë dhe trim” disa herë (shih Ligji i Përtërirë 31:7, 23; Jozueut 1:6–7, 9). Ndoshta anëtarët e klasës mund të përfitojnë nga diskutimi se çfarë do të thotë Zoti me këtë frazë. Ata mund të kërkojnë te Jozueut 1:1–9 për këshillën që Zoti i dha Jozueut për ta ndihmuar që të ishte i fortë dhe trim. Gjithashtu anëtarët e klasës mund të tregojnë shembuj të njerëzve që i njohin, të cilët i kanë këto tipare. Si tregoi Jozueu forcë dhe trimëri në rrëfimet që gjenden në librin e Jozueut? (Për shembull, shih kapitujt 3, 6 dhe 8.) Anëtarët e klasës mund të tregojnë se si po përpiqen të jenë të fortë dhe trima për Krishtin.
Fjala e Perëndisë mund të bëjë që të kemi sukses në veprimet tona.
-
Për t’i nxitur anëtarët e klasës në studimin e tyre vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta, ju mund të lexoni si klasë Jozueut 1:8. Çfarë mësojmë nga ky varg rreth mënyrës se si t’i studiojmë shkrimet e shenjta? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë se çfarë po bëjnë që të “mendo[jnë]” për shkrimet e shenjta “ditë e natë”. Si ka bërë Zoti që të kemi “sukses në veprimet” tona dhe na ka bërë që të “përparo[jmë]” teksa e studionim fjalën e Tij?
Ne mund të përjetojmë “mrekulli[të]” e Perëndisë.
-
Ndoshta anëtarët e klasës do të përfitonin nga një rishikim i shpejtë i rrëfimit të izraelitëve kur kapërcyen lumin Jordan. Mund ta ndani klasën në dyshe dhe tʼi ftoni pjesëtarët në secilën dyshe që t’ia tregojnë historinë njëri‑tjetrit, duke thënë me radhë nga një fjali (nxitini që të shohin te Jozueut 3 nëse u nevojitet ndihmë për ta kujtuar historinë). Më pas, si klasë, ata mund të diskutojnë ndonjë hollësi që u ra në sy. Çfarë mund të mësojmë nga kjo histori që mund të na ndihmojë të përjetojmë “mrekulli[të]” e Zotit në jetën tonë? (Vargu 5.) Çfarë “mrekulli[sh]” ka bërë Ai për ne? Përse është e rëndësishme që çdo brez të ketë përvoja shpirtërore të cilat u mësojnë se “Zoti … [është] i fuqish[ëm]”? (Jozueut 4:24.)
-
Edhe pse ne të gjithëve na nevojitet të kemi vetë përvojat tona të ndërtimit të besimit, është gjithashtu i rëndësishëm të kujtuarit e asaj që Zoti ka bërë për paraardhësit tanë. Sipas Jozueut 4, çfarë bënë izraelitët për të ndihmuar që brezat e ardhshëm ta kujtonin kapërcimin e lumit Jordan? (Shih Jozueut 4:1–7.) Çfarë po bëjmë ne që të sigurohemi se përvojat tona nuk do të harrohen nga brezat e ardhshëm?
Bindja sjell fuqinë e Perëndisë në jetën time.
-
Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron krahasimin e betejave të izraelitëve kundër kananejve te Jozueut 6–8 me betejat tona vetjake kundër tundimit. Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës se çfarë mendimesh ose mbresash patën teksa i lexuan këta kapituj me këtë krahasim në mendje. Ose mund t’i drejtoni te vargje të veçanta që duken të lidhura me betejat tona për ta shmangur mëkatin, dhe ata mund të flasin për atë që ato vargje na mësojnë rreth mënyrës se si ta marrim të drejtën e përdorimit të fuqisë së Perëndisë në jetën tonë. Disa nga këto vargje mund të përfshijnë Jozueut 6:1–5, 18, 20; 7:11–13.
“Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni.”
-
Ndoshta do t’i ndihmojë anëtarët e klasës që t’i zbatojnë për veten e tyre kapitujt Jozueut 23–24, në qoftë se ata përfytyruan se ishin izraelitë duke e dëgjuar Jozueun të jepte këtë këshillë në fund të jetës së vet. Mund t’u jepni disa vargje për t’i lexuar në heshtje dhe më pas kërkojuni të tregojnë diçka nga ato vargje që do t’i frymëzonte të qëndronin besnikë ndaj Zotit. Ata mund të tregojnë gjithashtu se si ata vetë e kanë marrë vendimin se “kujt do t’i shërbe[jnë]” (Jozueut 24:15). Përse e morën këtë vendim?
-
Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të zgjedhin një frazë nga Jozueut 23–24 që i frymëzon të zgjedhin për t’i shërbyer Perëndisë dhe më pas të krijojnë një afishe ose meme me këtë frazë për ta paraqitur në shtëpi ose në mediat shoqërore.